E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta mbyll të gjitha tregjet e Elbasanit

Dita e djeshme ka përkuar me kyçjen e të gjitha tregjeve në qytetin e Elbasanit. Protestës së tregtarëve të tregut të lirë, fruta-perime, i janë bashkuar edhe tregtarët e tregut industrial. Rreth 1200 tregtarë ambulantë, që në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë gjendur para derës së kryebashkiakut Sejdini. Kërkesa e tyre e vetme ka qenë pamundësia për të përballuar rritjen e detyrimeve fiskale që ka aplikuar për këtë vit sektori i tatim-taksave në Bashkinë e qytetit të Elbasanit. Mësohet se tarifa e detyrimeve të këtij viti është përcaktuar sa trefishi i vitit të kaluar, për të cilët tregtarët kanë kundërshtuar disa ditë me radhë, duke bojkotuar punën në merkatot e qytetit dhe gati në prag falimenti. Mbas përfundimit të protestës përpara bashkisë, është bërë e mundur që një grup tregtarësh të zhvillonin një takim me kreun e bashkisë, Qazim Sejdini. "Pas takimit me një grup përfaqësues tregtarësh, u sqaruam për mënyrën e licencimit të tyre. Në këtë takim ramë dakord që të zbatojmë vendimin e këshillit bashkiak, të datës 29 janar të vitit 2008, ku me propozim të kryetarit të bashkisë u hoqi tregtarëve taksën fillestare të regjistrimit prej 5 mijë lekësh dhe tashmë atyre i takon që të paguajnë vetëm 74500 lekë të vjetra në vit, si përmbledhje e të gjitha detyrimeve që kanë për licencimin", ka deklaruar Sejdini në fund të këtij takimi. Sipas tij, tregtarët e pranuan këtë marrëveshje me bashkinë, ndërkohë që i kërkohet kreut të bashkisë që të kryejë investime në këtë treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›