"Piramida" në Korçë, pranga tregtarëve Lluka dhe Nikolla
Policia e Korçës ka vendosur në pranga dy pronarët, Jani Lluka dhe ortakun e tij Ilia Nikolla, pronarë të rrobaqepësisë "Inter Konfeksion Korça". Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimit të depozituar në policinë e Korçës nga kambistët Dylber Gjiriti dhe Arjan Terolli. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Korçës, Erion Prendi, bën të ditur se arrestimi i dy biznesmenëve u krye pasi ndaj tyre ka nisur procedimi penal për veprën penale të mashtrimit, duke u marrë shtetasve të mësipërm shumën prej 25000 dollarësh dhe 1000000 lekësh të reja. Burime të policisë së Korçës bëjnë të ditur se ka qenë Zyra e Krimit Ekonomiko-financiar që depozitoi kallëzimin e kambistëve dhe menjëherë ka ngritur akuzën e mashtrimit për Llukën dhe Nikollën. Sipas të njëjtave burime mësohet se menjëherë është marrë kontakti telefonik me dy të paditurit, për t‘u paraqitur në policinë e Korçës. Më pas, të ndaluarit për mashtrim kanë mbërritur në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës rreth mesnatës së të premtes.
Të gjendur përballë agjentëve të krimit ekonomik, janë vendosur para dy deponimeve, që kishin dhënë kundër tyre Gjiriti dhe Terrolli. Veçmas nga njëri-tjetri ata kanë deklaruar se dy pronarët e rrobaqepësisë u kanë marrë shuma të konsiderueshme të hollash. Sipas deklarimeve të dhëna në polici në periudha të ndryshme kohe, Nikolla dhe Lluka i kanë marrë Gjiritit shumën prej 25 mijë dollarësh, kurse Terrollit shumën prej 1 milion lekësh. Megjithëse edhe para agjentëve të krimit ekonomik, dy ortakët kanë njohur borxhin dhe do ua kthejnë sa më parë që të jetë e mundur. Por duket se për dy ortakët ky zotim ka qenë i kotë, pasi oficerët e policisë gjyqësore u komunikuan ndalimin për t‘i vazhduar hetimet në dhomat e paraburgimit. Dy ditë më parë, në një intervistë për "Shqip", dy biznesmenët korçarë e kanë pranuar borxhin që u kanë disa qytetarëve, por duke qenë se firma e tyre ishte në vështirësi financiare, nuk kishin mundësi t‘i kthenin të hollat. Prej disa ditësh në policinë e Korçës janë regjistruar disa denoncime në ngarkim të dy biznesmenëve, ndërsa dy çështje të tjera civile ishin në gjykim për kthimin e borxheve.