Tiranë, i ftohti pushton shkollat. Nxënësit, lekë për soba gazi e furnela
Ndërsa temperaturat e ulëta kanë pushtuar gjithë vendin dhe dëbora ka mbërritur deri në bregdet, nxënësit vuajnë të ftohnin në shkolla. Të ngërthyer fort me shallë e kapuça, ata bëjnë mësim pa i nxjerrë duart nga xhepat. Në Tiranë, ngrohja në shkolla varet vetëm nga vullneti i mësuesve e drejtorëve të shkollave dhe prindërve. Ndërsa Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës janë ende duke zgjidhur problemin e kompetencave për këtë çështje. "Të gjitha fondet për ngrohjen dhe mirëmbajtjen u kalojnë si grand i pakushtëzuar bashkive dhe komunave në bazë të numrit të popullsisë". Kështu u shpreh dje për "Shqip" drejtoresha e investimeve në Ministrinë e Arsimit, Arta Tane. Pas kësaj deklarate ne e ndalëm vrapin në dyert e Bashkisë së Tiranës. Shefi i investimeve këtu, Albert Lenja, shprehet se "përgjegjësia është e jona dhe e drejtorisë arsimore. Sa për fondet, ato janë shumë të vogla. Për shembull, për kopshtet buxheti i shtetit na ka dhënë 40 milionë lekë për këtë vit, ndërsa nevojat janë më të mëdha". Sipas Lenjës, fondi i ngrohjes nënkupton paratë për lëndën djegëse, që në rastin konkret është nafta. "Ne përpiqemi të sigurojmë ngrohjen vetëm në ato shkolla që i kemi rikonstruktuar vetë", thotë Lenja. Ndërsa të tjerat mbeten në mëshirë të fatit.
Në qytetin e Tiranës janë vetëm 18 shkolla që kanë ngrohje qendrore me naftë, por janë plot 32 të tjera që nuk kanë kaldajë dhe për të cilat bashkia nuk përgjigjet. Do të ishte një mrekulli që të paktën të ngroheshin nxënësit e 18 shkollave me kaldajë. Ata kanë të njëjtin fat si të tjerët, që mësojnë në shkolla ende të papajisura me ngrohës qendror. "Nuk punon kaldaja, nuk ka punonjës mirëmbajtjeje për të, s‘ka naftë, kaldaja pëson defekte teknike". Këto janë arsye të mjaftueshme që ngrohja të mos funksionojë rregullisht në këto shkolla. Këto probleme t‘i thonë hapur si nxënësit, ashtu si edhe drejtorët e shkollave dhe mbi të gjitha ato gjenden në raportet e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, siç pranojnë autoritetet.
Por falë guximit të mësuesve dhe drejtorëve, shkollat kanë vënë vetë mjete ngrohëse me korrent dhe me gaz, edhe pse ky i fundit është i ndaluar nga Drejtoria e Shëndetit Publik. "Kemi mbledhur lekët dhe kemi blerë një sobë me gaz", shprehet Ema që mëson në një gjimnaz të Tiranës. Sipas saj, tani klasa është më e ngrohtë se më parë. Por edhe rezistencat që vendosen në prizë në orarin kur ka drita janë një tjetër zgjidhje momentale e këtyre ditëve të ftohta. Në të gjitha shkollat e kryeqytetit, drejtuesit e shkollave në bashkëpunim me prindërit janë përpjekur të gjejnë një rrugë për t‘i shpëtuar të ftohtit të madh.
Duhet theksuar se drejtorët e quajnë problemin ende të pazgjidhur për sa kohë nuk ka një ngrohje qendrore dhe një person që të merret enkas me këtë punë. Dhe ç‘është më e rëndësishmja, të ketë një fond të mjaftueshëm për lëndën djegëse. Kështu, edhe ky dimër, ashtu si edhe shumë të tjerë, po kalon me problemin e madh të ngrohjes në institucionet arsimore të vendit, i cili ka lënë pasoja në shëndetin e fëmijëve, që gjatë gjithë dimrit i zënë ethet dhe temperatura.