E Diel, 1 Nëntor 2026

Izolohen 6 fshatra të Librazhdit, alarm për mungesën e ushqimeve

Dëbora ka zbritur bashkë me festën e Vitit të Ri në shumë fshatra malorë të rrethit të Librazhdit. Por, shpejt ngazëllimi për të është shndërruar në një luftë mbijetese për njerëzit dhe për gjënë e gjallë. Të paktën gjashtë fshatra në komunën më malore të këtij rrethi mbeten të izoluara pothuajse krejtësisht nga dëbora, trashësia e së cilës i ka kaluar të 40 centimetrat. Dy kryekomunarët e fshatrave të izoluara të Stravajt dhe Sopotit ia kanë dorëzuar "pushtetin" e tyre "vellos" së bardhë. Gati njëmijë banorë jetojnë prej katër ditësh me ushqimet që kishin rezervuar për dimër, por duket se rezervat nuk janë të mjaftueshme. I pari që ka dhënë alarmin për mungesën e ushqimeve bazë ka qenë kryetari i Komunës së Stravajt, Ardian Zeneli, i cili ka telefonuar në prefekturë dhe ka kërkuar ndihma në ushqime. Sipas Zenelit, janë gjashtë fshatra të zonës së Sopotit që rrezikojnë të mbeten pa bukë dhe vaj për shkak të dimrit të egër që i ka gjetur të papërgatitur fshatarët. "Janë fshatra që nuk kultivojnë drithëra buke, për shkak të kushteve klimaterike dhe në kohën që po flasim rrezikojnë urinë, tha kryetari i Komunës së Stravajt, Ardian Zeneli, për gazetën "Shqip". Sipas tij, rrezikohen banorët e fshatit Sopot, Qendër, Lëpushë, si dhe një lagjeje në Holtën e Sipërme, të cilëve u janë sosur rezervat e miellit, vajit dhe orizit. Tradicionalisht, rreth 500 banorë të këtyre fshatrave grumbullojnë miellin e dimrit që në vjeshtë, sikurse edhe ushqimet e tjera, por varfëria ka bërë që këtë vit të mos kenë mundësi t‘i sigurojnë në kohë këto ushqime. Të vetmet të ardhura në këto fshatra krijohen nga shitja e gjësë së gjallë, por për shkak të kushteve atmosferike, banorët nuk kanë mundësi të zbresin në qytet për të shitur qengja e viça në këmbim të miellit, vajit e makaronave. E njëjta situatë është edhe në fshatrat e sipërm të Komunës së Polisit. Sipas kreut të kësaj komune, janë të bllokuar tërësisht banorët e fshatrave të Polisit, Polis-Vilan e Gurëshpatë, që kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për furnizime në miell e ushqime të tjera. Ndërkohë, nga shtabi i emergjencës në Prefekturën e Elbasanit mësohet se të paktën tri akse rrugore të zonave kryesore rurale në rrethin e Librazhdit janë bllokuar tërësisht nga dëbora. Sipas informacioneve të marra nga krerët e pushtetit vendor në Stëblevë, Qarrishtë dhe Stravaj, dëbora e ditëve të fundit ka bllokuar kalimin në tri arteriet kryesore rurale të këtij rrethi. E pakalueshme mbetet rruga që lidh Komunën e Stëblevës me Peshkopinë, pasi në Qafën e Lunikut bora dhe ngrica bën të pamundur lëvizjen e mjeteve motorike. E njëjta situatë mbetet edhe në zonën e Qarrishtës, si dhe në veri të fshatit të Stravajt, për të kaluar në Holtë, drejt rrethit të Gramshit. Krerët vendorë kërkojnë spostimin e punonjësve dhe mjeteve të rrugëve urbane në këto zona malore, pasi nuk kanë në organikë punonjës të mirëmbajtjes së rrugëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›