E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë koeficientet, shtyhet dorëzimi i formularit A1

Më 10 mars maturantët duhet të dorëzojnë formularët A1 pranë drejtorisë së shkollës. Por duket se asnjëri prej tyre s‘është gati për këtë vendim të rëndësishëm. A do të marrin pjesë në konkursin e shkollës së lartë dhe cilat lëndë me zgjedhje do të japin provim? Ky është vendimi që duhet të marrin deri në ditën e sotme dhe ta shprehin edhe në formular. Maturantë të gjimnazeve të Tiranës shprehen për "Shqip" se ende nuk janë njohur me gjithë koeficientet dhe ç‘është më e rëndësishmja me koeficientet e lëndëve për Universitetin e Tiranës. Sipas tyre, formularët i kanë ndër duar, por s‘mund t‘i plotësojnë, sepse nga koeficientet varet një sasi e konsiderueshme e pikëve të konkursit të shkollës së lartë. Lidhur me shqetësimin e tyre, MASH deklaron se "të rinjtë kanë marrë informacion mbi koeficientet përmes shtypit të përditshëm, që ka botuar gjithçka për Maturën Shtetërore". Gjithsesi, kjo ka qenë një mundësi e madhe informacioni, por mësuesit dhe drejtorët e shkollave i kanë udhëzuar nxënësit e tyre të ndjekin linjën zyrtare. Mësohet se zyrtarisht koeficientet për Universitetin e Tiranës ende nuk kanë mbërritur në ndonjë shkollë të mesme të vendit, ndërsa kanë shkuar ato të universiteteve rajonalë apo të universiteteve të tjera në Tiranë.

Problemi qëndron në faktin se UT-ja ka kërkuar të mos ketë fare koeficient për llojin e shkollës së mesme, por vetëm për lëndët. Kërkesë kjo që ende nuk është miratuar nga MASH. Ky dikaster thekson se për momentin të rinjtë nuk e kanë të nevojshme të dinë koeficientet për llojin e shkollës, por vetëm për lëndët. Dhe për këto të fundit janë njohur nga media.

Në bazë të rregullave të Maturës Shtetërore, konkursi i pranimit në shkollë të lartë funksionon sipas skemës; dy provime të detyruara dhe dy me zgjedhje në fund të vitit të katërt. Me dhënien e lëndëve me zgjedhje kandidatët kanë dhënë edhe konkursin e shkollës së lartë. Por dega ku do të konkurrojnë kushtëzohet nga lloji i shkollës dhe lloji i lëndëve pikërisht nga koeficientet. Koeficientet janë të barabartë me preferencën e çdo fakulteti për një lëndë mësimore, apo për një lloj profili të shkollës së mesme. Kështu, për shembull, Fakulteti i Drejtësisë preferon të pranojë maturantë që japin provim me zgjedhje Historinë dhe Njohuri për Shoqërinë. Këtyre dy lëndëve u ka vendosur koeficientin 1.3. Pra maturantët që dëshirojnë të ndjekin këtë fakultet, duhet të japin këto dy lëndë për të pasur më shumë mundësi për fitore, përkarshi një kandidati tjetër që ka zgjedhur dy lëndë të tjera me koeficient më të ulët për këtë fakultet. Ndaj edhe informacioni që duhet të marrin të rinjtë është mjaft i rëndësishëm, në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjen e saktë, duke kalkuluar pikët e koeficienteve me dëshirat e tyre për shkollë të lartë.

Janë dy lloje koeficientesh për pranimet në shkollat e larta. Pesë koeficientet e llojit të shkollës së mesme dhe dy koeficientet e llojit të lëndës me zgjedhje. Për të parët rregullorja thotë që "çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për 2 e më shumë lloje shkollash. Secila nga 3 notat e para (nota mesatare dhe 2 notat për provimet e lëndëve të detyruara matematikë e gjuhë-letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht llojit të shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Ndërsa për koeficientet e lëndëve me zgjedhje, të preferuara nga dega e shkollës së lartë, rregullorja thotë se "çdo degë e shkollës së lartë shpall gjithashtu parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit të saj natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të 2 koeficienteve të tjerë me vlerë 1.3 ose 1.0. Secila nga 2 notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›