Banka e Shqipërisë identifikon rreth 215 mijë kreditorë
Të dhënat e fundit nga regjistri i kredive flasin për një numër prej 205,519 individë që kanë marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë. Ky numër është hedhur në regjistër deri në datën 7 mars dhe përfshin të gjithë kategorinë e personave që kanë marrë kredi në banka. Nga këto, rreth 10 mijë kredimarrës i përkasin sektorit privat në vend, ndërsa pjesa e mbetur i takon individëve, tashmë të identifikuar nga Banka e Shqipërisë. Aktualisht, bankat kanë hedhur në regjistër portofolin aktiv të kredive, si dhe ngarkojnë çdo ditë të dhëna për kreditë e reja. Në momentin e fillimit të funksionimit të regjistrit të kredive, në të rezultonin 201.729 kredi të regjistruara, si dhe të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë. Të dhënat konsiderohen konfidenciale, që do të thotë se askush nuk ka të drejtë të marrë informacion rreth individëve që kanë marrë kredi. Nga ky rregull përjashtohen individët që kanë hyrë garant për të afërmit ose miqtë, të cilët duan të informohen rreth mbarëvajtjes së shlyerjes së kredisë. Pranimi i kësaj kërkese kërkon kohën e saj, në mënyrë që të kryhen të gjitha verifikimet për qëllimin e të interesuarit. I vetmi synim i ngritjes së regjistrit të kredive ka të bëjë me identifikimin e personave që kërkojnë të marrin kredi, nëse ata kanë bërë të njëjtën gjë me bankat e tjera, si dhe për të mësuar historikun e tyre. Konkretisht, në regjistër do të hidhen të gjitha CV-të e personave që kanë marrë ose shlyer kreditë përgjatë viteve të fundit. Lidhur me identifikimin e rasteve me kreditor të "këqij", BSH heziton të japë informacion, por garanton se së shpejti pritet të ndërmerren veprime, pas monitorimit të kryer në regjistër. Për bankat e nivelit të dytë, problem kryesor mbeten individët, të cilët kanë marrë kredi konsumatore, pa qenë nevoja të bllokojnë garanci (kolateral). Numri i tyre, siç shihet nga të dhënat e fundit është goxha i lartë, dhe për këtë arsye, regjistri i kredive ka për detyrë të identifikojë të gjithë klientët, në çdo rast kur e kërkon punonjësi i autorizuar i bankës së nivelit të dytë. Bankat do të ngarkojnë çdo ditë kreditë e reja, si dhe do të përditësojnë çdo fund muaji statusin e shlyerjes së kredive. Regjistri përmban informacione pozitive dhe negative për kredimarrësin dhe këto të dhëna do të ruhen në regjistër për 5 vjet.