E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusmali: Po punojmë për një produkt konsensual

 

Bashkëkryetari dem-okrat i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali, në një intervistë për median ka deklaruar se beson se puna do të përfundojë brenda kohës së dhënë nga Parlamenti, pra brenda datës 30 shtator. "Komisioni po punon intensivisht për të justifikuar në kohë dhe me një produkt konsensual besimin e dhënë nga Kuvendi", ka deklaruar Rusmali. Ai ka bërë të ditur se, gjatë kësaj kohe po punojnë ekspertët e partive për gjetjen e zgjedhjeve të ndryshme për pikat e mbetura pezull për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Një tjetër temë që bashkëkryetari i komisionit ka cekur ka qenë edhe roli i shoqatave joqeveritare në procesin e hartimit të Kodit Zgjedhor. Ai ka vlerësuar rolin e luajtur nga forumi i grave, duke bërë të ditur se propozimet e tyre për Kodin Zgjedhor do të merren në konsideratë. "Shoqëria civile ka qenë një komponent shumë i rëndësishëm i reformës zgjedhore. Ne kemi mundur të shfrytëzojmë një kontribut të jashtëzakonshëm të forumit të grave, të cilat kanë propozuar prej kohësh vendosjen e kuotës së pjesëmarrjes së gruas në politikë", theksoi bashkëkryetari Rusmali. Ai ka hedhur poshtë zërat për punën jotransparente, apo nuk merren në konsideratë vërejtjet e tyre nga ana e komisionit. "Përveç vërejtjeve nga këto organizma, nuk kam parë organizimin e tryezave të rrumbullakëta për çështjen e reformës zgjedhore. Ato mund ta bëjnë vetë një gjë të tillë, duke ftuar dhe anëtarët e komisionit", theksoi deputeti i PD-së, Rusmali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›