E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli dhe Basha: Ja si do ta ndihmojmë Kosovën

Zyrtarët e Kosovës zbarkojnë në Tiranë pas shpalljes së pavarësisë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mbërritur dje në mesditë në Tiranë, ku është takuar me homologen e tij, Jozefina Topallin, dhe shefin e diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha. Ministri i Jashtëm shqiptar ka pritur në godinën e ministrisë Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili shoqërohej nga anëtarët e kryesisë, Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti. Ministri Basha i ka uruar mirëseardhjen delegacionit të parë zyrtar nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Ministri Basha dhe Kryetarja Topalli kanë bërë me dije se çfarë do t‘i ofrojnë Kosovës pas njohjes së pavarësisë.

Ajo çka Ministria jonë e Jashtme ofron për shtetin më të ri të botës është vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Po të njëjtin qëndrim mbajti edhe Kryetarja e Kuvendit. "Godina që iu dhurua ambasadës së Kosovës është pikërisht një godinë shumë pranë Kuvendit. Është gjëja më e natyrshme. Ajo që ne diskutuam me Kryetarin Krasniqi dhe nënkryetarët ishte se cila do të jetë dinamika, sa i thellë dhe real do të jetë bashkëpunimi mes dy kuvendeve. Do të ketë shkëmbime mes komisioneve parlamentare. Gjithashtu do të vëmë në dispozicion gjithë eksperiencën tonë", tha Topalli. "Ashtu sikurse Kuvendi i Shqipërisë ka pasur mbështetjen e kuvendeve të tjera në procesin e integrimit edhe Kuvendi ynë do të bashkëpunojë ngushtësisht me Kuvendin e Kosovës për të ecur përpara në këtë sfidë. Sigurisht që Kosova do të ketë konferencën e donatorëve që do të përqendrohen tërësisht në drejtimet e zhvillimit ekonomik social dhe ajo do të jetë diçka shumë e madhe, e rëndësishme dhe një mbështetje e jashtëzakonshme në ndërtimin e një demokracie funksionale", tha Kryetarja e Kuvendit. Kryetari Krasniqi në fjalën e tij ka kërkuar që serbët e Kosovës të integrohen, pasi Kosova tashmë është një vend i pavarur. Kryetari i Kuvendit të Kosovës e ka cilësuar vonesën e Maqedonisë për njohjen e pavarësisë si çështje të procedurave që duhet të ndërmarrin institucionet e Maqedonisë, por nuk ka përjashtuar edhe vështirësitë e tjera që pengojnë Maqedonisë të njohë Kosovën. "Ata kanë deklaruar se do të jenë në vijën e qëndrimeve të shteteve evropiane dhe besojmë se njohja e Kosovës nga Maqedonia do të ndodhë së shpejti", tha ai. Kryetari Krasniqi ka dhënë edhe vlerësimin e tij për tërheqjen e misionit të BE-së, EULEX, nga Mitrovica Veriore, duke u shprehur se "misioni Eulex ka një rol të veçantë dhe besoj se ata do të kthehen, sepse në atë pjesë janë forcat e KFOR-it". Gjatë takimit në Kryesinë e Kuvendit, Topalli u shpreh se Kosova dhe Shqipëria janë faktorë stabiliteti.

Kryetari Krasniqi falënderoi Kryetaren Topalli, Kuvendin dhe të gjithë institucionet e Shqipërisë për mbështetjen dhe lobingun e bërë për pavarësinë e Kosovës. Krasniqi vlerësoi veçanërisht vendimin e qeverisë së Shqipërisë për ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. "Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë më intensive dhe do të funksionojnë në një tjetër stad", tha Krasniqi. Kryetarja Topalli theksoi se raportet mes dy vendeve janë shumë të veçanta dhe në këtë moment është domosdoshmëri vendosja e marrëdhënieve ekonomike, shëndetësore, arsimore apo edhe kulturore në një nivel më të lartë. Ajo shprehu të gjithë mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë, duke ofruar të gjithë përvojën e këtij institucioni për Kuvendin e Kosovës dhe shprehu bindjen në përballimin me sukses të sfidave në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të ri, por me vlera të mëdha shtetformuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›