E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vojo Kushi", Pollo inspekton palestrën 700 mijë euroshe

Akademia e vetme sportive në vend do të pajiset këtë vit me një palestër të re moderne e multifunksionale, me vlerë 700 mijë euro. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, i shoqëruar nga rektori i Akademisë, Vesel Rizvanolli, inspektoi dje punimet në këtë palestër që pritet të përfundojë në qershor të këtij viti. Sipas tij, palestra e ardhshme e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve është një investim madhor që konfirmon angazhimin e MASH për edukimin fizik, për sportet, për këtë akademi.
Punimet kanë nisur në shtator të vitit 2007 dhe përfshijnë 2 fusha basketbolli, 2 fusha volejbolli, ambiente ndihmëse, si dhomë zhveshjeje, dhomën e pedagogut, sallë force, dushe, meremetimin e ambienteve të brendshme të Akademisë, si dhe ndërtimin e një parkingu. Për nga përmasat kjo palestër, më e madhja në nivel universitar, do të mund të funksionojë edhe si një pallat sportesh. Deri më sot, Akademia ka pasur një palestër gjimnastike dhe atletike dhe më parë 600 studentët e kësaj akademie ushtroheshin në terren në qiell të hapur. Sipas rektorit Vesel Rizvanolli, Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve në bashkëpunim me partnerë evropianë ka reformuar edhe kurrikulën, duke ofruar programe studimi si: shëndeti përmes studimit, fitness-i, sporti për çdo moshë. Akademia e edukimit fizik dhe sporteve, "Vojo Kushi", është i vetmi institucion arsimor i lartë sportiv në vend. I themeluar në 1958, ai ka nxjerrë prej 50 vitesh breza të tërë mjeshtra sportivë dhe mësues fiskulture.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›