Bankat e huaja nuk ulën kostot
Hyrja në tregun shqiptar e bankave të fuqishme të huaja nuk ka sjellë përfitimet e pritura në uljen e kostove për qytetarët, por edhe në shërbimet e ofruara për ta. Banka e Shqipërisë deklaron se tregu bankar në vend mbetet ende larg modernizimit të tij pavarësisht hyrjes në të të shumë bankave me emër në Evropë. "Përfitimet ekonomike nga prania e bankave të huaja nuk kanë arritur ende në masën e duhur dhe mbeten akoma larg asaj që do të dëshironim, për sa i përket uljes së kostos së ndërmjetësimit, përmirësimin e mëtejshëm të administrimit të rrezikut, si dhe njësimin e sistemeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar", thuhet në një raport të Bankës Qendrore. Të dhënat krahasimore me vendet e rajonit tregojnë se Shqipëria është një nga vendet me interesat më të larta të kredive në rajon, pavarësisht qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit.
Interesat
Shqiptarët paguajnë interesat më të larta në rajon për kreditë që marrin nga bankat private. Sipas raporteve të Bankës Qendrore interesat e kredisë në vendin tonë janë më të ulëta vetëm se ato që zbatohen në Serbi, ndërsa janë dukshëm më të larta se ato të vendeve të tjera të Ballkanit dhe Europës Qendrore e asaj Lindore. Më konkretisht, norma mesatare vjetore e interesit të kredive aktualisht në Shqipëri është 14.1 për qind me një inflacion mesatar vjetor prej 3 për qind, ndërkohë që mesatarja e rajonit është 12 për qind, por kjo mesatare është ndikuar shumë nga norma e lartë prej rreth 16 për qindësh e interesave në Serbi. Por norma vjetore e inflacionit në Serbi është gati 17 për qind, çka logjikisht bën që bankat të përdorin interesa më të larta për kreditë që japin për shkak të zhvlerësimit të shpejtë të monedhës së tyre. Pas Shqipërisë, në listë për norma të larta të interesit të kredisë, vjen Rumania, ku interesat janë rreth 13.9 për qind. Ndërsa vendet e tjera janë të gjithë poshtë nivelit të 10 për qindëshit. Por nëse për dy vendet e mësipërme, Serbisë dhe Rumanisë normat e larta të interesave për kreditë shpjegohen me përqindjen e lartë të kredive të pakthyera, të cilat arrijnë deri në 8 herë më të larta se ato të vendit tonë, në Shqipëri këto interesa janë të pashpjegueshme.
Rreziku oligopol
Në fakt, me gjithë numrin e madh të bankave që operojnë në vendin tonë, një studim i fundit i Bankës së Shqipërisë e ka cilësuar tregun bankar me konkurrencë monopolistike, që do të thotë se ekziston një shkallë diferencimi në sistem, ku bankat operojnë në segmente të ndryshme të tregut dhe ofrojnë produkte të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo e shoqëruar me kërkesën e lartë të ekonomisë për para çon në norma të larta të interesit për kreditë që japin bankat. "Përqendrimi i aseteve dhe kredive bankare në pak banka tregtare mbart rreziqet që të krijojë një situatë oligopolistike, ku pak lojtarë kanë në dorë kushtet për kredi të reja. Kjo do të vinte në vështirësi dhe do të rriste koston e investimeve qofshin këto në sektorin publik, privat apo atë familjar", thotë Banka Qendrore.
Transparenca
Në më shumë se një rast, guvernatori i bankës nuk ka ngurruar të akuzojë bankat në publik se kanë mungesë të theksuar transparence. Kjo qoftë në raport me publikun, qoftë në raport me vetë Bankën Qendrore, si institucioni që i monitoron bankat private. "Këtu ka banka që e ndryshojnë normën e interesit brenda ditës, pa bërë asnjë lajmërim", thotë njëri nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës që nuk do të identifikohet. Por një fenomen i çuditshëm ndodh edhe me bilancet e bankave. Këto të fundit asnjëherë nuk i raportojnë ato në kohë te Banka Qendrore ndonëse e kanë për detyrë ta bëjnë këtë.