E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgjet, të dënuarit ankohen se nuk u njihen ditët e punës



Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është duke ndërmarrë disa reforma për sigurimin e një procesi të drejtë ligjor për çdo qytetar. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi dje një takim me përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Gjatë këtij takimi u diskutuan mbi problematikat e konstatuara në sistemin e burgjeve, ku një ndër më kryesoret dhe më vitalet në lidhje me zbatimin e ligjit dhe trajtimin e të dënuarve dhe paraburgosurve është shkelja e afateve ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe mosnjohja e ditëve të punës së dënuarve për efekt ulje dënimi. Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, nëpërmjet shkresave të ndryshme është vënë shpesh herë në dijeni Prokuroria e Përgjithshme për zgjidhjen e menjëhershme të këtyre problemeve, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim.
Për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve së bashku me Institucionin e Avokatit të Popullit, duke kërkuar edhe ndihmën e mediave, në kuadër të zbatimit të ligjshmërisë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale kërkon të sjellë në vëmendjen e Prokurorisë së Përgjithshme problemet e ndryshme në marrëdhënie me organet e prokurorisë në rrethe, të cilat konstatohen vazhdimisht.
Puna
Me shkresat me nr. 2257 datë 18.03.2008 dhe nr. 2257/1, datë 27.06.2008 në lidhje me punësimin e të dënuarve në I.E.V. Penale Burrel, Drejtoria e Burgjeve ka vënë në dijeni Prokurorinë e Përgjithshme për shqetësimet e ngritura nga të dënuarit e këtij institucioni për mosnjohjen e ditëve të punës për efekt të uljes së dënimit me burgim, për shkak të urdhrit me nr. 3233, datë 08.10.2004 të prokurorit të Përgjithshëm. Sipas tij, janë urdhëruar prokurorët e ekzekutimit të vendimeve penale në rrethet në të cilat ndodhen I.E.V. Penale, që të bëjnë korrigjimin e evidencave të administratës së burgjeve lidhur me uljen e dënimit, me arsyetimin se puna e të dënuarve në institucione nuk është shkak ligjor për uljen e kohës së dënimit me burgim. Ky urdhër është nxjerrë në një kohë që nuk ka pasur ndonjë akt tjetër ligjor ose nënligjor që të rregullojë marrëdhëniet e punësimit të burgosurve në I.E.V. Penale, përveç Dekretit të Presidentit me nr. 7298, datë 08.04.1989 “Për zbritjen e dënimit të personave të dënuar me heqje lirie që aktivizohen në punë, kur plotësojnë e tejkalojnë normën”.
Shqetësimet
Shqetësim i vazhdueshëm i konstatuar nga DPB dhe Avokati i Popullit për Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgjet) ka qenë ardhja me vonesë e urdhrave të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës pranë këtyre institucioneve, në kundërshtim me parashikimet e Kreut VI “Afatet e Ekzekutimit të Vendimeve”, të Ligjit nr. 8331, datë 21.04.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Ardhja me vonesë e këtyre urdhrave ka bërë që shumë të dënuar të mbahen dhe të vuajnë dënimin në mënyrë të padrejtë në ambientet e paraburgimit. Më shqetësues ky fenomen është për seksionet dhe institucionet e paraburgimit. Problem tjetër shqetësues në disa institucione ka qenë mosnxjerrja e urdhrave të ekzekutimit për shkurtimet e vendimit të gjykatës, në rastet e lirimeve të menjëhershme. Një gjë e tillë ka sjellë vështirësi për administratën e burgjeve, sidomos në ato raste kur në dosjen e të dënuarit nuk ka qenë i administruar vendimi i gjykatës, për shkak të mosmarrjes formë të prerë vendimi i gjykatës për dënimin e shtetasit.

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›