Babai "përdhunues", asnjë provë fajësie
"Nuk e kam përdhunuar kurrë vajzën time". Me këto fjalë të thëna qetësisht, 58-vjeçari Ramadan Isufaj është mbrojtur dje në Gjykatën e Tiranës, ndërsa ishte duke u shqyrtuar masa e sigurisë ndaj tij. Ai ka pretenduar se gjithçka ishte një sajesë e gruas së tij, të cilën i pandehuri pretendoi se e kishte zënë në flagrancë me të dashurin e saj. "Pasi e kapa me një burrë në shtëpinë tonë, ajo më akuzoi mua se kisha shkuar me vajzën tonë, por kjo nuk është e vërtetë", mësohet të ketë thënë Isufaj përpara trupit gjykues. Mbrojtja e tij ka zgjatur pak minuta dhe avokati gjithashtu ka mbajtur të njëjtën linjë mbrojtjeje si klienti i tij, duke kërkuar një masë të butë sigurie.
Nga ana e tij, prokurori i çështjes ka paraqitur si prova vetëm kallëzimet e bëra nga ana e gruas së të pandehurit dhe vajzës së tij 24-vjeçare dhe asnjë provë tjetër. Megjithatë, ai ka kërkuar në fjalën e tij masën e sigurisë burg pa afat për të akuzuarin, pasi, sipas prokurorit, situata e acaruar mund të çonte në ndonjë veprim të pakontrolluar të Isufajt ndaj gruas apo vajzës së tij. Sipas burimeve të sigurta nga gjykata, prokurori ka kërkuar kohë deri në nxjerrjen e akt-ekspertimit psikik të vajzës, megjithëse edhe në këtë rast nuk dihet se çfarë prove mund të sigurohet. Nga burime konfidenciale mësohet se në akt-ekspertimin e parë të mjekësisë ligjore është konstatuar se deflorimi i vajzës është kryer shumë kohë më parë, çka duket se e vështirëson edhe më shumë mundësinë e vërtetimit të veprës penale nga ana e të atit. Megjithatë, kërkesa e prokurorit të çështjes duket se është marrë parasysh nga gjykata, e cila ka vendosur që të lërë në burg pa afat Ramadan Isufajn.
Babai i gjashtë fëmijëve, katër vajza dhe dy djem, është arrestuar disa ditë më parë në shtëpinë e tij në Laknas të Tiranës, ku ai ishte vendosur që prej zbritjes së tij nga Kukësi, vendlindja e tij. Ramadani ishte denoncuar nga vajza e tij 24-vjeçare për përdhunim sistematik që në moshën 9-vjeçare, pra rreth 15 vjet me parë. Madje, vajza ka pohuar se para tre vitesh ka mbetur shtatzënë me të atin dhe është detyruar prej tij të abortonte. Me të marrë paditë e vajzës dhe gruas së 58-vjeçarit policia ka nisur hetimet, por pa siguruar prova të mjaftueshme ka vënë prangat në duart e Ramadan Isufajt. Edhe vetë prokuroria nuk duket se ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme, por, gjithsesi, ka vlerësuar rrezikshmërinë e burrit, që në gjendjen psikologjike ku ndodhet mund të hakmerrej ndaj denoncueseve të tij. Vetë Ramadani i ka hedhur poshtë të gjitha. Madje, burime pranë familjes së tij bëjnë me dije se edhe dy djemtë e tij i kanë dalë në krah, duke mos i besuar akuzat e motrës dhe nënës së tyre. 58-vjeçari për të gjithë situatën e krijuar ia vë fajin të shoqes, të cilën thotë se e ka kapur me një tjetër burrë në shtëpinë e tyre. Madje, ai ka deklaruar se në momentin fatal ai ka filluar të bërtasë me të madhe për të thirrur si dëshmitarë të ngjarjes edhe komshinjtë. Por, pikërisht në këtë moment gruaja ka lëshuar deklaratën "bombë", të cilën më pas e ka materializuar në një denoncim në polici, çka i ka kushtuar prangat bashkëshortit të saj dhe më keq akoma masën e sigurisë burg pa afat. Gjithsesi, pas seancës së djeshme prokuroria dhe gjykata duket se do të kenë një punë të vështirë se kush do të shpallet fajtor: babai për përdhunim, apo vajza dhe nëna për shpifje.