E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja, "Plan Marshall" për Ballkanin

Bashkimi Evropian "hap thesin" për Shqipërinë. Komisioni Evropian, në mbledhjen e tij në Bruksel, mori dje vendim që të miratojë një paketë të gjerë mbështetjeje edhe financiare për vendin tonë. Por Shqipëria nuk e ka marrë këtë "dhuratë", sepse "është sjellë mirë", por ka përfituar nga "përkëdhelja" që Brukseli po i bën Ballkanit pas pavarësisë së Kosovës, si dhe "nazeve" të Beogradit. Brukseli ka nisur atë që po cilësohet si "Pani Marshall" për Evropën Juglindore. Komisioni Evropian miratoi dje disa nisma të reja dhe vendosi që të çojë më tej ato ekzistuese në mbështetje të zhvillimeve politike dhe ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar në përshpejtimin e përparimit të tyre në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. "Masat e sotme provojnë angazhimin e fortë të Bashkimit Evropian lidhur perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Brenda Bashkimit Evropian ekziston një vullnet i patundur për të mbështetur popujt e Ballkanit Perëndimor, që të përqafojnë vlerat dhe standardet e jetesës evropiane. Sidoqoftë, janë udhëheqësit dhe popujt e rajonit ata që do të përcaktojnë nëse vendi i tyre, nëpërmjet reformave, do të ecë me vendosmëri drejt një të ardhmeje evropiane, e karakterizuar nga stabiliteti dhe prosperiteti në rritje", - tha Olli Rehn, komisioneri për Zgjerimin. Ndihma e vazhdueshme financiare e Bashkimit Evropian mbështet procesin e reformave dhe zhvillimin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Instrumentit të Ndihmës së Paraanëtarësimit (IPA). Buxheti vjetor mesatar për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Programit IPA për periudhën 2007-2011, është afërsisht 800 milionë euro. Kjo është pa diskutim shuma më e lartë për numër popullsie që Komisioni Evropian i ka dhënë ndonjë rajoni në botë deri më tani. Një bashkërendim më i madh ndërmjet Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe donatorëve dypalësh është thelbësor për të rritur sa më shumë impaktin në zhvillimin ekonomik dhe social të granteve dhe kredive që u jepen vendeve Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, duke prezantuar paketën e re të Komisionit Evropian në ndihmë të Ballkanit, kreu i Delegacionit në Tiranë, Helmut Lohan, theksoi se KE-ja do të krijojë një nismë të re, që do të ketë të bëjë me shoqërinë civile. Kjo nismë do të japë mbështetje të veçantë për shoqërinë civile në vend. Po kështu do të krijojë një program vizitorësh, çka do të mundësojë kalimin nga Perëndimi te vendet e rajonit. Do të krijohen rrjete kontaktesh të shoqërisë civile, si në rajon ashtu edhe në BE. Lohan theksoi më tej se Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një traktati për transportin në Ballkanin Perëndimor, ku do të përfshihen të gjitha mënyrat e transportit, rrugë, det, ajër. Gjithashtu do të ketë një nismë për ecurinë e infrastrukturës. Ajo përfaqëson një trajnim, por edhe mbështetje në mënyrën sesi vendet e Ballkanit duhet të përfitojnë ndihmat ekonomike dhe financiare nga Bashkimi Evropian. Komisioni po ashtu ka propozuar një nismë të re që është ajo e uljes së rreziqeve, që ka të bëjë me fatkeqësitë natyrore. Kjo nismë ka të bëjë me ndihmesën që do të jepet për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Në paketën e miratuar dje nga ekzekutivi i Evropës së Bashkuar, është vendosur rritja në numër e bursave që do t‘u jepen studentëve të Ballkanit Perëndimor. Pa kështu, është vendosur ngritja e shkollës së administratës publike, e cila ka funksionuar në mënyrë virtuale deri tani, por që do të kthehet në një shkollë të vërtetë dhe qendra do të jetë në Mal të Zi.

Shuma

Buxheti vjetor mesatar për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Programit IPA për periudhën 2007-2011, është afërsisht 800 milionë euro. Kjo është pa diskutim shuma më e lartë për numër popullsie që Komisioni Evropian i ka dhënë ndonjë rajoni në botë deri më tani

Donatorët

Një bashkërendim më i madh ndërmjet Komisionit Evropian, Institucioneve Financiare Ndërkombëtare dhe donatorëve dypalësh është thelbësor për të rritur sa më shumë impaktin në zhvillimin ekonomik dhe social të granteve dhe kredive që u jepen vendeve Ballkanit Perëndimor

Projektligji

Thelbi i programit të ndihmës

Më shumë programe të Bashkimit Evropian dhe agjencive të tij do të hapen për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke krijuar mundësi për kontakte dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve shkencore dhe arsimore. Komisioni Evropian do të vijojë mbështetjen e tij për një bashkëpunim më intensiv në fushat e shkencës dhe kërkimit, arsimit, kulturës, rinisë, politikave të punësimit dhe çështjeve sociale, mbrojtjes së mjedisit, si edhe në fushat e drejtësisë, lirive dhe sigurisë. Një bashkëpunim i mëtejshëm rajonal është thelbësor për zhvillimin social, ekonomik dhe politik të Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe forume të tjera bashkëpunimi, siç janë Marrëveshja e re për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore, Traktati i Komunitetit për Energjinë dhe Marrëveshja për Zonën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit. Komisioni Evropian gjithashtu do të propozojë që të negociohet për një Traktat të Komunitetit për Transportin në Ballkanin Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›