PS-MASH, debat për kurset private
Partia Socialiste i ka cilësuar reformat në arsim si të dështuara. Dëshmi e kësaj janë kurset private për çdo lëndë. Kështu është shprehur dje, Ledi Shamku, Kryetare e Komisionit të Edukimit në PS. Po dje, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, që përmes zëdhënëses, Brikena Kollçinaku, e cila u shpreh se "vëmë në pah mungesën e theksuar të alternativave nga Partia Socialiste". Përpos kurseve një temë tjetër e debatuar nga palët është edhe numri i madh i nxënësve në klasë. "Kemi 50 nxënës për klasë dhe me mësues që po shndërrohen thjesht në ruajtës të qetësisë", tha Shamku. Kundërpërgjigja e MASH ka qenë "në Tiranë kemi mbingarkesën më të madhe në klasa. Kjo ndodh sepse në trojet ku mund të ndërtoheshin shkolla janë dhënë nga Bashkia Tiranë leje ndërtimi për pallate shumëkatëshe, që siç e dimë të gjithë është një biznes me përfitim shumë të madh".
Përsa i përket kurseve private që nisin zakonisht në përfundim të vitit shkollor, Shamku tha se "prindërit detyrohen të paguajnë për së dyti atë nivel njohurish që fëmijëve të tyre duhej t‘ua garantonte mësimdhënia shkollore publike". Sipas saj, numri i familjeve që detyrohen të përballojnë këtë shpenzim absurd është tmerrësisht i lartë, e po të mos qe për gjithë ato familje që nuk kanë mundësi t‘i paguajnë ato për efekt të varfërisë, ky numër do të ishte disa herë më i lartë. "E gjithë kjo i dedikohet mungesës së politikës institucionale, e cila reformën në arsim e ka kuptuar gabimisht si ndërhyrje në formë, por jo në përmbajtje", u shpreh kreu i komisionit të Edukimit në PS.
Ndërsa në sqarimin e saj për këtë çështje MASH vëren se "Partia Socialiste ende nuk ka qenë në gjendje të paraqesë alternativa ndaj reformave tona". Më tej MASH rendit masat që ka marrë për kurset private gjatë drejtimit të të djathtëve. "Prej dy vitesh me zbatimin e Maturës Shtetërore shteti ka marrë përsipër organizimin e konsultimeve para fillimit të provimeve", u shpreh Kollçinaku. Për rastet e parregullta MASH në tetor 2005 u ka dërguar të gjitha Drejtorive Arsimore dhe shkollave një qarkore, ku ndalon të gjithë mësuesit të japin kurse private, sidomos me nxënësit e tyre, apo në ambientet e shkollës. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit kujton se "mësuesit i kanë të gjitha hapësirat ligjore për të ushtruar aktivitet privat, nëpërmjet kurseve të licencuara, por mësuesit i ndalohet zhvillimi i mësimit privat me nxënësit e tij".