E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet, i vë biznesmenit 100 mijë euro gjobë

Arrestohet për gjobëvënie një biznesmen, banor i qytetit të Korçës. Pas një operacioni të ndërmarrë prej më shumë se dy javësh, ka arritur të verë në pranga personin që dyshohet se i ka vendosur një gjobë të majme një sipërmarrësi privat. Lefter Fasho, një 33-vjeçar nga qyteti i Korçës, është arrestuar në flagrancë ditën e hënë, me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për pasuri. Siç ndodh në raste të vendosjes së gjobave kur personi që kërcënon kryen më së shumti telefonata anonime ose të paidentifikuara, edhe 33-vjeçari korçar është arrestuar në një kabinë telefoni publike. Burime të policisë së Korçës thanë se e kanë arrestuar Lefter Fashon pas një operacioni të filluar gati 2 javë më parë, që kur kishin nisur kërcënimet ndaj biznesmenit dhe ky i fundit sinjalizoi për rrezikun që i kanosej në komisariat. Ka qenë Meleq Daci, një banor i Korçës, me aktivitet privat në një lokal, ai që i është drejtuar policisë për të shpëtuar nga një gjobëvënie jo të paktë, por 100 mijë euro. Policia tha se sapo ka marrë sinjalizimin për këtë gjobëvënie, ka hartuar në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit një operacion të koduar "Gjoba e fundit", duke filluar nga survejimet për zbulimin e autorit. Nga ana e tij, biznesmeni Meleq Daci i ka bërë të ditur policisë se ka marrë letra kërcënuese në familje për vendosjen e një gjobe me vlerë 100 mijë euro. Ai ka dëshmuar se është kërcënuar me jetën e tij dhe të pjesëtarëve të familjes që ta paguante këtë gjobë. Një grup personash, që me sa duket e kanë pasur në vrojtim, pas dhënies së këtij kërcënimi me anë të një letre, i kanë vazhduar kërkesat nëpërmjet mesazheve me telefon. Thirrjet telefonike me numra grekë apo nga kabina telefonike, nga të cilat është më e vështirë të identifikohet personi që të kërkon në telefon, kanë vënë në ankth biznesmenin korçar dhe familjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›