"Reformat,jam gati të takohem me Ramën"
Kryeministri Berisha nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi mes tij dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të diskutuar konkretisht në lidhje me reformën zgjedhore. Gjatë një konference për shtyp të dhënë dje në ambientet e Kryeministrisë, menjëherë pas takimeve të suksesshme në Japoni, kreu i qeverisë ka deklaruar se "për sa i përket reformës zgjedhore, mazhoranca dhe opozita nuk kanë dallime substanciale, por edhe po të ketë jemi të përgatitur për kompromis". Sipas tij, në çështjet e zgjedhjeve, opozita ka qenë, është dhe do të mbetet një nga zërat më kryesorë.
Kryeministri është shprehur mjaft optimist në lidhje me ecurinë e reformës zgjedhore dhe ka dhënë garanci të plotë se opozita do të ketë mirëkuptim të plotë për kërkesat që ajo do të bëjë në lidhje me realizmin e kësaj reforme. "Jam optimist, sepse dy partitë e mëdha dhe partitë e tjera janë të vendosura për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Opozita pretendon kartat e identitetit dhe ka plotësisht të drejtë, ky është edhe pretendimi ynë. Pasaportat, listat elektronike, anti-dushku, pra jemi të bashkuar të gjithë në këto. Të më pyesni mua se ku ndahemi, të jem i sinqertë, nuk e di", është shprehur Kryeministri Sali Berisha. Duke e parë me nota pozitive dislokuan e zhvilluar mes partive politike për realizimin e reformës zgjedhore, Berisha ka theksuar se "unë e shoh me shumë optimizëm reformën dhe realizimin e saj. Nuk kam dëgjuar as edhe një kërkesë të formuluar jashtë standardit nga forcat politike opozitare, apo të tjerat. Kështu që unë ulem në sensin e mirëkuptimit, pasi të njëjtat gjëra kemi edhe ne, pra nuk kemi shumë dallime me njëri-tjetrin". Ndërsa në lidhje me sistemin zgjedhor, Kryeministri theksoi se duhet të përcaktohet një sistem elektoral për të cilin të bien dakord të gjitha palët. Sipas tij, nuk është se PD nuk ka propozime, sikundër PD është e gatshme të dëgjojë propozime. Në vlerësimin tim, tha Berisha, reforma zgjedhore do të kalojë pa asnjë lloj tensioni, sepse janë përcaktuar disa kushte nga të gjitha palët, kushte që janë në interesin e të gjitha palëve. Një ditë më parë bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Kastriot Islami, hodhi idenë e takimit të dy drejtuesve kryesorë të politikës në vend për t‘i dhënë një zgjidhje më të shpejtë dhe konkrete reformës zgjedhore. Pas bashkëpunimit të arritur mes PS-së e PD-së për reformën në sistemin e drejtësisë, Kastriot Islami është shprehur se kjo frymë duhet të transmetohet edhe për reformën zgjedhore. Islami ka hedhur hapin e parë duke i kujtuar PD-së se opozita dhe konkretisht kryetari i saj Rama janë të gatshëm të ulen në tryezë me kryetarin e mazhorancës për të diskutuar konkretisht mbi punën tek e cila duhet të përqendrohet komisioni i reformës zgjedhore. "Kemi kërkuar një bashkëveprim politik me PD-në, i cili mund të bëhet në të gjitha nivelet. Deri në nivelin e dy kryetarëve, nëse do pranojë PD, ne jemi të gatshëm për bisedime", është shprehur Islami. Aktualisht puna e komisionit për reformën zgjedhor ka mbetur në diskutimet në parim për sistemin zgjedhor dhe pastaj për parametrat të tjerë, siç janë listat e mbyllura apo listat me votë preferenciale, si dhe përcaktimi i pragut elektoral.