E Diel, 1 Nëntor 2026

"Sistemi ‘Moxhi‘ funksionon përsëri"

Në Pallatin e Drejtësisë së Napolit është zhvilluar seanca dëgjimore për 37 të akuzuar - drejtues federalë dhe të klubeve të futbollit, përgjegjësit e gjyqtarëve dhe asistentët - të përfshirë të gjithë në hetimin rreth "Calciopolit". Në sallë, nga personat e përfshirë në hetim, ishin prezent një numër mjaft i vogël: mes atyre që nuk e paraqiten binte në sy Luçiano Moxhi. "Sistemi Moxhi vazhdon të funksionojë, pra me fjalë të tjera është ende aktiv". Akuza e rëndë, që hedh hije të tjera dyshimi në futbollin italian është deklaruar publikisht nga prokurorët Filipo Beatriçe dhe Xhuzepe Narduçi. Dy drejtuesit më të lartë të hetimit të startuar në vitin 2004 mbi mashtrimin sportiv, sistem i ngritur dhe i drejtuar nga Moxhi, kanë paraqitur edhe provat e reja. Përpara gjykatësit të seancës, Eduardo De Gregorio, prokurorët kanë paraqitur fakte të reja rreth "Luçiano Moxhit, ish-zv/president i federatës e ish-drejtues i Juventusit, Inoçenco Macinit dhe personave të tjerë të lidhur me ata". Bëhet fjalë për përgjime të reja telefonike, të cilat i përkasin periudhës tetor 2006 - mars 2007. Sipas palës akuzuese, nga të gjitha regjistrimet të akuzuarit synonin që me sistemin e tyre të vazhdonin të kishin kontroll të plotë në kampionatin italian.

Për hetimin më të fundit të ngritur rreth skandalit në futbollin italian mendohet se të përfshirë në grupim kriminal me qëllim mashtrimin sportiv, janë edhe disa persona të tjerë. Ndërkohë, në seancën që zgjati afro një orë e gjysmë, në një sallë të vogël të mbipopulluar nga avokatët janë paraqitur edhe akuzat e 19 subjekteve: Coni, FIGC, Liga profesioniste, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Politikave për të Rinjtë, RAI, klubi i Atalantës, Breshias, Leçes, Udinezes, Salernitanës, ish-presidentit të Bolonjës, Gaconi Fraskara, gazetares Françeska Sanipoli, disa shoqatash të konsumatorëve, një personi të abonuar te "Sky" dhe një bastexhiu, të cilët kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e pësuara. Seanca e radhës është parashikuar të bëhet më datë 8 shkurt 2008.

Rreth provave të reja (përgjimeve telefonike), avokati i Moxhit, Paolo Trofino ka deklaruar: "Nuk mendoj se dokumentacioni i depozituar sot (dje) flet për veprime të paligjshme, megjithatë nuk mund të flas me siguri, pasi ende nuk e kam parë përmbajtjen e letrave. Mua më duket se bëhet fjalë për kontakte normale të Moxhit me bashkëpunëtorët e tij. Moxhi flet me gjithkënd". Sipas zërave, në fashikullin e dorëzuar ka edhe biseda telefonike të "Big Luçianos" edhe rreth shitjes së klubit të Sienës. Ndërkohë, gjyqtari Xhanluka Paparesta përpara gjykatësve deklaroi se Moxhi nuk i ka dhënë asnjë skedë telefonike zvicerane, edhe kjo pjesë e një hetimi të lidhur me "Calciopolin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›