E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë ngre shtabe mjekësh për të izoluarit

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës që kanë izoluar një pjesë të zonave malore në Shqipëri, nuk do të bëhen shkak krize. Ministri i Shëndetësisë ka përgatitur situatën për përballimin e emergjencave dhe ka ngritur grupet e punës për rastet e bllokimeve të rrugëve. "Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë të gjitha hapat dhe masat e nevojshme për t‘u siguruar ndihmë mjekësore të gjitha zonave të prekura nga reshjet e ditëve të fundit. Konkretisht, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka urdhëruar kohë më parë ngritjen dhe funksionimin e grupeve të emergjencave në çdo rreth, të cilat janë funksionale dhe në krye të detyrës", sqaruan dje burimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas raportimeve të para, për shkak të masave të marra si dhe të ndërhyrjeve në kohën e duhur, deri tani nuk ka pasur raste emergjente me probleme për jetën e qytetarëve. Grupet e emergjencës kryesohen nga drejtorët e Shëndetit Publik dhe kanë në përbërje mjekë të urgjencës dhe të specialiteteve të ndryshme, për t‘u ardhur në ndihmë, në çdo kohë, të gjithë qytetarëve në nevojë. Po ashtu, të 12 spitalet rajonalë kanë ngritur grupet e ndihmës së shpejtë dhe janë në gatishmëri 24 orë. Njëkohësisht, gati për të dhënë ndihmën mjekësore janë edhe spitalet e rretheve që kufizohen me rrethet me probleme. Si pjesë e emergjencave civile shëndetësore janë edhe Njësia e Helikopterëve, Njësia e Ambulancave dhe grupe të posaçme mjekësore të Tiranës. Në rastet kur në qytete si Tropoja shfaqen probleme të furnizimit të rregullt me ujë dhe energji, kryesisht për shkak të dëmtimeve të rrjetit nga temperaturat e ulëta, strukturat shëndetësore në bashkëpunim me Korporatën Elektroenergjetike dhe Drejtorinë e Ujësjellësit janë duke punuar për zgjidhjen e tyre. "Punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore në të gjithë vendin, janë në gatishmëri të plotë për dhënien e ndihmës dhe ndërhyrje në çdo kohë, përfshirë edhe raste të tilla të problemeve që krijohen nga reshjet dhe vështirësitë e komunikimit midis komunave dhe qendrave të mëdha urbane", tha dje zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›