Miratohet kredia tregtare e BERZH-it
Qeveria shqiptare do të financojë ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë përmes një kredie tregtare, që do të merret nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin "Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugës Levan-Vlorë". Në projektligj parashikohet një hua prej 22 milionë euro nga BERZH-i për ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë. Projekti i rrugës Levan-Vlorë, pjesë e seksionit Paneuropian të korridorit të tetë, parashikon ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Vlorë, të gjatë 24.2 km, me katër korsi. Kostoja e përgjithshme e parashikuar për këtë projekt arrin në 60.2 milionë euro, përfshirë këtu kontributin e qeverisë shqiptare që përballon taksat, shpronësimet dhe TVSH-në.
Kredia
Kredia e BERZH-it ka një normë interesi të barabartë me atë të huasë prej 230 milionë euro që qeveria ka marrë tek dy bankat greke, "Alfa Bank" dhe "Banka Kombëtare Greke" për financimin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Norma e interesit është e barabartë me euribor + 1 për qind, që me normën aktuale të euriborit shkon në gati 5.6 për qind. Por përveç kësaj, BERZH-i do të zbatojë dhe një komision që është i barabartë me 1 për qind të shumës së kredisë ose e thënë ndryshe me gati 220 mijë euro të tjera që qeveria do të jetë e detyruar t‘i paguajë kësaj banke sipas marrëveshjes së huasë. Huaja do të shlyhet për 15 vjet dhe ka një periudhë ku nuk paguhet interes për tre vitet e para. Pak më e zbutur është kredia që ofron Banka Evropiane e Investimeve. Interesi i saj është euribor + 0.4 për qind, ose e thënë ndryshe rreth 5 për qind. Kjo bankë nuk mban komision dhe në 5 vitet e para qeveria nuk do të paguajë interes. Ministri Bode, duke falënderuar dy donatorët për mbështetjen që i kanë dhënë programeve të qeverisë veçanërisht për zhvillimin e shpejtë të infrastrukturës shqiptare, e konsideroi huanë me interes relativisht të leverdishëm. Ndërkohë marrëveshjet janë përshëndetur edhe nga përfaqësuesit e BERZH-it dhe BEI-t, të cilët kanë vlerësuar bashkëpunimin e mirë me qeverinë shqiptare.
Rruga
Përurimi i fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj rruge është bërë nga Kryeministri Berisha gjatë fushatës elektorale të këtij viti, kur kredia nga dy institucionet nuk ishte miratuar ende. Kjo shkaktoi reagimet e forta të opozitës, e cila madje akuzoi qeverinë se kishte shkelur rëndë procedurat, duke nisur punimet pa miratuar më parë kontratën me firmën ndërtuese. Projekti parashikon ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Vlorë, të gjatë 24.2 km, me katër korsi. Punimet parashikojnë ndërtimin e një seksioni të ri rrugor nga Levani (19 kilometra në Jug të qytetit të Fierit) drejt qytetit të Vlorës. Gjatësia totale e këtij seksioni është 24.2 kilometra dhe parashikohet të ndërtohet si rrugë me 4 korsi.
Aktualisht kanë përfunduar procedurat e prokurimeve për shoqërinë konsulente dhe supervizore si dhe për ndërtimin. Është shpallur shoqëria italiane "Italconsult" me vlerën tashmë të kontraktuar prej 700 mijë eurosh për shërbimet e konsulencës dhe supervizionimit, si dhe shoqëria ALPINE MAYREDER BAU GMBH me vlerën e kontraktuar prej 41.9 milionë eurosh për ndërtimin.