E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të zbardhim financat e fshehura të partive

Kryeministri Berisha premton se qeveria po punon për të rregulluar transparencën e financave të partive politike. Premtimin e radhës Kryeministri e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar dje me përfaqësues të "Transparency International". Berisha nënvizoi se po punohet për të rregulluar transparencën e financave të partive politike. Pak ditë më parë, Presidenti Topi ka kërkuar që të ndërhyhet në ligj për të siguruar transparencën e partive gjatë kohës së fushatave elektorale. Vetëm një vit na ndan nga zgjedhjet e 2009-ës dhe ende nuk ka një tentativë reale nga ana e partive politike për të bërë transparencë me financimet e tyre. Berisha ka pritur dje përfaqësues të organizatës ndërkombëtare, "Transparency International", të cilët shoqëroheshin nga përfaqësuesit e kësaj organizate në Shqipëri. Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme të politikave dhe arritjeve antikorrupsion të qeverisë. Kryeministri Berisha i njohu përfaqësuesit e "Transparency International" me reformat dhe arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare, duke veçuar çlirimin e administratës publike nga konflikti i interesit, rritjen e efektivitetit në menaxhimin e financave publike, reformat për vendosjen e qeverisjes elektronike, shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, si prokurimet dhe taksat online, certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore, regjistrimin e biznesit dhe transparencës qeveritare. "Standardet e reja që vendosi qeveria qysh në ditët e para të saj për shpenzimet operative, sollën si pasojë një ulje të tyre në masën 51%", tha Kryeministri, duke nënvizuar se kufizimi i shpenzimeve operative është reduktuar nga 3% në 2.1% të GDP-së. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se reforma në sektorin e prokurimeve publike, veçanërisht vendosja e dokumentacioneve të tenderave në internet, ka sjellë një ulje 20-30% të shpenzimeve për prokurimet, të ardhura të cilat janë përdorur si ndihmë për ata që kanë pensione të ulëta.

"Transparenca në prokurimet publike ka reduktuar me 1/3 ankimimet për prokurimet", u shpreh Kryeministri, duke e vënë theksin në synimin e qeverisë që prokurimi elektronik të jetë praktikë e të gjitha prokurimeve në Shqipëri. Kryeministri veçoi gjithashtu si një hap të rëndësishëm në drejtim të transparencës ngritjen e institucionit të Avokatit të Prokurimeve Publike, i cili është garant për konkurrentët në tendera. Berisha theksoi se Kontrolli i Brendshëm administrativ ka rezultuar efikas veçanërisht nga kontributi i denoncimeve dhe ankesave që vijnë nga qytetarët. Kryeministri nënvizoi se në muajt e fundit po punohet mjaft mirë me prokurorinë dhe nga bashkëpunimi i prokurorisë me Drejtorinë e Krimit Ekonomik në Ministrinë e Brendshme është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të niveleve të larta. "Aktualisht në vend ekziston një klimë më e mirë politike, e cila bën të mundur realizimin e reformës në drejtësi, duke shtuar se në një vend ku flitet për korrupsion dhe nuk dënohet askush, humbet serioziteti", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›