E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, Shqipëria ngjit 20 shkallë

 

ADI SHKEMBI

Shqipëria ka ngjitur 20 shkallë në perceptimin e korrupsionit për vitin 2008, por mbetet në vendet ku korrupsioni mbetet një problem serioz dhe që kërkon përpjekje sistematike dhe të qëndrueshme për t'u luftuar. "Transparency International" publikon indeksin e përvitshëm të perceptimit të korrupsionit, i cili përfshin dhe ka shtrirje në 180 vende të botës. Shqipëria këtë vit renditet në vendin e 85-të, duke shënuar një rritje me 0.5 pikë nga viti i kaluar. Vendi ynë është bërë për herë të parë pjesë e këtij indeksi në vitin 2003, ku është vlerësuar me 2.5. Vlerësimin më të ulët e ka marrë në vitin 2005 me 2.4 pikë. Që prej këtij viti Shqipëria ka njohur një rritje të përgjithshme me 1 notë vlerësuese, duke u vlerësuar në 2006 me 2.6, në 2007 me 2.9 dhe së fundmi në 2008 me 3.4. Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria është mbrapa Sllovenisë, Greqisë, Turqisë dhe Maqedonisë, ndërkohë që është me të njëjtën kuotë pikësh me Serbinë e Malin e Zi si dhe ka lënë mbrapa Bosnjën dhe Hercegovinën. Një vit më parë Shqipëria renditej në të njëjtat kuota me Argjentinën, Bolivinë, Burkina Fason, Djibutin dhe Egjiptin. Pjesa më negative e këtij vlerësimi të vitit 2007 ishte, se Shqipëria figuronte si vendi më i korruptuar në rajon, madje edhe Maqedonia, e cila ishte e parafundit, paraqitej afro 20 shkallë më lart se Shqipëria në renditje. Marjana Papa, drejtore e projektit "TIA", tha dje në një konferencë për shtyp se, "një drejtësi e pavarur dhe profesionale është një komponent i rëndësishëm në betejën anti-korrupsion. "TI" vlerëson përpjekjet që bëhen brenda sistemit të drejtësisë në drejtim të rritjes së pavarësisë, por nënvizon se ka ende shume rrugë për të bërë për çlirimin e vetë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni dhe rritjes së pavarësisë së tij nga politika në respekt të ligjit". Sipas Papës, zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe vendosja e administratës publike mbi baza profesionale, do të ndikonte në maksimizimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit. Shkëputja e administratës publike nga militimi partiak do ta vendoste këtë të fundit përfundimisht në shërbim të qytetarëve. "Rezultati i Shqipërisë këtë vit është inkurajues, por viti i ardhshëm e vendos Shqipërinë përballë një sfide tjetër, atë arritjes së standardeve zgjedhore, realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat mbi të gjitha kërkojnë rregullimin një herë e përgjithmonë të çështjes së financimit të partive politike", theksohet më tej në deklaratën për shtyp. "Transparency International" thekson se ky raport demonstron qartë se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë, ashtu si për të gjitha vendet e Evropës Juglindore, të cilat janë vlerësuar me notën nën 5, që tregon se ato ballafaqohen në nivele serioze të perceptimit të korrupsionit.

Vendet e rajonit

Vendi    Pikët

26    Sllovenia    6.7
57     Greqia    4.7
58    Turqia    4.6
72    Maqedonia    3.6
85    Shqipëria    3.4
85    Serbia    3.4
85    Mali i Zi    3.4
92    Bosnja    3.2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›