Pavarësia, 1 milion euro për festën
Qeveria e Kosovës ka ndarë 1 milion euro për festën e pavarësisë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Këto para do të shpenzohen sipas projektit të grupit koordinues që vepron pranë Kryeministrisë. "Do të jemi tepër të kursyeshëm, por natyrisht do të jemi të përgatitur që të bëjmë atë siç na ka hije. Këto 1 milion euro nuk do të thotë se do të shpenzohen të gjitha", ka thënë
ministri Shala. Por nga ana tjetër, qeveria është e vendosur që të mos ketë ndonjë festë të madhe. Organizimi i ceremonisë sipas burimeve pranë qeverisë do të bëhet disa ditë pas shpalljes, pasi të menaxhohet kriza e mundshme dhe rebelimi i pritshëm i serbëve. Nga ana tjetër, KFOR ka filluar një fushatë në të gjitha komunat e Kosovës që të përgatisë qytetarët të jenë të kujdesshëm gjatë festës së pavarësisë, në mënyrë që të mos shkaktojnë incidente. Policia ka bërë thirrje të mos përdoren armë për të festuar, por edhe grumbullimet e mëdha të njerëzve nuk janë të pëlqyeshme për organet e sigurisë.