E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: Zgjedhjet në qershor 2009

 

BLEDAR HOTI

Bashkimi Evropian i bën thirrje maxhorancës dhe opozitës të shpejtojë reformën për Kodin e ri Zgjedhor dhe për hartimin e kartave të identitetit. Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan, ka lëshuar kambanat e alarmit për vonesën që po shfaqet në miratimin e Kodit të ri Zgjedhor dhe në pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit përpara zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. "Zgjedhjet e ardhshme sikundër ju tashmë e dini, ka shumë mundësi që të mbahen në fund të qershorit 2009. Është shumë e rëndësishme që të gjithë përgatitjet të përfundojnë shumë më përpara se data e zgjedhjeve. Për këtë arsye procesi i përfundimit të Kodit të ri, prodhimit të kartave të identitetit si dhe çështja e përbërjes së KQZ-së, duhet të jenë zgjidhur në një të ardhme të afërt", tha Lohan për mediat. Apeli i ndërkombëtarëve vjen në momentin kur komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore po i afrohet fundit, kur mandati i tij skadon më 30 shtator. "Sa më shpejt të jetë e mundur, pra duhet të arrihet sa më parë një konsensus mes forcave politike në lidhje me këto çështje, po e ritheksoj nuk duhet humbur kohë, duhet të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur", theksoi Lohan. Vëmendja më e madhe e ndërkombëtarëve është përqendruar dhe në lidhje me funksionimin e KQZ-së, ku ende nuk është përcaktuar qartë se si do të funksionojë ky institucion pas nxjerrjes jashtë funksionit kushtetues. Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ditët e fundit zhvilloi një seancë dëgjimore me zv.ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, për çështjen e kartave të identitetit. Përfaqësuesi i qeverisë në këtë komision ka siguruar opozitën se kartat e identitetit do të realizohen brenda afatit të përcaktuar, duke siguruar se votuesit do të votojnë me dokumentet e reja. Por opozita mbetet skeptike në realizimin e këtij procesi, duke u shprehur njëkohësisht dhe për rrezikun e mosvotimit të emigrantëve në këto zgjedhje. Në këto zgjedhje numri i zgjedhësve është llogaritur në 3.2 milionë.
Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ka mbetur pa miratuar dy prej kapitujve kryesorë, që janë prej më kryesoret dhe si duken ndajnë dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Çështja e llogaritjes së votave, përbërja e koalicioneve, si dhe mënyra e administrimit të votave, ngritja e komisioneve zgjedhore dhe mbi të gjitha varësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. PS-ja ka kontestuar variantin e ofruar nga ana e qeverisë, që KQZ-ja të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme, institucion që merret dhe me çështjet e pushtetit lokal. Kalimi në varësi të kësaj shihet si një mundësi që qeveria të ketë mundësi për ndërhyrje në procesin e ardhshëm zgjedhor. Kjo është një nga arsyet, mosbesimi që opozita ka ndaj qeverisë për menaxhimin e KQZ-së. Ndërsa për çështjen e listave paraprake të zgjedhësve, zv.ministri ka bërë të ditur se ato do të jenë gati në fund të muajit tetor.

Berisha: Zgjedhjet, do votojmë si qytetarë të lirë evropianë

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje nga qyteti i Burrelit kartat e identitetit për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat pritet të mbahen në qershor 2009. Duke folur në një nga ndalesat e tij në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", kreu i qeverisë garantoi zgjedhje të lira dhe të ndershme. "Këtë vit po ecim drejt zgjedhjeve dhe unë kam një qëllim madhor, që ju, të gjithë shqiptarët, të votoni të lirë si qytetarë evropianë, të votoni me dokumentet më moderne, ashtu siç ju ka hije, të zgjidhni ata që ju vlerësoni më shumë. Natyrisht, kur vjen puna te besimi njeriu i mençur nuk e çon atë kurrë dëm, nuk e vendos atë aty ku nuk duhet vendosur", u shpreh kryeministri. Gjatë turit në verilindje të vendit, duke u ndalur te investimet, Berisha theksoi se po ndërtohen shkolla të reja e moderne kudo, në komuna e fshatra të vendit, lidhje me rrugë të asfaltuara të të gjitha qendrave të komunave me fshatrat e tyre. "Ne kemi si qëllim që aty ku jetojnë fermerët shqiptarë fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla moderne, ata vetë të ecin në rrugë normale, prodhimet e tyre t'i transportojnë e t'i nxjerrin me lehtësi në treg, tokat e tyre të vaditen. Kështu ne mendojmë se zhvillojmë fshatin në mënyrë të qëndrueshme", tha Kryeministri. Ai e konsideroi këtë një rrugë të vështirë dhe një sipërmarrje madhore, duke theksuar se në rast se ndërtimi i akseve kombëtare rrugore do të mund të mbyllen me 2-3 miliardë euro, zhvillimi rural i qëndrueshëm në fshatrat shqiptarë do të dojë shumë e shumë miliarda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›