"Sfidat para shtetit të Kosovës"
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, rrëfen në një intervistë për "Kohën Ditore" si e sheh rajonin pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet shteti i ri, dhe cila, sipas tij, është e ardhmja e dy shteteve shqiptare në rajon…
Pandeli Majko si kryeministër i Shqipërisë gjatë kohës së luftës në Kosovës, dhe sot si një figurë e pjekur e politikës shqiptare. Si është Kosova tek ju mes kujtimeve të asaj periudhe dhe sot kur ka më shumë se një javë që është e pavarur?
I shoh thjesht si një vazhdimësi që unë e kam jetuar sipas mënyrës sime, por sigurisht dhe të tjerët i kanë jetuar në mënyrat e tyre. Nëse dikush do të më thoshte në vitin 1999 se gjërat do të ecnin në këtë mënyrë, sigurisht që unë do të kisha dyshimet e mia. Por pavarësisht nga kjo që sapo thashë, mendoj se preludi i gjithë kësaj me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, mbyll një fazë caktuar të asaj çfarë quhet historia e re e Kosovës, dhe pa dyshim sfida që vjen nga pas është tepër e veçantë. Ne që na lidh me Kosovën jo vetëm afeksioni, por edhe lidhje të tjera të cilat unë i konsideroj të natyrshme, sigurisht jemi duke ndjekur situatën që po zhvillohet, në Kosovë, dhe pas atij gëzimi të veçantë që jetuam me shpalljen e pavarësisë, jemi duke ndjekur jo pa shqetësim hapat e para që shteti i pavarur i Kosovës po bën. Kështu që është pak e vështirë të flas për ndjenjat e asaj çfarë ka kaluar nga viti 1999 deri në ditët e sotme, pasi historia që po prodhon tashmë Kosova është aq e ngjeshur, sa ndonjëherë nuk e ke shumë llogarinë e asaj që ka kaluar, por do të mendosh për atë që është duke ardhur.
Cilat sipas jush do të jenë sfidat e shtetit të ri të Ballkanit, në planin afatshkurtër dhe në atë afatgjatë?
Nganjëherë, dhe kjo që po mendoj se është normale dhe jo teorike, shpallja e pavarësisë dhe ndërtimi i shtetit janë dy procese të veçanta. Nuk mund të thuhet se me shpalljen e pavarësisë Kosova automatikisht ka dhe shtetin, pasi do të jetë një proces, i cili do të kërkojë kohën dhe rrugëtimin e vetë në një logjikë normale. Mendoj që kjo ndoshta do të jetë sfida më e rëndësishme, duke pasur parasysh faktin se tashmë Kosova do të ketë të bëjë me fqinjë, të cilët jo të gjithë kanë sytë e Shqipërisë për të parë atë çfarë po ndodh brenda Kosovës. Pavarësia e Kosovës sigurisht që rindërtoi ose riorganizoi balancat rajonale. Në një pjesë të këtyre balancave, nuk mund të thuhet se në shumë palë ndihet një lloj optimizmi. Nga ana tjetër e sfidës që unë e shoh me goxha shqetësim është krijimi i një modeli deri diku bjellorus në shtetin serb, duke pasur parasysh dhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Beograd pas shpalljes së pavarësisë. Duket që krahu radikal ka marrë një revansh goxha të madh, karshi fraksionit proevropian. Dhe kjo nuk mund të anashkalohet thjesht vetëm si një histori që po zhvillohet brenda Serbisë, pasi radikalët në një mënyrë apo tjetër do të përpiqen që influencën e tyre brenda Beogradit ta ndërtojnë apo ta lidhin me radikalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Sigurisht nuk besoj se kjo që po ndodh aktualisht, në marrëdhëniet midis shtetit serb dhe shtetit të ri të Kosovës nuk ishte e pritshme për analistët, apo qoftë edhe për shtetarët e Kosovës. Gjithsesi mendoj se kjo do të jetë një situatë e cila do të mbetet si një sfidë në vazhdim.
Ka shumë dyshime nga analistët lidhur me faktin nëse disponon Kosova kapacitetet e duhura, jo vetëm në politikë, por dhe në ekonomi, arsim, shkencë për ndërtimin e
shtetit të ri?
Unë i kam dëgjuar këto dyshime, por mendoj se ndonjëherë dyshimet vijnë nga njerëz që nuk kanë besim as tek vetja e tyre dhe që u duket vetja se bëhen interesantë, duke shfaqur dyshime të natyrave të tilla. Mendoj se procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës tregoi çfarë entuziazmi ekziston brenda popullsisë së Kosovës për të ardhmen e vet. Dhe ky është një moment që nuk mund të shmanget në logjikën e analizës. Në radhë të parë, për të formësuar ecjen normale të ndërtimit të shtetit pa këtë entuziazëm që ekziston në shtresat e popullsisë së Kosovës gjërat do të ishin më të rënda. Nga ana tjetër, mendoj se aktualisht kemi një drejtim shtetëror, i cili po e shfaq veten të maturuar. Bile do të thosha i maturuar në një kapacitet më të lartë se disa vende të tjera të rajonit që diskutojnë integrimin në NATO apo në BE. Mendoj se qeveria e zotit Thaçi po tregon maksimalisht disa cilësi të cilat mund edhe të viheshin me a pa të drejtë në dyshim në fillim të kësaj qeverisjeje. Mendoj se Hashim Thaçi është duke krijuar disa hapa të rëndësishëm për ndërtimin e një stabiliteti në radhë të parë psikologjik brenda shoqërisë kosovare në këtë fazë delikate. Më shumë sesa për dyshime lidhur me të ardhmen e Kosovës, aktualisht Kosova ka nevojë për përkrahje. Sidomos për përkrahjen e atyre njerëzve që në një mënyrë apo një tjetër kanë mbi shpatulla përgjegjësinë e kësaj kohe që po jetojmë.
Si i parashikoni zhvillimet ndërkombëtare në raport me Kosovën? Çfarë mendoni se do të sjellë pavarësia e Kosovës në rajon?
Nuk mendoj se do të jetë një histori shumë e komplikuar. Në çdo rast askush nuk mund ta verë në dyshim faktin që Shqipëria dhe Kosova do të jenë dy enë komunikuese, në sensin e ndërtimit të disa hapave të përbashkët, që në një mënyrë ose një tjetër do të
shfaqen qoftë në marrëdhëniet e veçanta të bashkëpunimit, ekonomik apo politik. Përsëri e shoh me një lloj shqetësimi një tendencë në rritje për një lloj influence negativiste që vjen nga ana e Serbisë, dhe ndërtimin e një politike pothuajse në kufijtë e asaj që mund të konsiderohet edhe terroriste nëse mund të flasim kështu. Sigurisht që ka një lloj kamuflimi nga ana e politikës serbe, nuk bëhet fjalë për bërje të një politike agresive në fushën e diplomacisë, por bëhet fjalë për bërje të një politike agresive në fushën e sabotimit. Të paktën, perceptimi që po krijon një pjesë e asaj që quhet "veprim
serb në Kosovë" mua më duket se mund të etiketohet haptas dhe qartas lidhur me atë çfarë ka të bëjë me destabilitetin e rajonit. Mendoj se është për t‘u kujtuar shembulli i
disa politikanëve të rëndësishëm që e filluan goxha entuziazëm, historinë e destabilitetit në Ballkan dhe e përfunduan në birucat e Hagës. Kjo është një çështje që në një mënyrë apo një tjetër duhet vënë në evidencë. Ana tjetër e atij që unë e konsideroj shqetësim ose sfidë është mënyra sesi do të kristalizohet e ardhmja e shtetit të Kosovës. E ndiej që ka një tendencë nga faktori ndërkombëtar për të ta orientuar drejt një fryme sa më globaliste në atë që po konsiderohet si e ardhmja e Kosovës. Por, kjo sigurisht ka edhe një shqetësim. Shqetësim që tek popullsia shqiptare te brezi i ri të mos krijohet perceptimi që po krijohet një shtet shqiptaro-serb në Kosovë. Në fund të fundit ne duhet t‘i themi gjërat me zë të lartë edhe kur ato janë shqetësime që ndonjëherë nuk diskutohet dhe publikisht. Tendenca për të qenë sa më globalist mund të ngrejë në një të ardhme të afërt kërkesën për identitet. Dhe këto së bashku mund të krijojnë probleme jo vetëm për shtetin, por edhe për shoqërinë kosovare. Paketa e presidentit Ahtisari, në një mënyrë ose një tjetër, ka krijuar disa balanca delikate në mënyrën sesi trajtohen minoritetet e veçanërisht ai serb. Mendoj se janë disa gjëra të cilat duhen parë edhe në këndvështrimin e mënyrës sesi po sillet shteti serb me shtetin e Kosovës. Duhet parë logjika e asaj që ka të bëjë me paketën e presidentit Ahtisari. Paketa Ahtisari është realizuar për të pasur një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit. Në kushtet kur kjo marrëveshje nuk ekziston, atëherë mund të lindë edhe në planin moral dhe atë juridik që kjo marrëveshje të rishikohet në disa detaje që kanë të bëjnë direkt me kushtet e sigurisë së Kosovës. Në kushtet kur duket se jo vetëm në planin afatshkurtër por edhe në atë afatmesëm do të kemi një Serbi që do të tentojë në vazhdim të destabilizojë Kosovën. Mund të shikohen disa raporte ose marrëdhënie që i japin minoritetit serb disa të drejta që nuk mund të konsiderohen të drejta por mund ta
kthejnë atë në një fenomen bllokues dhe destabilizues brenda gjirit të Kosovës. Këto janë elemente të cilat u takojnë në radhë të parë, analistëve, politikanëve dhe shtetarëve që po punojnë me mjaft profesionalizëm. Dua ta ritheksoj çështjen e menaxhimit shumë serioz që po bëhet qoftë nga qeveria apo parlamenti dhe presidenti i Kosovës. Arrij ta kuptoj që mund të ketë rezerva në segmente të caktuara të shoqërisë së Kosovës, por arrij të kuptoj edhe faktin e përkrahjes që duhet dhënë institucioneve të Kosovës në këtë moment kaq delikat. Është një moment kur edhe përballë ndërkombëtarëve do të shkëputet logjika e një mbikëqyrjeje. Nga momenti i UMNIK-ut deri dje, në momentin e EULEX në favor të sovranitetit më të madh të njerëzve që janë votuar nga qytetarët e Kosovës.
Si e parashikoni qëndrimin serbo-rus në raport me Kosovën në të ardhmen?
Serbët gjithnjë kanë qenë të rëndësishëm, s‘dua të them të rrezikshëm sa herë që politika e tyre ka qenë e balancuar apo e koordinuar me politikën ruse. Megjithatë, nuk mund të kalohet pa u vënë re një fenomen. Nëse deri në periudhën e Jugosllavisë
politika ruse deri diku, përdorej nga ana e Beogradit për të krijuar balancën e nevojshme edhe përfitimet nga ana e Perëndimit, tani e shohin një Beograd i cili rrezikon të kthehet në një majmun në kafaz për t‘u trajtuar si një shembull për të nxitur interesat e një politike ruse në disa vende të BE-së, gjë e cila në thelb do të trokasë në shtresat intelektuale apo sociale të shoqërisë serbe, dhe mendoj që në këtë drejtim mund të kemi zhvillime interesante. Gjithsesi mendoj se lobi radikal në Beograd është në kulmin e vet, por kjo nuk përbën ndonjë ngjarje të papritur. Do të ketë kulmin e vet, por nuk do të
ketë ndonjë konkluzion. Aktualisht edhe nga vetë perëndimorët po kuptohet se përkëdhelja e Serbisë nuk është një alternativë për paqen në rajon. Tani të gjithë e kuptojnë se historia e Serbisë nuk zhvillohet në Beograd por për fatin e keq të shumë serbëve ose për fatin e keq të krenarisë serbe, historia e Serbisë aktualisht po zhvillohet në Moskë.
Është folur shumë dhe në kohë negociatash për idenë e "Shqipërisë së madhe", një fjalë që është quajtur iluzion dhe është hedhur poshtë nga politika shqiptare. Në fakt ju, si e shihni tashmë të ardhmen e dy shteteve shqiptare në Ballkan?
Kjo është një pyetje që ka momentin e vet delikat. Jo se mund të kalohet thjesht se nuk mund të ekzistojë logjika e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën apo çështja e ekzistencës së dy shteteve shqiptare deri diku mund të krijojë një lloj absurdi për
të ardhmen. Unë mendoj se gjërat duhen marrë ashtu siç po vijnë. Ne në rajon tashmë kemi dy shtete me shqiptarë ku drejtojnë shqiptarët dhe do të drejtojnë shqiptarët dhe kjo më shumë se një diskutim për absurdin në realitet duhet të jetë një diskutim për fatin. Për fatin e mirë që do të kemi dy shtete shqiptare. Për fatin e mirë që do të kemi të garantuar në çdo rast stabilitetin e një pjese ku pjesa tjetër do të ketë nevojë për ndihmë për arsye nga më të çuditshmet që ndodhin në historinë ballkanike. Mendoj se disa prova janë dhënë në historinë e mëparshme por kjo tashmë do të vijë në një mënyrë shumë të konsoliduar. Ajo që është e rëndësishme të konsiderohet në këtë moment është fakti i krijimit të elitave politike dhe realisht historia aktuale sfidën kryesore e ka te krijimi i elitave ekonomike, elita të cilat duhet të jenë të zhveshur nga interesat e korrupsionit apo të krimit të organizuar, por që do të jetë shumë e rëndësishme për t‘i dhënë një status, qoftë Shqipërisë, qoftë Kosovës, një status dinjitoz në tavolinat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. Nga kundërshtarët e Kosovës sigurisht dhe nga kundërshtarët e vjetër të Shqipërisë do të ketë goxha përfolje lidhur me atë që po zhvillohet në Kosovë dhe në Shqipëri, histori të cilat që edhe unë personalisht kam mësuar t‘i shoh në raportet që vijnë vërdallë nëpër korridoret e kancelarisë. E them këtë se jo gjithçka që mund të diskutohet për shqiptarët mund të konsiderohet si fushë me lule. Ka goxha probleme dhe goxha sfida. Jo të gjitha kancelaritë perëndimore kanë qenë të përgatitura për mënyrën sesi po ndërtohet ekspansioni i shqiptarëve në rajon. Kështu që ja vlen se të përsëritet se veç e veç Kosova dhe Shqipëria kanë për të qenë të dobët. Bashkë gjithnjë kanë për të
qenë të fortë në sytë e të tjerëve. Duke bërë llogarinë se të veçuar ne mund të largojmë idetë e çuditshme që mund të ketë ndonjë editorialist në ndonjë media lidhur me "Shqipërinë e madhe", në të kundërt, ne mund të zgjojmë dyshime lidhur me atë që diskutohet "Shqipëria e madhe". Mendoj se në këtë situatë Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të natyrshëm në marrëdhëniet mes dy pjesëve të një kombi. Unë vetë personalisht e ndiej Kosovën si atdheun tim, e jam i bindur se shumë kosovarë e ndiejnë Shqipërinë si atdheun e tyre. Por kjo s‘ka të bëjë fare me llogaritë për shkrirje kufijsh, apo teknikash etj. Ndjenja dhe mënyra sesi ne jemi duke e konsideruar të ardhmen është një arsye shumë racionale për t‘i detajuar hapat dalëngadalë në atë logjikë që do të faktorizojë gjithnjë e më tepër. Kemi humbur goxha kohë në historinë tonë të përbashkët. Nuk mendoj se do të ketë sfida të natyrave të krizave të brendshme, ndërmjet shqiptarëve lidhur me alternativat që duhet të zgjedhin. Më tepër jam i shqetësuar lidhur me balancat që do të vendosin Shqipëria dhe Kosova lidhur me faktorë të tjerë rajonalë. Ne jemi një rajon me goxha probleme dhe ndonjëherë me shaka dhe kur kam folur me miq e kolegë të mi u kam thënë se rajoni ynë është një rajon i cili shtrihet në trekëndëshin e Bermudës. Ne jemi midis Romës katolike, Athinës ortodokse dhe Stambollit mysliman. Kështu që shpesh këto influenca janë absorbuar nga ai faktor shqiptar duke garantuar
një moment goxha të rëndësishëm stabiliteti në rajon. Por, ndërkohë, mbi këtë faktor shqiptar kanë rënë një pjesë e këtyre kontradiktave. Nuk është çudi sot që në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve diskutohet një histori e viteve 1300 apo
midis maqedonasve dhe grekëve diskutohet një histori para lindjes së Krishtit. Kjo tregon se kemi një rajon goxha të mbingarkuar nga esencat që kanë lënë periudha të caktuara historike. Këta janë elementë që duhet të nxisin reflektime të thella të cilat i tejkalojnë marrëdhëniet e zakonshme diplomatike. Mendoj se do të ketë goxha sfida të cilat në asnjë rast nuk duhen menduar se do të jenë sfida për shqiptarët e Kosovës, dhe për shqiptarët e Shqipërisë, por do të jenë të përbashkëta. Kështu që bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë i natyrshëm edhe për këtë arsye.