Epidemiologjia: Virozë apo epidemi gripale, përgjigjja në janar
Situata e virozës së stinës, që ka përfshirë vendin, po shton dita ditës pacientët në spitale. Megjithatë, ende nuk ka asnjë prononcim zyrtar për rënie të një epidemie gripale. Çdo ditë, në pediatrinë e spitalit "Nënë Tereza" paraqiten nga 150 deri në 250 raste të sëmurësh të vegjël. Ndërsa në urgjencën e të rriturve paraqiten plot 60-100 raste në ditë. Sipas prononcimeve zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, deri tani nuk mund të thuhet asgjë nëse kjo virozë ka kaluar në epidemi, por po merren masat e para. Në çdo qytet të vendit, ku ISHP-ja ka degët rajonale, janë marrë kampione për t‘u ekzaminuar më pas në mënyrë të hollësishme në laboratorët e institutit. E gjithë kjo punë është parashikuar të përfundojë në fund të muajit dhjetor, për të dhënë më pas të dhënat përfundimtare në fillim të janarit 2008. ISHP-ja ka deklaruar se deri tani nuk mund të flitet për epidemi, pasi fluksi i krijuar në spitalin "Nënë Tereza" ka ardhur vetëm si pasojë e mosrespektimit të hallkave, nga mjeku i familjes tek ai specialist. "Ka një mosbesim te mjeku i familjes, që i detyron qytetarët të paraqiten për ndihmë në urgjencën e spitaleve të mëdha. Simptomat e para të kësaj viroze janë dhembje të forta koke, temperaturë e lartë dhe shqetësime gastrointestinale. Por, temperatura është një nga shenjat kryesore të kësaj viroze, kryesisht 39 gradë Celsius. Ka raste kur ka edhe probleme pulmonare, që zakonisht në punën e përditshme mjekët mes tyre e deshifrojnë si një lloj astme, megjithëse ka ndryshim nga kjo patologji. Viroza shoqërohet me të vjella, kryesisht shqetësime gastrointestinale, rrufë, pacienti ka kollë të thatë, lotim të syve, por mbi të gjitha temperaturë shumë të lartë. Disa nga këshillat që japin mjekët gjatë këtyre ditëve të ftohta është qëndrimi në ambient të ngrohtë, ajrosja, konsumimi i lëngjeve dhe frutave me vitamina. Qytetarët duhet të respektojnë sistemin e referencës, duke u drejtuar te mjeku i familjes. E këshillueshme është banja me ujë të ngrohtë, me temperaturën e trupit. Temperatura e ujit mund të matet me termometër uji, ose në rast të mungesës së këtij termometri, mund të matet me të njëjtin termometër që matim temperaturën trupore.