Granit pushon 15 punëtorë shqiptarë
Një numër punëtorësh nga fshati Përbreg dhe nga qyteti i Kukësit kanë bllokuar për tre orë punimet në fshatin Përbreg, ku po ndërtohet një nga urat e autostradës, duke kërkuar sqarime pse nuk rimerren në punë. Një numër punëtorësh maqedonas flasin në gjuhën e tyre dhe nuk pranojnë të prononcohen me përkthyes. Banorët e fshatit kanë qëndruar indiferentë ndaj faktit që punëtorët vendas nuk merren në punë, por ata kanë thënë se nëse ky "diferencim", siç e kanë quajtur, do të vazhdojë gjatë, ata do të dalin në përkrahje të protestuesve. "Gërmimet e urës na kanë prishur mjedisin dhe bëhen vetëm pak metra larg banesës sime, nuk paskam të drejtë të kërkoj thjesht të punoj edhe unë, apo maqedonasit po na e bëjnë si me punën e vizave"? - u shpreh një banor i fshatit Përbreg. Punëtorët nuk kanë bërë asnjë veprim të dhunshëm, por siç u shprehën disa prej tyre "duam të punojmë për të mbajtur familjet".
Pas një ndërprerjeje prej disa javësh, firma "Granit", e cila është sipërmarrëse për ndërtimin e urave të autostradës në segmentin Kukës-Morin, ka sjellë në terren një numër mjetesh dhe një grusht të vogël punëtorësh nga Maqedonia. 15 punëtorë nga Kukësi, kryesisht nga fshati Përbreg, kanë mbetur jashtë listës së punës dhe kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësinë e këtyre të fundit. Firma maqedonase, siç tregojnë punëtorët, kishte premtuar që me rinisjen e punimeve do të merreshin në punë edhe punëtorët e zonës. Por punëtorët vendas ende nuk janë marrë në punë. Nëpërmjet supervizorit Ruslan Kallabaku kërkuam të mësojmë arsyet e shmangies nga premtimi i dhënë punëtorëve, se me rifillimin e punimeve ata do të rimerreshin në punë. Ai tregon se "kompania maqedonase është shumë e interesuar që të punësojë sa më shumë punëtorë vendas, por akoma nuk ka front pune", tha supervizori, i cili shtoi që, gjithsesi, nuk ishte në kompetencën e tij të ndërhynte në këtë aspekt. "Unë kam negociuar, sepse më vjen keq për punëtorët", u shpreh inxhinieri Kallabaku. Por punëtorët nuk janë të bindur se mungon fronti i punës. "Kanë sjellë punëtorë nga Maqedonia dhe ne nuk na marrin në punë", thotë Skënder Matmuja, i cili deri para disa javësh kishte punuar me firmën e urave dhe kishte marrë premtimin se do të vazhdonte të punonte përsëri.
Për kompaninë "Granit", sipas treguesve zyrtarë të shpallur, afati i dorëzimit të veprave të përfunduara ka mbaruar. Ndërsa në të vërtetë ndërtimi i urave sapo ka filluar. Supervizorët e autostradës për segmentin në fjalë kanë argumentuar me vonesat në projekt, por në terren duket se gjithçka ishte e vonuar dhe punohet me ritme tepër të ngadalta. Tek ura e uzinës në Rexhpaj, e cila do të jetë më e madhja në krejt autostradën me gjatësi rreth 500 m e dhjetëra m lartësi ende nuk ka nisur puna që nga ndërprerja disa javë më parë. Punëtorët kanë punuar pikërisht në themelet e kësaj ure dhe ishin ankuar për parregullsi dhe pagesa të ulëta, kushte të dobëta të sigurimit teknik etj. Punëtorët nga Kukësi tregojnë se kanë marrë nga kompania një pagë prej 5 deri në 6 euro në ditë. Ata ishin ankuar edhe për bukën e drekës dhe të tjera. "As na japin ushqim siç u japin maqedonasve, as çizme...". Gjendja sociale e punëtorëve të zonës ndodhet shumë afër limitit të mjerimit. Përmendja e bukës së gojës, në rastin konkret të drekës që mund të përfitonin nga punëdhënësi, edhe pse nuk motivohet njëlloj si për maqedonasit që janë larg shtëpive, tregon se në çfarë gjendje ndodhen familjet fshatare të zonës. Madje, pikërisht duke pasur parasysh papunësinë dhe gjendjen e vështirë ekonomike të familjeve, Kryeministri u kishte bërë apel kompanive të huaja që të punësonin sa më shumë punëtorë vendas.