E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH, largohet nga puna kreu i divizionit

Shkarkohet pa motivacion kreu i stacionit të shpërndarjes së energjisë elektrike për Fierin e Vlorën, Sotir Sinani. Shkarkimi i tij është kryer mëngjesin e së hënës, ndërsa administrata dhe punonjësit e stacionit ishin në mbledhje për të marrë direktivat e javës së re. Sipas burimeve zyrtare të stacionit të shpërndarjes për Fierin e Vlorën, mësohet se shkarkimi i kreut Sotir Sinani është kryer pa asnjë paralajmërim, ndërkohë që është shoqëruar në formë surprize për të gjithë punonjësit, me emërimin e kreut të ri. Komunikuar nga gazeta "Shqip", vetë Sotir Sinani ka thënë se "nuk më është dhënë asnjë motivacion zyrtar lidhur me shkarkimin, por vetëm më është deklaruar në mbledhje se shkarkohem dhe zëvendësohem me një tjetër person". Ndërkohë që zyrtarisht konfirmohet se ai është zëvendësuar me emrin tjetër, Alfred Hëna. Treguesit e ulët për vitin e kaluar të të gjithë divizionit shpërndarës të energjisë elektrike për Fierin e Vlorën ka zbritur si fillim me ndëshkime në stacionin e shpërndarjes, për të vijuar më tej edhe në strukturat e tjera të divizionit të energjisë për Fierin e Vlorën si në njësinë e shpërndarjes, edhe në vetë drejtorinë kryesore. Po ashtu, vala e shkarkimeve në filialin e KESH-it është deklaruar edhe nga një prej drejtorëve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Sait Dollapi, i cili mori pjesë në analizën njëvjeçare të këtij institucioni. Dollapi, vizitën e tij pranë stacionit të shpërndarjes së Fierit e Vlorës, e kreu mesditën e së shtunës, ndërsa takimin e ka zgjedhur ta kryejë me dyer të mbyllura për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›