Avokati: Ekspertim psikik vrasësit
KURBIN / ROLAND NIKOLLI
Kërkohet ekspertim psikik për Shkëlzen Halilin. Avokati i tij mbrojtës, dje në sallën e gjyqit, i kërkoi zyrtarisht gjykatës që vrasësi i dy prindërve t'i nënshtrohet një vizite nga mjekët specialistë. Ndonëse i deklaruar nga familjarët si person me depresion, 30-vjeçari nga Fushë-Miloti nuk ishte kuruar kurrë më parë. Vrasësi i dyfishtë është paraqitur dje në Gjykatën e Kurbinit, për t'u njohur me masën e sigurisë ndaj tij. "Më gjykoni sa më shpejt. Krimin e kam bërë, nuk kthehem dot pas", mësohet të ketë pohuar ai sapo i është dhënë fjala. Në gjykatë nuk ka qenë i pranishëm asnjë nga familjarët e tij, që ende nuk e pranojnë dot faktin që djali i vogël masakroi me gjakftohtësi, të atin 62-vjeçari Aliun dhe nënën 57 vjeçe, Gjyzen. Masa e sigurisë është dhënë në orët e mesditës, kur Halili është paraqitur në gjykatë i qetë në pamje, ndërsa shoqërohej nga gardianët e burgut. Organi i akuzës pasi ka lexuar dëshmitë e tij, i ka lënë radhën drejtuesit të seancës gjyqësore që fillimisht e ka pyetur të pandehurin se cili ishte shkaku pse ndodhej në gjykatë. "Prindërit ma nxinë jetën. Nuk munda t'i duroja më. Unë kam ardhur në gjykatë sot pasi kam vrarë nënën time dhe babanë tim dhe më pas i kam tërhequr me litar duke i futur në pusetën e ujërave të zeza. Më pas më erdhi keq, por tashmë krimin e kisha kryer dhe në këto kushte jam munduar të fsheh krimin", ka përsëritur ai dëshminë që dha në polici pas arrestimit të dielën, disa orë pas nxjerrjes së trupave të pajetë të çiftit Halili. "I kam vrarë brenda dy minutash të dy. Ata nuk më donin. Aktualisht kam dy motra të martuara dhe jetojnë në Itali, si dhe një vëlla më të vogël se unë. Megjithatë unë kërkoj që gjykata të vazhdojë seancat gjyqësore dhe të japë vendimin sa më shpejt". Ndërsa avokati i tij mbrojtës i caktuar nga ana e shtetit ka kërkuar ekzaminimin psikik të Shkëlzen Halilit, duke pranuar kërkesën e arrestit me burg pa afat për 30-vjeçarin.
Kryepolici apel për të sëmurët
Drejtori i Policisë së Lezhës, Mërgim Hoxha, kërkon sensibilizimin e të gjithë familjarëve të personave që shfaqin probleme mendore për të shmangur ngjarje tragjike, si ajo në Fushë-Milot. "Ajo çka më shqetëson si drejtues i policisë dhe që i bëj thirrje komunitetit është fakti që familjarët nuk deklarojnë njerëzit e tyre me probleme mendore. Kam urdhëruar punonjësit e rendit të bëjnë identifikimin e personave që kanë probleme të tilla dhe në varësi të konstatimit të mjekëve, të merren masa për izolimin ose vazhdimin e mjekimit për ta", pohoi Hoxha. Në lidhje me ngjarjet e rënda të ndodhura në Qarkun e Lezhës fundjavën e kaluar, kryepolici pohon se për secilën prej tyre ka pasur angazhim maksimal të strukturave të rendit. Krimi në familje u zbardh, ashtu si dhe ngjarja në dasmë, ndërsa është zbardhur motivi dhe pritet identifikimi i autorëve të vrasjes së 19-vjeçarit në Mirditë. Hoxha thekson dhe bashkëpunimin e ngushtë me organet e tjera të drejtësisë në të gjithë qarkun.