PS: Premtimet e qeverisë, të parealizuara
Partia Socialiste ka dalë kundër politikave të qeverisë në fushat e ekonomisë. Sipas socialistëve, këto politika cilësohen si të gabuara dhe përmbajnë një kosto të lartë për jetesën e çdo familjeje shqiptare. Stabilitetin makroekonomik në vend, socialistët e kanë etiketuar si të dështuar me politikat e ndërmarra nga qeveria. "Papunësi masive, çmime të larta në treg dhe qeverisje të dështuar në çdo nivel", janë kritikat e socialistëve në adresë të kabinetit "Berisha". Sipas kampit opozitar, administrata në pushtet nuk i përmbush dot detyrimet bazë që ka ndaj qytetarëve, për të mundësuar zhvillimin ekonomik normal të këtij vendi, as sot dhe as në të ardhmen. Socialistët konfirmojnë edhe një herë se qeveria ka dështuar në rolin e saj kryesor për të siguruar një qeverisje dhe jetesë më të mirë për shqiptarët.