E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Skemat e paligjshme, qeveria krijon hapësira

Socialistët nuk kanë lënë pa komentuar funksionimin e skemave piramidale në qytetin e Korçës. Deputeti Taulant Balla konstatoi dje me ironi se "skema e ‘Vefës‘ është zëvendësuar nga skema e Sali Berishës; skema e ‘Kamberit‘ nga ajo e Mediut, Pollos, Ndokës e Xhuvelit". Opozitarët mendojnë se në Gjykatën e Tiranës janë depozituar më shumë se 40 ankesa të qytetarëve përkundrejt këtyre debitorëve. Kjo ka rikthyer edhe njëherë në Shqipëri frikën e viteve ‘96-‘97. "Frikën e humbjeve të parave të ndershme të shqiptarëve në disa skema, të cilat sigurisht për shkak të paaftësisë së qeverisë, por ndoshta edhe për shkak të mbështetjeve të pjesëtarëve të caktuar të qeverisë, po grabisin paratë e shqiptarëve, ashtu siç bënë me paratë e shqiptarëve edhe në vitin ‘97", argumentoi Balla. Sipas tij, kjo qeveri grabitëse po vazhdon t‘i varfërojë çdo ditë edhe më shumë shqiptarët, për vetë faktin se kjo qeveri po rishfaq edhe njëherë, në mënyrë të tmerrshme, të njëjtat skema, të cilat grabitën paratë e shqiptarëve në vitin ‘97. Balla u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme, të fillojnë menjëherë hetimet lidhur me ato ankesa që kanë paraqitur qytetarët. Qeveria, akuzoi Balla, po krijon hapësira për këto skema të paligjshme financiare, prej të cilave qytetarët shqiptarë i kanë humbur njëherë kursimet e tyre dhe është e pakuptimtë të rikthehen edhe njëherë ato skema. PS premton se do ta ngrejë këtë shqetësim edhe në Kuvendin e Shqipërisë, për t‘u kërkuar institucioneve të qeverisë, institucioneve të drejtësisë, që të fillojnë menjëherë ndërhyrjen për të kontrolluar moszgjerimin e këtyre skemave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›