Rama: Meta do të kthehet në strehën e përbashkët
Edi Rama shprehet optimist se një ditë të gjithë do të kthehen te streha e përbashkët, që sipas tij është Partia Socialiste. Kreu i selisë rozë duket se e sheh me optimizëm të ardhmen e së majtës, duke mos u dhënë pas replikave të momentit mes PS-së dhe LSI-së, sa i takon reformës zgjedhore. Këto deklarata ai i bëri dje gjatë një vizite në qytetin e Kukësit. Turi do vijojë edhe ditën e sotme. "Politikës së vjetër nuk i hyn në punë dialogu me njerëzit, sepse ajo i di të gjitha, ajo ju takon ju vetëm kur do që t‘ju marrë votat", theksoi Rama. Infrastruktura, bujqësia dhe në tërësi punësimi, ishin në qendër të fjalës së kryetarit të Partisë Socialiste, që shoqërohej nga anëtarët e Kryesisë së PS-së, Namik Dokle dhe Arben Malaj. Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe në çështjen e rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë, për të cilën tha se bërja e saj ishte domosdoshmëri historike, por sipas tij, "qeveria vodhi në emër të saj". Rama u shpreh se me fondet e shpenzuara për të mund bëhej edhe rruga e Arbërit. Ndërsa pjesëmarrësit në takim i ngritën liderit të majtë një numër pyetjesh që kishin të bënin me zonat e përmbytura, për pensionet e minatorëve e deri te përçarjet e së majtës. Rama e përkufizoi si të mjerueshme gjendjen ekonomike të vendit me papunësinë e lartë, siç tha ai, me trajtim aspak dinjitoz të shtresës së pensionistëve, me mungesën e shpresës te fëmijët për një jetë dinjitoze. "Është turp për ne që nuk mund t‘u blejmë atyre një dhuratë për ditëlindje", konstatoi Rama. Ai nuk harroi ndërkohë të vërë në dukje pasuritë e konsiderueshme që ka Shqipëria, duke filluar tek ato njerëzore e deri te mineralet, ujërat "me të cilat ky vend nuk meriton mjerimin aktual dhe të qëndrojë më poshtë nga fqinjët". Për këtë Rama fajësoi politikën e ndjekur gjatë këtyre 17 viteve, si të majtën edhe të djathtën, duke e cilësuar si politikë të vjetëruar dhe që duhej lënë prapa. Rama ka artikuluar dje shqetësimin e një intelektuali për gjendjen e papranueshme, më shumë se sa atë të kryetarit të partisë. Ideja e Ramës ishte se "që të gjithë duhej t‘i linin në punë të tyre partitë dhe t‘i bashkoheshin një politike të re, e cila do të ndryshonte gjendjen". Sipas tij, një biznesmen i vogël apo një punëtor me pikëpamje socialisti, nuk ndryshon aspak nga një biznesmen i vogël, apo punëtor demokrat. Ai tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë për bujqësinë, duke thënë se "nuk mund të pranohet më që djemtë tanë të shndërrohen në skllevër që punojnë arat e botës që t‘ju sjellin një grusht lekësh, kur arat tona janë djerrë". Pikëpamja e Ramës ishte e tillë, që ndryshimi i realitetit të fshatit do të çonte në ndryshimin e realitetit të qytetit. Shoqëruesit e Ramës e paraqitën atë si kryeministrin e ardhshëm, i cili siç tha Namik Dokle "do ta bëjë të gjithë Shqipërinë, ashtu siç bëri Tiranën". Ndërsa vetë Rama u përpoq që t‘u jepte shpresë se me marrjen e pushtetit ai do të qeveriste për njerëzit, pasi pushteti i deritanishëm i 17 viteve të fundit as ka sy për të parë, as veshë për të dëgjuar, as zemër për të ndjerë.