E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, 3.4 milionë USD për gjyqësorin

Gjyqësori shqiptar do të asistohet me anë të një projekti të madh të mbështetur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, i cili promovon forcimin e pavarësisë së gjykatave dhe luftën ndaj korrupsionit. Nëpërmjet këtij programi, qeveria e shteteve të Bashkuara të Amerikës jep kontributin financiar prej 3.9 milionë USD, në përmirësim të qeverisjes së gjyqësorit dhe rritjes së përgjegjshmërisë në institucionet kryesore të vendit. Dje, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar e njohur si USAID-i, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe autoritetet e tjera kombëtare gjyqësore, për të përmirësuar cilësinë e drejtësisë në Shqipëri dhe për të fituar besimin e publikut te gjykatat dhe institucionet e tjera publike. Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga drejtori i misionit të USAID-it në Shqipëri, Eduard T. Landau, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe kryetari i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Thimio Kondi dhe drejtoresha ekzekutive e zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor, Luljeta Laze.

Projekti

Projekti do të asistojë në 10 gjykata të vendit të marra si "pilote". Asistenca do të përfshijë futjen e sistemeve të regjistrimit për mbajtjen më të saktë të procesverbaleve gjyqësore, krijimin ose përmirësimin e faqeve të internetit të gjykatave me informacion rreth aktivitetit të gjykatës, botimin e vendimeve gjyqësore në kopje elektronike dhe fizike, përmirësimin e sistemit të arkivave gjyqësore, standardeve dhe procedurave që kanë lidhje me to, zbatimin e një strategjie për përfshirjen e publikut, vendosjen e standardeve dhe strukturave për t‘iu përgjigjur kërkesave të publikut e të mediave, vendosjen e standardeve të punës për gjykatat, shkurtimin e vonesave gjatë gjykimit dhe sistemet për hedhjen e shortit, zgjerimin e aksesit të gjyqtarëve në aktet ligjore dhe rregulloret nëpërmjet përdorimit të bazave të të dhënave etj.

Ambasadori

Në fjalën e mbajtur në takimin e djeshëm, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers II, deklaroi se "besimi në gjykata është i domosdoshëm për shtetin ligjor. Qytetarët duhet të besojnë që kur ata i çojnë mosmarrëveshjet e tyre para gjykatave, do të trajtohen si të barabartë dhe me drejtësi. Ata duhet ta ndiejnë se gjykatat do të gjykojnë rastin e tyre me paanshmëri, bazuar në prova dhe ligj. Perceptimi se vendimet e gjykatave nuk merren, duke u bazuar në fakte dhe ligj, por duke iu nënshtruar ndikimit ose interesave të caktuara, çon në thërrmimin e besimit të publikut. I çon qytetarët drejt gjetjes së mënyrave të tjera alternative jashtë gjykatave për të zgjidhur mosmarrëveshjet". Duke folur për përpjekjet e përbashkëta mes mazhorancës dhe opozitës për reformën në drejtësi, kryediplomati amerikan në Tiranë theksoi se: "Ndërsa përparon drejt një konsensusi politik në javët dhe muajt e ardhshëm - dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë - nuk është e nevojshme që të qëndrojmë pa lëvizur dhe të presim për të ndërmarrë veprim në gjykata. Hapa konkretë për të përmirësuar gjykatat mund të fillojnë që tani".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›