Shpërthen "lufta" KESH-PS për faturat aforfe
Shpërthen "lufta" mes KESH-it dhe PS-së për faturat aforfe dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Nënkryetari i grupit kuvendor të PS-së, Erion Braçe, ka kërkuar nga qytetarët të mos paguajnë energjinë aforfe, ndërsa nga ana tjetër, drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, është kundërpërgjigjur duke thënë se "Kush nuk paguan dënohet". Braçe u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën kundër KESH-it përpara zyrës së Kryeministrit Berisha. Nënkryetari i grupit kuvendor të PS-së kundërshtoi me forcë rritjen e çmimit të energjisë, duke argumentuar se shqiptarët po paguajnë çdo ditë paaftësinë e qeverisë. "Rritja e çmimit në 12 lekë, njëkohësisht i korrespondon rritjes prej 71% të çmimit për njësi, që është edhe rritja më e lartë e ndodhur ndonjëherë. Dua të sjell në vëmendjen e shqiptarëve se më 3 korrik të 2005-ës, çmimi i energjisë ishte vetëm 4.5 lekë për kilovat/orë", theksoi Braçe. PS-ja nuk heq dorë nga thirrja drejtuar qytetarëve për të mos paguar energjinë aforfe, e cila pasohet me protesta edhe kundër rritjes së çmimit të energjisë. "Në emër të grupit parlamentar të PS-së dhe të vetë PS-së, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të protestojnë dhe të kundërshtojnë këtë rritje marramendëse të çmimeve nesër, duke iu bashkangjitur të gjitha shoqatave të tjera para zyrës së Kryeministrit, Sali Berisha", tha ai. PS-ja kundërshton me forcë faturat aforfe të energjisë elektrike, duke e konsideruar këtë veprim të Korporatës Elektroenergjetike vjedhje të hapur që i bëhet shqiptarëve dhe vepër penale që dënohet me ligj. Nënkryetari i grupit kuvendor të PS-së, Erion Braçe, tha se faturat aforfe duhet të merrnin fund më 31 dhjetor 2004, ndërkohë që vendimi i Entit Rregullator të Energjisë është marrë më 28 janar 2008, dhe është botuar në Fletoren Zyrtare më 30 janar po të këtij viti. Është totalisht jashtë justifikimit faturimi aforfe për vitin 2006, 2007 dhe 2008. Dje, drejtori i KESH-it u mundua të mohonte faktin se korporata që ai drejton ka faturuar energji elektrike aforfe në muajin janar të këtij viti, kohë kur ky lloj faturimi ka qenë thellësisht i paligjshëm", është shprehur ai.
Reagimi i KESH-it
Deklaratat e socialistëve për mospagimin e faturave aforfe nuk janë pritur mirë nga KESH-i. Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergji Bojaxhi, u bën thirrje konsumatorëve se nuk do të tolerohet askush që nuk paguan energjinë elektrike, apo që e vjedh atë me mënyra të ndryshme. Duke iu referuar deklaratave të deputetit Erion Braçe dhe aksionit të kryer në një fshat të Beratit ku u kapën disa qytetarë të cilët merrnin energji para sistemit të matjes, Bojaxhi deklaron se një shtetas i Beratit, i cili kishte abuzuar me energjinë dhe kishte shkelur ligjin do të kalojë për ndjekje penale. Bojaxhi akuzoi deputetin Braçe se po merr në mbrojtje njerëz që shkelin ligjin. "Në vend që të bëjë pagesën e energjisë elektrike dhe dëmin që ka shkaktuar me vjedhjen e kësaj energjie, përpiqet që të marrë mbështetje politike dhe është e turpshme që një deputet i Kuvendit shqiptar, pavarësisht se cilës force politike i përket, të përpiqet që të mbrojë vjedhësit dhe hajdutët e energjisë elektrike. KESH-i nuk do të lejojë në asnjë mënyrë vjedhjen e energjisë nga çdo person. Kushdo që del dhe bën thirrje për mospagesë të faturave të propozuara nga KESH-i është duke shkelur ligjin dhe është e turpshme që një deputet del dhe flet në emër të një partie për të shkelur ligjin", deklaroi kreu i KESH-it. Bojaxhiu, nga ana tjetër, sqaron se faturat aforfe janë të miratuara dhe ato do të paguhen në çdo rast. "Faturat e KESH-it me vendim të Kuvendit shqiptar janë tituj ekzekutivë. Edhe sikur KESH-i apo individë të saj të bëjnë gabime në lëshimin e tyre, këta individë do të ndëshkohen, por kjo nuk do të thotë që të mos paguhet fatura e energjisë elektrike", theksoi Bojaxhiu. Sipas tij, aksionet e KESH-it për kapjen e personave që vjedhin energjinë elektrike do të vazhdojnë në të gjithë territorin e vendit dhe kundërvajtësit do të ndëshkohen sipas ligjit.