Berisha: Gjeta partnerë për centralet bërthamore
Qeveria nuk tërhiqet nga vendimi për ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri. Kryeministri Berisha i ka treguar në mbledhjen e grupit të PD-së deputetëve të tij se çështja e centralit bërthamor është një çështje serioze dhe mesazhi i tij ka ardhur menjëherë pas kthimit të tij nga Davos, i Zvicrës.
Çështja e ndërtimit në Shqipëri të centralit bërthamor është diskutuar për herë të parë në shtator të vitit të kaluar përpara ardhjes në Shqipëri të kryeministrit italian, Romano Prodi.
Duket se Kryeministri Berisha ka gjetur në Forumin Ekonomik botëror në Davos një partner të sigurtë për të ndërtuar centralin bërthamor në Shqipëri. Kryeministri u ndal edhe në rëndësinë e energjisë nukleare, të cilën e vlerësoi si mënyrën më të mirë për të ulur emetimin e gazit karbonik. "Shpreha hapur pikëpamjen time për energjinë nukleare, si mënyra më e mirë, më e shpejtë dhe më e fuqishme për të ulur emetimin e gazit karbonik", tha ai. Kryeministri tha se ka siguruar bashkëbiseduesit se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet për të plotësuar sa më shpejt kuadrin ligjor dhe të procedojë në bazë të interesit të tregut për ndërtimin e centralit bërthamor. "Energjia nukleare është mënyra më e mirë për të ulur emetimin e gazit karbonik", tha Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar, se gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Davosit ka marrë pjesë edhe në panelet ku temë qendrore ka qenë diskutimi i ndryshimeve klimaterike si dhe pasojat që ato sjellin. Ndonëse Shqipëria është një vend i vogël, tha Kryeministri, ajo nuk mbetet e paprekur nga ndryshimet klimaterike. "Në Davos u diskutua edhe për klimën dhe pasojat e ndryshimit të saj. Të pakta janë vendet që kanë pasur pasojat më të rënda nga ndryshimi i klimës, sesa Shqipëria. Nuk ka vend që emeton më pak dioksid karboni, por që merr pasojat më të rënda të tij se sa Shqipëria", tha Berisha. Kryeministri deklaroi se "për pozicionin gjeografik të shkëlqyer që ka Shqipëria duhet që të jetë edhe vendkalim i projekteve të mëdha evropiane për sa i përket gazit". Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Berisha theksoi se "Forumi Ekonomik i Davosit u fokusua edhe në çështjen e gazit, ndërkohë që dihet se ka shumë projekte gazi në rajon, disa prej të cilave e përjashtojnë Shqipërinë jashtë kriterit ekonomik". "Nuk na vjen aspak mirë, pasi asnjë vendi nuk i vjen mirë të përjashtohet nga një skemë. Mbi këtë bazë, për më shumë se një vit, ne kemi bërë përpjekje shumë të mëdha për të favorizuar projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik që kalon në Qafë Thanë-Fier", deklaroi Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, ai shprehu bindjen se "do të ketë zhvillime shumë pozitive, pasi ky është një nga projektet që deri më tani ka progresin më të madh". "Unë takova Presidentin e Azerbajxhanit, Aliyev, vendi i të cilit ka rezerva kolosale të gazit, të lira dhe të kapshme. Natyrisht me të u takuan edhe personalitetet më të larta zvicerane, sepse kompania është zvicerane. E gjithë biseda u përqendrua te gazsjellësi dhe besoj se do të kenë shumë zhvillime që do t‘i bëjë publike vetë kompania", deklaroi Kryeministri. Kryetari i PD-së theksoi se për më shumë se një vit, qeveria ka bërë përpjekje për të favorizuar projektin Trans-Adriatik, që kalon në aksin Qafë Thanë-Fier-Vlorë dhe se deri tani, sipas Kryeministrit ky projekt ka shansin më të madh.