Taksa e re mbi të ardhurat që vijnë nga trafiqet
Qeveria, me anë të Ministrisë së Financave, po shikon të gjitha mundësitë ligjore për të gjetur mënyrën e krijimit të të ardhurave, duke u nisur nga numri i madh i projekteve infrastrukturore që kërkojnë financime të konsiderueshme. Pasi vendosi kalimin e pagave dhe transfertave (në limit të caktuar) me bankë për sektorin privat, vendosi paga referuese dhe unifikoi tatim-fitimin me të ardhurën personale me 10 për qind, tashmë ka gjetur një mënyrë origjinale për të siguruar të ardhura në formë më të shpejtë, madje pa cenuar aktivitetin e subjektit privat. Bëhet fjalë për tatimin që duhet të paguajnë individë të ndryshëm për të ardhurat e siguruara nga aktivitete të jashtëligjshme. Këtu përfshihen kryesisht aktiviteti i prostitucionit, korrupsioni, kontrabanda e deri te trafiqet e drogës dhe armëve. Kjo risi është e sanksionuar në projektligjin e ri të miratuar javën që shkoi në Këshillin e Ministrave, "Për Procedurat Tatimore". Sipas këtij ligji, që Kryeministri e vlerësoi si "kushtetutën tatimore", neni 6 e tij përcakton se, "Detyrimi tatimor lind edhe kur personi realizon të ardhura, kryen pagesa në formë të jashtëligjshme apo bëhet zotërues i një sendi në forma të jashtëligjshme". Më tej, ky nen sqaron se, kur personi bëhet pronar i një sendi në forma të jashtëligjshme, ky detyrim përllogaritet për të gjithë periudhën në të cilën personi ka gëzuar frytet e asaj pasurie. Burime nga Ministria e Financave sqarojnë për gazetën se, me "detyrimet fiskale ndaj të ardhurave nga aktivitete të jashtëligjshme" u referohen të ardhurave shtesë që individi nuk i ka deklaruar për shkak të veprimtarisë antiligjore, si p.sh prostitucioni. "Një subjekt ka të licencuar hotelin, bashkë me bar-restorantin, ku me të ardhurat që krijon, detyrohet t‘i paguajë shtetit taksa, si tatim-fitim etj. Por në rastet kur konstatohet se nga ky aktivitet janë siguruar të ardhura shtesë nga prostitucioni, personi përgjegjës përveçse do t‘i përgjigjet ligjërisht veprës penale të kryer, do të derdhë pranë tatim-taksave detyrimet që ka krijuar nga ky aktivitet, duke paguar 10 për qind tatim-fitim. Për sa i takon llogaritjes së detyrimit, kjo do të bëhet në bazë të akteve nënligjore që pritet të dalin së shpejti për zbatim", shpjegon burimi i ministrisë. E reja në ligj është marrë nga praktika e vendeve të Bashkimit Evropian, por mbi të gjitha shkurton afatet për sigurimin e të ardhurës nga aktiviteti i jashtëligjshëm në xhep të shtetit, duke qenë se proceset gjyqësore për konfiskimin e pasurisë zgjasin me vite. Lidhur me këtë nen të ligjit "Për Procedurat Tatimore", Këshilli Konsultativ i Biznesit (KKB), ku bëjnë pjesë shoqata biznesi të sektorëve të ndryshëm, i drejtuar nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i kanë dërguar një letër ministrit të Financave, duke i kërkuar sqarime rreth përmbajtjes së kësaj pike. Sikundër kanë vepruar me ligjin në tërësi, KKB-ja ka kërkuar nga Ministria e Financave se, "Paragrafi i parë i nenit 6 ka nevojë për një qartësim më të mirë juridik, pasi nuk mund të bëhesh pronar i një sendi në forma të jashtëligjshme. Maksimumi mund të posedohet në mënyrë të jashtëligjshme".
Bllokimi i llogarive bankare
Po në ligjin e ri "Për Procedurat Tatimore", neni 90, në kuadër të formave për të vjelë detyrimet ndaj bizneseve, tatimorët kanë të drejtë me anë të një urdhri të bllokojnë llogaritë bankare të tatimpaguesve. Ligji sqaron se do të veprohet në këtë mënyrë në rastet kur tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar në përputhje me nenin 89 të këtij ligji për njoftimin dhe kërkesën për pagesë. Administrata tatimore nëpërmjet një urdhri me shkrim të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale apo i njësisë së ngjashme me të apo titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore, i kërkon çdo banke në të cilën tatimpaguesi ka llogari në emër të vet të mbajë një shumë, e cila duhet të jetë më e vogla ndërmjet shumës që kërkohet të mbahet; dhe shumës që rezulton në atë moment në llogarinë bankare të tatimpaguesit. Me përjashtim të rasteve kur ligji i fushës e ka parashikuar ndryshe, nëse në bankën ku tatimpaguesi ka llogarinë bankare, ka edhe urdhra pagese të tjera, urdhri i lëshuar nga administrata tatimore ekzekutohet i pari.