"Të vegjlit", e keqe apo e domosdoshme?
Përgatitja e një ligji të ri për zgjedhjet ka krijuar pështjellime të forta në politikën shqiptare. Pavarësisht komenteve, këto janë zhvillimet më të rëndësishme që nga koha e lejimit të pluralizmit politik. Me pak fjalë, ligji i ri që pretendohet nga dy partitë e mëdha, PD e PS, rrezikon të lërë jashtë Parlamentit edhe disa parti të tjera të vogla, që sot u bashkohen koalicioneve qeverisëse, majtas e djathtas. Për këtë arsye, këto grupime politike, që në zhargonin e përditshëm quhen "të vegjlit", janë rebeluar dhe po kërkojnë forma për të bllokuar miratimin e këtij ligji. Duke lënë mënjanë interesat e vetë partive, pyetjet që shtrohen në këtë moment janë: Fiton apo humb demokracia me këto ndryshime? Fiton apo humbet cilësia e qeverisjes, pa aleatët e vegjël politikë? Nga shtjellimi i këtyre dy pyetjeve mendojmë se mund të arrihet edhe në konkluzione nëse duhen mbështetur "të vegjlit" në rebelimin e tyre, apo duhen yshtur "të mëdhenjtë" në këtë shkelmim politik.
Reduktimi i ngjyrave të spektrit politik në Kuvend, padyshim që është një zhvillim negativ për demokracinë. Pas kësaj do të kemi dy parti, PS e PD, që do të dominojnë jetën politike, të cilat do të bëjnë edhe rrotacionin e pushtetit mes tyre. Kjo, pa diskutim që do ta rrudhte demokracinë, pasi politikanët me shumë pushtet janë më të lirë të abuzojnë dhe të prirur të ndërrohen në diktatorë, qoftë edhe të përkohshëm. Ne e pamë se si u deformua shteti dhe qeverisja në vitet 1992-1997, kur PD posedonte pushtet të plotë. Nuk mund të dalë askush garant e të thotë se ajo nuk do të sillet më kështu, nëse do ta ketë sërish pushtetin pa limit. Po kështu mund të sillet edhe Partia Socialiste po ta ketë pushtetin tërësisht të sajin dhe ky është një rrezik që duhet konsideruar.
Për t‘iu përgjigjur pyetjes së dytë, na duhet t‘i referohemi qeverisjes aktuale, pra koalicionit të Partisë Demokratike me pesë partitë aleate, PR, PDK, PAA, PLL dhe PDR. Nëse një nga këta aleatë largohet, qeveria bie pasi nuk ka votat e mjaftueshme të kalojë votëbesimin në Kuvend. Teorikisht qeverisja e një grupimi politik është më efektive se ajo e një partie të vetme, e cila ka më shumë shanse të abuzojë me pushtetin. Por çfarë po ndodh sot me qeverinë e koalicionit të gjashtë partive, sa rezultative është ajo, si dhe përse po e përdorin parcelën e tyre të pushtetit partitë e vogla? Normalisht, një parti aleate ka programin e saj qeverisës dhe, në moment kur vëren se ai cenohet, atëherë ajo tërhiqet nga qeverisja në shenjë proteste. Gjithashtu, logjika ta do që këto parti, kartën e "domosdoshmërisë" duhet ta përdorin si formë presioni ndaj PD-së për të përmirësuar cilësinë e qeverisjes. Më konkretisht, Partia Agrare Ambientaliste, një parti me orientimin kryesor mbrojtjen e mjedisit, duhet të revoltohej kur qeveria ku ajo bën pjesë dha lejen për hapjen e një tjetër fabrike çimentoje në Krujë, një zonë që varroset përfundimisht nga ana ekologjike. Të njëjtin reagim ajo mund ta bënte edhe, ta zëmë, për parkun energjetik në Vlorë. Qeveria do të rrezikohej me largimin e një aleati, qoftë edhe me dy deputetë si PAA. Por duke e ditur këtë, drejtuesit e këtyre partive nuk e përdorin kërcënimin për të mbrojtur programin e tyre, apo për të përmirësuar qeverisjen, por për të zgjeruar pushtetin e tyre e për të përfituar prej tij. Aktualisht, partitë aleate, duke ditur se shërbejnë si paterica, pa të cilët qeveria e Berishës do të binte, nuk lënë gjë pa bërë në parcelën e tyre të pushtetit, pasi e dinë se Berisha do t‘i mbajë në kabinet. Po ashtu si PAA, edhe PDK dhe PDR, i kanë shndërruar ministritë që drejtojnë në qeveri më vete ku ata janë kryeministra. As dhe një herë të vetme këto parti nuk kanë kërcënuar se do të dalin nga koalicioni, sepse nuk shikojnë të mishëruar programin e tyre në qeverisje. Ata nuk kanë kërcënuar se do të lënë koalicionin pasi nuk janë dakord me politikën e qeverisë apo financimet për sektorët që kanë marrë në drejtim. Përkundrazi, ata e kanë përdorur dhe po e përdorin domosdoshmërinë e tyre në qeveri për të gllabëruar më shumë pushtet. Më shumë zëvendësministra, më shumë drejtorë, prefektë, drejtues ndërmarrjesh e deri te drejtorët e shkollave nëntëvjeçare. Dhe në këto poste ata kanë vendosur njerëz me të vetmin kriter: Të jenë anëtarë të partive të tyre, nuk ka rëndësi fare se çfarë CV-je kanë dhe sa të aftë janë. Aleatët po u punojnë qindin institucioneve që drejtojnë, sepse e dinë që Berisha nuk i largon dot nga qeveria. Berisha e largoi apo pranoi pa asnjë problem largimin e Ilir Rusmalit nga Ministria e Drejtësisë, Arenca Trashanit nga Integrimi, apo Besnik Mustafajit nga diplomacia, por ai nuk mund të bëjë dot të njëjtën gjë me Genc Pollon, Nard Ndokën apo Fatmir Mediun, edhe sikur flakën t‘u vënë institucioneve që kanë në drejtim. Madje, sa herë flitet për ndryshime në qeveri, ata dalin me pretendime për më shumë pushtet. Kështu janë sjellë dhe e kanë shpërdoruar bashkëqeverisjen edhe aleatët e vegjël të socialistëve. Edhe pse parti me nga 2 apo 3 deputetë, ata shfaqën orekse për të marrë 3 ose 4 ministri, e kështu me radhë në të gjitha nivelet e pushtetit. Referuar këtij realiteti, partitë e vogla e kanë dëmtuar qeverisjen. Dikasteret që marrin nga ndarja e pushteteve ato i kanë përdorur si streha për anëtarët e tyre dhe si mjete për ekspansion politik në gjirin e administratës. Pikërisht kjo sjellje prej grykësi të pangopur dhe abuzimi që të vegjlit kanë bërë e bëjnë me pushtetin e dhuruar nga të mëdhenjtë, kanë nxitur dy partitë e mëdha të gjejnë një zgjidhje që të mos i kenë më nëpër këmbë.
Teorikisht, eliminimi i partive të vogla nga Parlamenti dhe qeverisja, do ta dëmtonte demokracinë. Por praktikisht ato meritojnë të mos jenë pjesë e qeverisjeve, sepse kanë dhënë prova se nuk i kanë shërbyer mirëqeverisjes, por vetëm kanë përfituar prej saj një pushtet që nuk e kanë merituar në bazë të votave që kanë marrë. Ato nuk kanë shërbyer asnjëherë si qeliza të shëndosha, të gatshme të reagojnë kur qeveria ku bëjnë pjesë sëmuret, përkundrazi, kanë shërbyer si vatra infeksioni. Nëse do të na duhej të zgjidhnim mes dëmit teorik që i bëhet demokracisë dhe dëmit praktik që i bëhet qeverisjes, mendojmë se duhet të pranojmë dëmin që do të pësojë teorikisht demokracia. Duhet të pranojmë pra një ligj që lë jashtë disa partiza, që fusin në Kuvend 1 apo 2 deputetë me nga 200 vota të marra borxh nga partitë e mëdha përmes mekanizimit të zonave të lira dhe bëjnë gjëmën me to, duke u shndërruar në faktorë politikë. Mendojmë që kjo nuk do të jetë shumë tragjike, pasi ka parti si LSI apo PR që janë tashmë pa diskutim formacione shumë serioze dhe ato do të vazhdojnë të jenë pjesë e Kuvendit. E rëndësishme është që në Kuvend të futen vetëm ato parti dhe deputetë që marrin bekimin e elektoratit dhe nuk janë produkte marrëveshjesh në tavolina.