E Diel, 1 Nëntor 2026

"Një e katërta e shqiptarëve, në emigracion"

"Shqipëria është aktualisht një ndër vendet me fluksin më të lartë të emigrimit në Evropë dhe në botë". Një konfirmim të tillë e bën vetë ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve. Ndërkohë që numri i fuqisë punëtore që ka emigruar jashtë Shqipërisë është tejet i lartë dhe rreth një e katërta e popullsisë ka braktisur atdheun. Ministri Barka, duke iu referuar të dhënave dhe studiuesve, citon se "aktualisht jashtë vendit ndodhen rreth 1 milion shtetas shqiptarë. Pra, fluksi migrator i shqiptarëve arrin në rreth 25-30 për qind e popullsisë së vendit, ose 35-37 për qind të popullsisë në moshë pune". Por gjithashtu, falë emigrantëve që në pamundësi për t‘u sistemuar në vendin amë jetojnë dhe punojnë jashtë, sigurohen të ardhura të konsiderueshme që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e ekonomisë së brendshme. Kështu, ministri i Punës sqaron se niveli i remitancave, ose të ardhurave nga emigracioni, po rritet me ritme të shpejta, duke arritur nga 152 milionë USD më 1992, në mbi 1 miliard dollarë më 2006 dhe 2007. E ndërsa emigracioni nuk mund të konsiderohet si një kënaqësi më shumë në jetë, por në pjesën më të madhe të rasteve si një sakrificë për mbijetesë dhe motivim, qeveria ka tentuar të hartojë edhe politika për përdorimin e tij si një faktor dhe burim për nxitjen e zhvillimit të vendit. Ministri Barka shprehet se "ka filluar bashkëpunimi me vendet pritëse për të siguruar kushte për shkollimin e brezit të dytë dhe të tretë të emigrantëve në gjuhën amtare, me synim kombinimin e integrimit të komunitetit të emigrantëve me ruajtjen e identitetit të tyre kulturor". Arsimimi në gjuhën amtare të fëmijëve të shqiptarëve që lindin jashtë vendit mbetet një problem tejet i mprehtë për t‘u zgjidhur nga ana e qeverisë shqiptare. Ndërkohë që një tjetër tentativë është ajo për bashkëpunimin me vendet e destinimit të emigrantëve për përgatitjen dhe formimin profesional të tyre në teknologjitë e reja të prodhimit e shërbimeve, në përshtatje me kërkesat e tregut të huaj të punës. "Së afërmi pritet të nënshkruhet një marrëveshje e re punësimi me Italinë, e cila do të krijojë hapësira të reja për instalimin e emigrantëve të rinj shqiptarë në tregun italian të punës dhe formimin profesional të tyre në Shqipëri me burime financiare të qeverisë dhe rajoneve italiane", theksoi Barka. Sipas tij, synim kryesor mbetet dekurajimi i potencialit të fluksit migrator, nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve për punë e jetesë normale e dinjitoze në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›