BE: Kushtet për heqjen e plotë të vizave me Shqipërinë
Numri dy i Komisionit Evropian, njëkohësisht dhe komisionari për drejtësinë, italiani Franko Fratini, do të vizitojë nesër Tiranën për të hapur negociatat për liberalizimin e vizave ndërmjet BE-së dhe vendit tonë. Kjo fazë është avancimi i lehtësimit dhe do të thotë që shqiptarët do të udhëtojnë në vendet evropiane pa pasur nevojë për viza. Këtë status e kanë pasur vendet kandidate zyrtare për në BE. Në prag të vizitës së tij në Shqipëri, zëvendëspresidenti Fratini, Komisioner për Lirinë, Sigurinë dhe Drejtësinë, tha se "vij personalisht në Tiranë për t‘u sjellë qytetarëve shqiptarë një mesazh politik të fortë e pozitiv nga Bashkimi Evropian, duke nisur dialogun për liberalizimin e vizave mes Bashkimit Evropian dhe vendit të tyre. Ky proces synon të arrijë një qëllim të përbashkët, që është lëvizja e lirë e qytetarëve. Për më tepër, ky dialog do të nxisë promovimin e lëvizjes së njerëzve mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si një element kyç drejt një bashkëpunimi më të ngushtë me vendet e rajonit".
Fratini do të vizitojë Shqipërinë për të nisur dialogun për regjimin e udhëtimit pa viza me Shqipërinë. Ky dialog do të hapet nga pala shqiptare nga Kryeministri Sali Berisha. Gjatë vizitës së tij të shkurtër, Fratini do të takohet gjithashtu me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Qëllimi i dialogut është t‘u japë sinjale të qarta autoriteteve shqiptare për masat që duhet të marrë për të siguruar lëvizjen pa viza për të gjithë qytetarët e Shqipërisë.
Këshilli i Bashkimit Evropian përshëndeti më 28 janar synimin e Komisionit Evropian për të nisur një dialog me Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit për regjimin e udhëtimit pa viza dhe shprehu gatishmërinë e tij për të diskutuar më tej këtë çështje bazuar në Komunikatën e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor të bërë publike. Komunikata përcakton rrugën e detajuar, duke shënuar objektiva të qarta që vendet e rajonit duhet të arrijnë në mënyrë që të përparojnë gradualisht drejt regjimit të udhëtimit pa viza. Kjo do të bëjë të mundur që Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian të monitorojnë nga afër progresin e bërë në reformat e nevojshme.
Që prej 1 janarit 2008, qytetarët shqiptarë tashmë po gëzojnë përfitimet nga regjimi i lehtësuar i vizave që përcakton aplikim dhe procedura të njësuara të lëshimit të vizave për një kategori të gjerë qytetarësh që përfshin studentët, sportistët, njerëzit e kulturës, gazetarët, ata që vizitojnë pjesëtarët e familjes që jetojnë në Bashkimin Evropian, njerëzit që kanë nevojë për trajtim mjekësor, operatorët ekonomikë që punojnë me kompanitë e Bashkimit Evropian etj. Marrëveshja e lehtësimit të vizave gjithashtu parashikon një kosto më të ulët për vizat (35 euro në vend të 60 eurove), viza me afat më të gjatë, viza falas për fëmijët dhe pensionistët etj.
Lohan: Reforma zgjedhore të mbyllet shpejt dhe sipas standardeve
Helmut Lohan, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka avancuar thirrjen e Presidentit të Republikës, drejtuar partive politike në lidhje me reformën zgjedhore. Ambasadori Lohan i ka kërkuar politikës përfundimin e infrastrukturës zgjedhore shumë përpara ballafaqimit elektoral të vitit 2009 dhe krijimin e kushteve që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të bëhen pikë për pikë sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Duke folur në një konferencë për shtyp në lidhje me nismat e reja të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ambasadori Lohan e bëri të qartë se Brukseli nuk do të tolerojë zgjedhje të modelit "alla shqiptar" me defekte, por "përgjithësisht të mira", por theksoi se Bashkimi Evropian kërkon të certifikojë zgjedhje totalisht sipas standardeve ndërkombëtare. Periudha e miratimit dhe e zbatimit të reformës zgjedhore, sipas ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë do të monitorohet në mënyrë të rreptë nga të dërguarit e Brukselit në Tiranë. Duke shpjeguar konditat e ndihmës së Brukselit, kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian deklaroi se "do të vazhdojë bashkëpunimi, me kusht që të vazhdojë të implementohet Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit. Po ashtu Shqipëria duhet të sigurojë standarde ndërkombëtare për zgjedhje dhe të fuqizojë më tej shtetin e së drejtës. Fuqizimi i mjedisit të biznesit dhe konkurrencës së ekonomisë do të jetë i rëndësishëm. Këto pika shihen në aspektin e së ardhmes. Në këtë dokument tregohet edhe vlerësimi i Komisionit Evropian për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria dhe se ku ka arritur ky vend deri më tani". Ambasadori Lohan, si diplomat i rafinuar, përdori edhe "përkëdheljen" ndaj zyrtarëve shqiptarë, duke vënë në dukje edhe arritjet pozitive.
"Komisioni Evropian vazhdon të shohë që Shqipëria po vazhdon ecurinë për sa i takon reformave. Po kështu Shqipëria po vë në zbatim, ashtu siç duhet, marrëveshjen e ndërmjetme dhe MSA-në". Ndërkaq, duke u kthyer te pika më nevralgjike e kërkesës së ndërkombëtareve, te "nyja gordiane" që mbetet kusht i përbashkët si për NATO-n, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, Lohan deklaroi se "liderët politikë në Shqipëri kanë thënë fjalën e tyre se do të punojnë me njëri-tjetrin për reformat kyçe, p.sh. reformën zgjedhore, fuqizimin e shtetit ligjor, reformën gjyqësore", por shtoi se duhet thelluar lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar". Sipas kreut të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, këto elemente janë kyçe për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë. Ndërkaq, duke u ndalur në polemikat ndërmjet partive të mëdha dhe atyre të vogla për reformën zgjedhore, ambasadori Lohan nuk mbajti anën e askujt, por kërkoi nga të gjitha palët që të mbyllin shpejt dhe me standarde paketën zgjedhore. "Ajo që shoh unë është një dëshirë e mirë për sa i përket reformës zgjedhore dhe gjyqësore. Një shpirt bashkëpunimi që është tepër konstruktiv. Liderët po komunikojnë me njëri-tjetrin. Jam i sigurt që ky dialog do të çojë në një marrëveshje në lidhje me zgjedhjet e 2009-ës. Duhet të arrihet një marrëveshje shumë para zgjedhjeve. Nuk është në dorën tonë që të propozojmë një sistem të caktuar. Ka një sërë sistemesh që janë po aq demokratike, prandaj është në dorë të vendit që të zgjedhë sistemin", deklaroi diplomati gjerman, i cili prej dy vjetësh drejton përfaqësinë e Brukselit në kryeqytetin shqiptar.