E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Të lehtësohet klima e biznesit

Gjatë hapjes së takimit të 30-të të Komisionit të Çështjeve Ekonomike, Tregtare, Teknologjike dhe Mjedisore të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Detit të Zi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shprehur se Parlamenti shqiptar ka punuar në përmirësimin e legjislacionit për krijimin e një klime të përshtatshme për rritjen e investimeve të huaja. Sipas saj, rritja ekonomike dhe ajo e investimeve të huaja janë shtrirë në disa fusha të rëndësishme si: infrastruktura, energjetika, minierat, nafta, gazi, turizmi etj. Vlera e këtyre investimeve shkon në afro 2 miliardë euro. Ajo veçoi investimet në fushën energjetike, ku po përgatiten investime të mëdha si në hidrocentrale, ashtu edhe në disa parqe energjetike e burime të tjera alternative të energjisë, që kapin vlerën e disa miliardë eurove. Në këtë kuadër, Topalli tha se "Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje të ndryshme për mbrojtjen e promovimin e tyre, si dhe shmangien nga taksimi i dyfishtë me shumë vende të rajonit e botës si: Turqi, Bullgari, Rusi, Rumani, Ukrainë, SHBA etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›