E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Pjesëmarrja në votime, vetëm 30%

Mbyllen me një përqindje të ulët në votime zgjedhjet në Komunën e Paskuqanit. Rreth 26 mijë zgjedhës votuan dje në 18 qendra votimi, për zgjedhjen e kryetarit të komunës dhe zyrtarisht rezultati përfundimtar do të dalë ditën e sotme nga qendrat e votimit. Numërimi i votave ka nisur rreth orës 22:00 dhe rezultatet e kutive të para të votimit kanë dalë në mesnatë.

Në orën 18:00, në përfundim të votimit zyrtar, KQZ-ja konfirmon se pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët. Edhe në Paskuqan, procesi ka vijuar të ketë një pjesëmarrje të ulët të elektoratit që janë drejtuar në qendrat e votimit. Për sa i takon pjesëmarrjes në votime, ritmi ka qenë i ulët që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Zëdhënësi i institucionit qendror zgjedhor, nisur nga rezultatet paraprake në 8 QV të Komunës Paskuqan konfirmon se pjesëmarrja në votime deri në orën 12:00 ka qenë 25 për qind. Pra ajo që vihet re është fakti se ata persona që kanë pasur ndërmend të votojnë janë drejtuar në kutitë e votimit që në orët e para të mëngjesit, dhe pas orës 12:00, numri i tyre ka qenë vetëm 5% deri në orën 18:00 kur është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit.

KQZ

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, bëri të ditur menjëherë pas mbylljes së orarit zyrtar të votimeve se procesi i votimit u mbyll i qetë dhe deri në fund të procesit në KQZ nuk është paraqitur asnjë ankesë. Olli vuri në dukje se nga informacionet që kanë ardhur, si nga drejtuesit e KZQV-së, ashtu edhe nga inspektorët e KQZ-së, që kanë ndjekur nga afër këtë proces votimi, gjithçka ka ecur normalisht dhe është zhvilluar një proces i qetë zgjedhor. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, i gjithë materiali zgjedhor është mbyllur në komisionet e qendrave të votimit dhe më pas u dërguan pranë vendit të numërimit të votave. Zëdhënësi i KQZ-së konfirmoi se "rreth orës 18:40, pranë vendit të numërimit të votave mbërritën edhe materialet e para nga dy qendra votimi".

Votimi

Në orën 7:00, në 18 qendrat e votimit, procesi ka nisur normalisht konform të gjitha procedurave, ndërkohë që edhe shpërndarja e bazës materiale dhe trajnimi i komisionerëve është bërë sipas afateve të përcaktuara me ligj. Në mesditë, ashtu sikurse ishte parashikuar në afate, është bërë trajnimi i anëtarëve të grupeve të numërimit të votave. Për kreun e Komunës së Paskuqanit kandidonin përballë njëri-tjetrit Fatos Rexha, i mbështetur nga Partia Demokratike, dhe Gjin Markaj, kandidati i PSD-së, i cili gëzon edhe mbështetjen e subjekteve të opozitës. Në Komunën e Paskuqanit votojnë 26 mijë e 102 votues, në 18 qendra votimi. Sipas Ollit, "përveç disa problemeve teknike, procesi zgjedhor në tërësinë e tij ka qenë i qetë dhe pa probleme, ndërkohë që është zhvilluar në kohë procesi i trajnimit të anëtarëve të grupeve të numërimit të votave". Incidente të vogla janë shënuar gjatë pasdites, në dy qendra votimi, mes komisionerëve për certifikatat. Ndërkohë që ecuria e procesit të votimit është ndjekur në terren nga një grup inspektorësh të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet e 24 shkurtit në Komunën Paskuqan u zhvilluan pas ndarjes së papritur nga jeta të ish-kryetarit të saj, Jashar Hoxha, përfaqësues i PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›