E Diel, 1 Nëntor 2026

Helikopterët u çojnë ushqime të izoluarve që kërkojnë vetëm rrugë

Helikopterët e Ministrisë së Brendshme kanë nisur të shpërndajnë ushqime në fshatrat e bllokuar nga dëbora në Veri të vendit, ndërsa ende nuk është bërë asnjë përpjekje për të zhbllokuar rrugët e këtyre fshatrave. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, njoftoi dje se ka nisur dërgimi i ndihmave ushqimore në disa zona të bllokuara nga bora në Veri dhe Verilindje. Konkretisht, janë dërguar ndihma në Komunat Zapod dhe Kalisë të Kukësit, në Lurë dhe Ostren të Dibrës dhe në Iballë të Pukës. "Produktet që përfshihen në këto ndihma janë makarona, oriz, fasule, vaj, sheqer, konserva mishi dhe fruta-perime, si dhe pluhur larës. Sasia e ndihmës së dërguar në komunat e sipërpërmendura, ditën e sotme, është 3.3 tonë", tha zëdhënësi, ndërsa saktësoi se ndihmat janë marrë në dorëzim nga krerët e njësive përkatëse vendore.

Por, edhe pse me disa thasë miell e ca kilogramë makarona më shumë, banorët e zonave të izoluara nuk ndihen më të qetë.

Arrni dhe disa komuna të tjera të thella në Rrethin e Kukësit dhe atë të Tropojës, mbeten të izoluara edhe pas "alarmit" që dhanë dje në media për zhbllokimin e rrugëve drejtues vendorë atje. Më problematike paraqitet situata në Komunën Arrën, ku për hir të së vërtetës duhet thënë se ka pasur edhe abuzime lidhur me të kërkuarit ndihmë. Vetë kryetari i Komunës së Arrnit, Ilir Doçi, tha se kishte kërkuar ndihmë nga shteti që të dërgojë mjete për të hapur rrugën, që banorët të lëvizin lirisht, por nuk kishte kërkuar thasë mielli, pasi sipas tij do të abuzohej me ndihmat. "Mendoj se po të dërgohen ndihma ushqimore, do të ketë abuzime dhe asgjë tjetër. Për këtë arsye nuk na ndihmojnë të hapim rrugën", tha ai, duke shtuar se kishte udhëtuar në Tiranë, pikërisht për ndihma në mjete për hapjen e rrugës. Doçi tha gjithashtu se fshatarët kishin aq rezerva ushqimore sa për të kapur pranverën, por që rruga do t‘u shërbente për të gjitha rastet e tjera, si emergjencat shëndetësore. "Para disa ditësh e kam dërguar me makinën time një grua të sëmurë në spitalin e Kukësit, duke udhëtuar me zinxhirë dhe me një grup punëtorësh, që e shtynin makinën kur ajo ngecte", thotë Doçi.

Shkollat dhe çerdhet në Arrën kanë plotësuar me kohë nevojat për dru zjarri për ngrohje, por mungesa e rrugës i rrezikon nxënësit. Banorët udhëtojnë në këmbë për shumë orë nga vendi ku i lë rruga e makinës, ndërsa e vetmja lidhje, por e vështirë, bëhet nga zona e Mirditës dhe jo nga Kukësi. Petrit Coka, 40 vjeç, nga Arrni, tha se kishte udhëtuar dje nga Tirana, ku kishte kryer një vizitë mjekësore dhe ishte kthyer në Arrën nëpërmjet një linje rurale furgonësh, që e çoi deri në Lurë dhe pastaj kishte udhëtuar në këmbë.

Zyra e Emergjencave në Prefekturën e Kukësit pohoi vështirësinë në qarkullimin rrugor në tërësi në zonat e Kukësit dhe Tropojës, madje shefi i zyrës, Azem Tema, tha se një numër komunash si Gryka e Çajës, Kalisi, Zapodi, Lekbibaj etj., nuk arrihen me mjete motorike. "Kërkojmë të hapen rrugët. Ushqime kemi mjaft në magazinat e emergjencave, por askush nuk e kërkon një gjë të tillë", tha Tema, dhe shtoi se gjithsesi, prefektura ka kontaktuar me Dikasterin e Emergjencës në Tiranë, nga ku ka marrë miratimin për dërgimin e helikopterit në zonat e izoluara.

Akulli dhe dëbora, për shkak të temperaturave që vazhdojnë të mbeten tepër ulëta, kanë bërë që qarkullimi në të gjitha rrugët e Verilindjes, përfshi aksin kombëtar Tiranë-Kukës të mbetet mjaft i vështirë. Po ashtu, është ende i pakalueshëm aksi Tropojë-Has, si dhe ai Tropojë-Qafë Mali. Në segmentin e Qafës së Malit paraqesin problem të veçantë automjetet e tonazhit të rëndë, të cilët në kthesat e ngushta shkaktojnë vonesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›