E Hënë, 2 Nëntor 2026

Stazhi për mjekët, edhe 6 muaj pas diplome

Me titujt e specialistëve, me mjekët e huaj, që vijnë dhe ushtrojnë profesionin në Shqipëri, si dhe me kushtet për të qenë mjek, po abuzohet. Në mënyrë të veçantë, titujt po vendosen në mënyrë kaotike. Ka mjekë të huaj, të cilët vijnë në vendin tonë dhe ushtrojnë profesionin pa marrë asnjë licencë nga shteti shqiptar. Ndërsa, mjekët që dalin nga shkolla u duhet që të kenë më shumë kohë në stazh. Të gjitha këto fakte dhe propozime janë sjellë në konferencën e djeshme nga kreu i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo. Me fillimin e vitit 2008, në Ministrinë e Shëndetësisë janë nisur disa projekte dhe propozime nga kjo qendër për të vendosur disa nga standardet që i duhen në fillim shëndetësisë për të dhënë një shërbim të sigurt për pacientin.

Propozimet

"Kemi matur cilësinë e disa spitaleve, kemi ndërtuar një sistem vlerësimi, po merremi me kriteret dhe kreditet që duhet të plotësojnë mjekët për t‘u licencuar, ndërsa i kemi dërguar Ministrisë së Shëndetësisë projekte dhe propozime", tha dje kreu i Qendrës së Akreditimit, Kalo. Sipas tij, nuk mjafton diploma aktuale që marrin mjekët për të marrë përsipër jetën e pacientit. "Është e nevojshme madje, që të bëhet testimi i tyre pa nisur punën dhe këtë propozim ia kemi bërë edhe Ministrisë së Shëndetësisë", sqaroi ai. Po ashtu është e nevojshme që të vendoset një kriter se si do të licencohen mjekët e huaj, që vijnë dhe ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri. "Mos të vijnë në vendin tonë turli sharlatanësh, por të ketë një filtër dhe aty të kalojnë që të gjithë profesionistët", vuri në dukje kreu i qendrës. Sipas tij, po abuzohet me titujt, me vendosjen titullit specialist. Këta tituj po vendosen në mënyrë kaotike. "Duhet të ketë një program konkret për të marrë këta tituj, të ketë standarde konkrete dhe certifikimi i tyre të bëhet nga një komision. Certifikata të lëshohet në mënyrë të autorizuar nga këta. Mjekët duhet të ekzaminohen për njohuritë që kanë. Duhet të ketë një koncept të ri të licencimit dhe certifikimit", u tha dje në konferencë. Sipas propozimit, çdo mjek duhet që të japë "provime" për njohuritë që ka si dhe duhet të plotësojë disa kritere për të vazhduar profesionin e jo të mjaftohet vetëm me diplomën e shkollës.

Trajtimi

Një propozim tjetër është mënyra se si trajtohen pacientët dhe se si kurohen sëmundjet. Sipas Kalos, çdo specialist punon në bazë të njohurive personale apo të përvojës së punës, ndërsa çdo sëmundje duhet të trajtohet sipas një protokolli, që duhet të vendoset nga një grup mjekësh. "Nuk mund të ketë subjektivizëm apo rregulla administrative. Duhet të ekzistojë një udhërrëfyes i praktikës së mirë, që të jetë një metodë trajtimi në bazë të përvojës së huaj, të teknologjisë apo vendimeve të përbashkëta", tha Kalo. Aktualisht, sipas tij, mënyra e trajtimit bëhet në bazë të përvojës së mjekut apo njohurive. Nga ana tjetër, pacientët në Shqipëri nuk janë shumë të informuar lidhur me të drejtat apo mënyrën se si duhet të trajtohen në spitale. Ata nuk kërkojnë shumë shpjegime dhe marrin të mirëqena, duke pranuar çdo gjë nga mjekët. Çdo pacient duhet të jetë i informuar për të drejtat e tij. Një projekt i vitit 2008 është edhe "letra informative", që duhet të firmosë pacienti, para se të kryejë çdo trajtim mjekësor. Në vendet perëndimore kjo fletë informative shërben jo vetëm për të informuar pacientin, por njëkohësisht edhe për argumentime në raste gabimesh mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›