Fajtor deri sa të "paguash" të kundërtën
Pak më larg se një vit më parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për propozimin e një projektligji (dy muaj më vonë i përkthyer në ligj prej Parlamentit), duke modifikuar ligjin nr. 8560, datë 22.12.1999, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë". Midis të tjerash, ky vendim modifikoi nenin 43 të ligjit për procedurat tatimore, duke i ngarkuar tatimpaguesit detyrimin e parapagimit të detyrimit tatimor, në rastet e apelimit administrativ dhe të detyrimit tatimor së bashku me gjobat dhe interesat përkatëse, në rastet e ankimit në rrugë gjyqësore. Pas një beteje të gjatë politiko-ligjore, mazhoranca ra dakord që ta modifikonte minimalisht ligjin e ashtuquajtur "të gjobave" duke ulur vlerën e gjobës që bizneset duhet të parapaguanin në 15% të vleftës nominale, ndërsa parapagimi i detyrimit tatimor u la i paprekur. I pakënaqur (e sigurisht i pakonsultuar për ndryshimet) komuniteti i biznesit apeloi pranë ish-presidentit Moisiu, i cili ndërsa nuk e dekretoi ligjin, gjithashtu e konsideroi si antikushtetues.
Afërmendsh, mazhoranca parlamentare nuk e mori në konsideratë mendimin e ish-presidentit dhe ligji u riaprovua në Kuvend. Ndërkaq, javën e fundit, Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e ligjit në fjalë, pas kërkesës së komunitetit të biznesit, që pretendon se zbatimi i ligjit do të ketë pasoja shumë negative për sipërmarrjen vendase. Komuniteti i biznesit kërkon që neni 43 i ligjit, që parashikon pagimin e 15% të gjobës përpara se biznesi të ketë mundësi të apelojë vendimin e administratës.
Pa dashur të paragjykoj përqasjen e ndërmarrë prej përfaqësuesve ligjorë të komunitetit të biznesit, do të doja të prezantoja disa konsiderata shtesë në lidhje me debatin në fjalë. Me shumë të drejtë është vënë në dukje në një artikull në lidhje me këtë çështje, botuar vitin e kaluar, fakti se mekanizmi i parapagimit të detyrimit aplikohet, përveçse në legjislacionin tatimor, ashtu edhe në atë të doganave, dhe aplikimi në këtë të fundit nuk është sfiduar ndonjëherë dhe është pranuar si i mirëqenë. Kodi Doganor (neni 289) specifikon obligimin për parapagim përpara ankimit ndaj vendimit administrativ që passjell detyrimin doganor apo gjobën eventuale. Më konkretisht, marrëdhëniet detyrimore mes palës Shtet dhe palës Individ/Biznes rregullohen kur palët (në këtë rast individi) fillimisht duhet të përmbushin detyrimin, dhe në varësi të kësaj përmbushjeje të kërkojnë ekzekutimin e detyrimit nga pala tjetër. Në vetvete instituti i parapagimit të detyrimit (në Latinisht, solve et repete) nuk është shqetësues. Por, aplikimi i tij në lidhje me detyrimet doganore apo tatimore, sidomos duke marrë parasysh premisën se qeveria proklamon politika që të jenë të favorshme për biznesin, është sigurisht me impakt negativ. Kuptueshëm, sa kohë që barra financiare i bie bizneseve, zbatimi i këtij ligji synon të jetë një mjet efektiv në mënyrë që shteti të mbledhë sa më tepër detyrime financiare, në sa më pak kohë, me sa më pak mund, që duket se është edhe arsyeja pse qeveria ka zgjedhur këtë opsion ligjor për të mbledhur detyrimet. Sipas argumentimit të bërë prej ish- presidentit Moisiu, problemi qëndron te fakti se ekzistenca e këtij mekanizmi bie ndesh me parimet e barazisë para ligjit, lirisë ekonomike dhe të së drejtës për ankim gjyqësor ndaj çdo kufizimi të lirive kushtetuese. Në marrëdhënien që krijohet midis shtetit dhe individit, parapagimi i detyrimeve dhe gjobave krijon një çekuilibër, dukshëm në dëm të individit, gjë e cila është e pajustifikueshme, qoftë edhe në emër të interesit publik.
Personalisht, mendoj se në diskutimin e çështjes në fjalë as nuk është e vlefshme që të marrim në konsideratë faktin se dispozitat ligjore për parapagimin i lënë haptazi dorë të lirë punonjësve të administratës tatimore që të mund të abuzojnë me zbatimin e ligjit, sa kohë që kanë mundësinë faktike të shantazhojnë bizneset me kërcënime për detyrime hipotetike të papaguara apo eventualitetin e gjobave marramendëse. Edhe nëse incidenca e rasteve të abuzimit do të ishte jashtëzakonisht shumë e vogël, gjithsesi do të kishim abuzim, ndërsa bashkë me të do të kishim dhe pamundësi efektive që individi/biznesi ta evitonte praktikën abuzive. Ndërsa ligji garanton kthimin e detyrimit të vendosur gabimisht apo abuzivisht, ky garantim post factum i shërben shumë pak bizneseve që ndërkaq mund të kenë falimentuar.
E parë nga një prospektivë kushtetuese, mekanizmi i përzgjedhur nga legjislatori, për të siguruar mbledhjen e detyrimeve fiskale, nuk duket në përputhje me dispozitat dhe frymën e kartës themelore të shtetit shqiptar. Neni 18 i Kushtetutës garanton barazinë e të gjithëve përpara ligjit, ndërkaq, sipas dispozitave të ligjit në fjalë, individit (apo biznesi) që ka mundësi të paguajë detyrimin ashtu si edhe gjobën, i jepet mundësia të ankimojë në rrugë administrative ose gjyqësore, ndërsa një tjetër individ (apo biznes) që nuk ka kapacitet të mjaftueshëm financiar (dhe specifikisht cash për të kryer pagesën e detyrimit/gjobës) i mohohet mundësia për të ankimuar administrativisht dhe/ose në rrugë gjyqësore. Duke e konsideruar qoftë edhe minimalisht të mundshëm një abuzim nga ana e administratës tatimore, Kushtetuta detyrimisht ngarkon shtetin që t‘i krijojë individit akses indiskriminativ te struktura që kontrollojnë ligjshmërinë e vendimit administrativ që cakton detyrimin dhe/apo gjobën. Rrjedhimisht, ligji i miratuar nga Parlamenti kundërshton haptazi Kushtetutën (më saktë nenin 42 të saj), pasi ose vështirëson ose tërësisht pengon të drejtën e individit për t‘u ankuar pranë organeve gjyqësore. Nga ana praktike duhet të marrim parasysh faktin që një individ a një biznes mund të ketë mjaftueshëm asete të luajtshme a të paluajtshme, por sa kohë që këto nuk mund të konvertohen në cash të nevojshëm për të paguar detyrimin/gjobën, atëherë ankimimi përpara gjykatës ngelet i pamundur. Për shkak të argumentit të mësipërm, alternativa e aplikimit të garancisë bankare do të ishte tepër e zbatueshme. Individët/bizneset që nuk kanë mjaftueshëm gjendje cash apo likuiditete lehtësisht të kthyeshme në cash, mund të lejohen t‘i drejtohen një banke që shërben si garant, ndërsa individët/bizneset vazhdojnë me ankimimin në rrugë administrative ose gjyqësore. Përmes përfshirjes së sistemit bankar në proces, shteti garanton pagesën eventuale të detyrimit/gjobës, ndërsa i jep individëve/bizneseve një mundësi efektive për të apeluar vendimin e administratës tatimore, pa cenuar integritetin e tyre financiar. Kjo praktikë ndiqet rëndom nëpër demokracitë perëndimore me ekonomi të avancuar, ndërsa duhet përmendur dhe fakti se për shkak të interesit të drejtpërdrejtë, sistemi bankar është më se i gatshëm të përfshihet në proces.
Një tjetër aspekt, edhe më i rëndësishëm sa i përket kauzës që komuniteti i biznesit është duke ngritur përpara Gjykatës Kushtetuese, është ndryshimi në natyrën juridike të detyrimit tatimor nga gjoba (dhe interesi) mbi detyrimin e papaguar. Ndërsa detyrimi tatimor që individi ka ndaj shtetit nuk ka karakter ndëshkues dhe korrektiv (pasi qytetarët paguajnë tatime/taksa në bazë të kontratës sociale që kanë me shtetin, i cili respektivisht i përkthen ato në shërbime, institucione, garanci, etj.), gjoba përse ka një karakter ndëshkues dhe korrektiv, sa kohë që jepet si rrjedhojë e dështimit (gjithmonë të supozuar) të individit për të zbatuar një detyrim ligjor siç është pagesa e tatimit. Rrjedhimisht, mund të pranojmë për efekt të argumentit se shteti ipso facto zotëron të drejtën për t‘i kërkuar individit/biznesit që ta parapaguajë detyrimin financiar tatimor (për të garantuar që ky detyrim të mblidhet), por nuk mund të detyrojë edhe pagesën paraprake të gjobës (që siç e thamë më lart është specifikisht ndëshkuese), pa lejuar të paktën një mundësi efektive ankimi. Duke përfunduar, ndërsa nga pikëpamja juridike çështja e mësipërme mund të hajë shumë debat pa arritur në një zgjidhje optimale (që shpresojmë se do të jepet nga Gjykata Kushtetuese), qeveria duhet të marrë në konsideratë edhe zbatueshmërinë, efektshmërinë dhe pranueshmërinë e legjislacionit fiskal që synon të aplikojë, veçanërisht në kuadër të premtimeve për të garantuar një ambient pozitiv për biznesin. Nëse komuniteti i biznesit (përkrahur prej një pjese dërrmuese të komunitetit juridik) është kundër ligjit në fjalë, qeveria duhet të japë edhe një shpjegim politik se përse ngul këmbë për të zbatuar një ligj që jo vetëm ka marrë një përkrahje minimale në Kuvend, por dukshëm nuk gëzon përkrahjen e shtresës sociale që do të impaktësojë drejtpërsëdrejti.