E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeparo-Sarandë, projekti mënjanon kthesat e shumta

Kushdo që merr rrugën tani për të shkuar qoftë edhe në fshatin e parë të Bregdetit të Sarandës, që është Nivica, has në pamje kantieri. Prej disa ditësh, ndërtimi i rrugës Qeparo-Sarandë ka nisur nga loti 5, që shtrihet prej Qafës së Gjashtë deri në grykën e Brodanit. Në Sarandë, mjetet e para kanë nisur të "drejtojnë" kthesat e shumta të kësaj rruge, që të paktën deri në Volloder, dihet se janë plot 99 të tilla. Qysh në kilometrat e parë të degëzimit të rrugës nacionale Sarandë-Vlorë ekskavatorë dhe buldozerë, kamionë vetëshkarkues të firmës beratase "Salillari" i janë futur punës seriozisht. Këtë ide e krijuam jo thjesht nga ritmi me të cilin punohet, jo vetëm ngaqë kantieri zgjohet herët dhe ora 07.00 e çdo mëngjesi shënon fillimin e punës, për t‘u lënë ajo pas 12 orësh, por edhe nga afatet ambiciozë që na thanë se i kanë vënë vetes drejtuesit e punimeve. Pëllumb Osmani, drejtor i kantierit, thotë për "Shqip" se fillimisht ishte menduar që 7.3 km e lotit të pestë të dorëzoheshin të përfunduara pas 18 muajsh, por qysh në fillim të investimit në tabelën e objektit është fiksuar afati 16 muaj. Këtij afati, drejtori i kantierit nuk rezervohet t‘i zbresë edhe 4 muaj të tjerë, duke siguruar se punimet në këtë segment "Salillari" është e vendosur t‘i mbyllë brenda një viti.

Vlefta e investimit vetëm për lotin 5 shkon në rreth 327 milionë lekë, pa TVSH. Por njëherësh me "Salillarin" ka nisur nga punimet në pjesën e vet edhe firma "Gjoka Konstruksion", në lotin 4, që nis në Grykën e Prodanit deri në Lukovë, e cila do të kushtojë rreth 305 milionë lekë të tjera pa TVSH dhe parashikohet të përfundojë në javën e fundit të dhjetorit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›