E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: U konfirmuan duart e pastra

 

Kreu i deputetëve demokratë, Astrit Patozi, vlerësoi dje progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, pak pas publikimit të raportit të "Tranparency International" për vitin 2008. Duke folur në një konferencë për shtyp, Patozi tha se, "raporti i Transparencës Ndërkombëtare për vitin 2008 e vlerëson Shqipërinë me një progres të rëndësishëm në perceptimin e korrupsionit, duke bërë që ajo të lërë pas rreth 100 vende dhe të renditet e 85-ta botë, ndërkohë që 3 vjet më parë ne ishim në bishtin e klasifikimit botëror, në vendin e 126-të, nga 158 shtete të testuara nga kjo organizatë". Sipas tij, "raporti konfirmon faktin që në këto vite reformash ne shembëm me guxim murin e kleptokracisë, duke i dhënë goditje të forta korrupsionit të ngritur në sistem nga paraardhësit tanë. Gjithashtu ai është një konfirmim i madh, se deviza e "duarve të pastra" dhe e tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit, me të cilën ne erdhëm në pushtet në vitin 2005, jo vetëm nuk është shuar, por ajo është në fokusin e qeverisë së koalicionit të djathtë". Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të PD-së nënvizoi se, "ky raport entuziast, që pason atë të Bankës Botërore të pak ditëve më parë, është një përgjigje e merituar e politikës së mohimit dhe shpifjes, e cila është adoptuar prej shumë kohësh pa asnjë sukses nga opozita".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›