E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e Arbrit, probleme me shpronësimin e tokave

Punimet e nisura në segmentin e parë të Rrugës së Arbrit, Bulqizë-Ura e Çerenecit, 17 kilometra e gjatë, kanë njohur këto ditë një rënie të ndjeshme nga ritmi intensiv i nisjes së tyre. Ritmi i punimeve ka pësuar rënie në tre lotet e këtij segmenti. Shkaqet e kësaj rënieje janë të ndryshme. Ata kanë lidhje si me firmat fituese të tenderimit të kësaj rruge, ashtu edhe me problemet që kanë lindur për shpronësimet e pronarëve, në tokat e të cilëve do të kalojë rruga. Burime nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve Dibër, konfirmojnë se jo pak probleme kanë dalë për shpronësimin e pronarëve. Kjo, më së shumti lidhet me pretendimin e këtyre pronarëve, për t‘u kompensuar për tokën e tyre, para se të fillojnë punimet. Por një gjë e tillë, në mos e pamundur, është tejet e vështirë për t‘u realizuar në çast, pasi Hipoteka e rrethit nuk mundëson për momentin dhënien e certifikatave të pronësisë mbi tokën. Dhe këtu nuk është vetëm mungesa e vullnetit nga drejtuesi i kësaj Hipoteke për dhënien e këtyre certifikatave pa ryshfet, por kanë dalë probleme edhe me mungesën e regjistrimit të këtyre pronave në Hipotekë, gjë kjo që përbën një skandal të vërtetë. Probleme me shpronësimet kanë lindur në tre lotet e këtij segmenti rrugor, por më të mprehta janë evidentuar në lotin e parë të saj, atë Bulqizë, Ura e Qytetit.

Edhe pse nga zyrtarë të qeverisë është premtuar dëmshpërblimi për pronarët e tokave ku do kalojë rruga, për një afat kohor prej 3 vitesh, pronarët janë tejet skeptikë dhe kërkojnë kompensim të menjëhershëm, në të kundërt nuk lejojnë vazhdimin e punimeve në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›