Balla: Kazinotë nuk tatohen, janë të të afërmve të qeveritarëve
Seanca e djeshme parlamentare është përfshirë dje në debate të ashpra mes Kryeministrit Berisha dhe deputetit të PS-së Taulant Balla. Shkak i debatit janë bërë deklaratat e deputetit socialist Balla. Ai tha se në Shqipëri janë shtuar shumë kazinotë, të cilat nuk paguajnë taksa, pasi janë nën administrimin e pushtetarëve apo të familjarëve të tyre, ndaj dhe favorizohen. Balla këtu nuk ka kursyer asnjë emër, duke deklaruar para deputetëve se një kazino në Tiranë është e ministrit të Financave, Bode, një tjetër te zona e ish-Bllokut, e djalit të Kryeministrit, Shkëlzeni, dhe një tjetër e Presidentit Topi. Deputeti i PS-së ka theksuar se "nuk po akuzoj se kazinotë janë tuajat, por po ju them se duhet t‘i kontrolloni, pasi nga mos përfshirja e tyre në sistemin e taksës, shteti humbet rreth 1 miliard lekë, e cila e përthyer në investime, do të mundësonte ndërtimin e disa ujësjellësve. Por deklarata e tij ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit Berisha, i cili i revoltuar i ka cilësuar të gjitha ato çfarë deklaroi deputeti socialist si shpifje të turpshme. Kryeministri ka deklaruar duke iu drejtuar deputetit të PS-së se "ti del këtu dhe lakon emra familjarësh dhe të afërmish, por ta dish mirë se ta bëj fytyrën si këpuca po të të lakoj unë ty këtu emra të familjarëve të tu. Unë kam një durim, por të jesh i bindur se mund të ta mbyll gojën ty në mënyrën me ekzemplare. Ka një Kushtetutë ky vend. Nuk t‘i thotë ty njeri lidhjet e tua me kuplaratë. Do të shkosh në gjykatë sa herë që të shpifësh". Deklaratës së bërë nga deputeti Balla i është përgjigjur edhe ministri Bode, jo duke bërë mbrojtje për akuzën e bërë ndaj tij, se ka një kazino në emër të tij, duke e vlerësuar këtë si të pa vërtetë, por me shifra në lidhje me punën që ka bërë ministria deri më tani për mbledhjen e taksave. Bode tha se në fund të vitit 2007 janë 840 milionë lekë të mbledhura nga lojërat e fatit. Xhiroja e lojërave të fatit vitin e kaluar kanë qenë 5.9 miliard lekë të reja dhe nuk përfshihet kazinoja se ka sistem tjetër taksimi. "Nuk është se kjo industri nuk ka probleme, tha Bode, por ne e kemi nën kontroll situatën dhe për këtë është ngritur një grup monitorimi nga Ministria e Ekonomisë". Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka reaguar menjëherë pas fjalës së ministrit të Financave dhe të Kryeministrit, duke deklaruar se kreu i qeverisë duhet të heqë dorë nga kërcënimet ndaj deputetëve. Braçe ka deklaruar se Kryeministri nuk mund të cenojë lirinë e deputetëve. "Deputeti që foli nuk ju akuzoi drejtpërdrejtë, ai as nuk ju ofendoi dhe ju s‘keni të drejtë të kërcënoni me procedim penal. Unë vetë ju kam paditur juve për shpifje", tha Braçe.