Bjork, këngëtarja rebele
Për Bjork, kohët e fundit duhet të kenë qenë me të vërtetë të mërzitshme. Pas të gjitha albumeve mbresëlënëse me të cilat ka mrekulluar gjithmonë publikun, veshjeve që e kanë lënë atë shpesh herë pa mend, tingujve muzikorë që e kanë futur në një botë ndryshe, tani këngëtarja që ka bërë të famshëm me emrin e vet gjithë Islandën duket se nuk ka me çfarë të surprizojë më njerëzit. Të paktën deri pak ditë më parë, sepse sapo është ngjitur sërish në skenë të papriturat nuk kanë vonuar. Gjatë koncertit të saj në Shangai të Kinës, ajo këndoi një këngë me një titull shumë provokues: "Deklarata e Pavarësisë" që kishte të bënte me Tibetin. Ndërsa këngëtarja performonte në skenë disa nga pjesëmarrësit bërtisnin: "Tibet! Tibet!". Ky lloj sulmi ndaj qeverisë kineze ishte në fakt si të godisje elefantin me pupla. Në prag të Lojërave Olimpike, shumë artistë të famshëm kanë ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të njeriut në Kinë dhe zgjidhjes së çështjeve të rëndësishme, njëra prej të cilave është edhe Tibeti. Një nga këta artistë është edhe regjisori i famshëm i Hollivudit, Steven Spielberg. Por nëse vetë ai si më i madhi i regjisorëve nuk mund të ndikonte aspak në politikën e Kinës, si mund ta bënte këtë një këngëtare e vetme, qoftë kjo edhe Bjork? Fillimisht incidenti i koncertit të islandezes nuk ishte raportuar në media, madje as në televizionin shtetëror, por ndikimi i tij u ndje diku tjetër. Dy ditë më parë, ministri i Kulturës së Kinës lajmëroi se do të vendoste rregulla shumë strikte për artistët e huaj që do të interpretonin në Kinë, për të parandaluar daljen e situatës jashtë kontrollit/ Sa për vetë këngëtaren, ajo veçse një personalitet shumë i veçantë i botës së muzikës shpesh ka bërë avokaten e të drejtave të njeriut. Edhe vetë rasti i Tibetit nuk është një fillim, por një vazhdim për islandezen. Në vitet ‘90 ajo mori pjesë në dy koncerte të mëdha pro Tibetit që u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy ditë para marrjes pjesë në koncertin e Shangait, Bjork gjatë një koncerti në Japoni ia dedikoi këngën e saj "Deklarata e Pavarësisë" shtetit më të ri të botës, Kosovës. Ky ishte edhe shkaku i anulimit të koncertit të saj në Serbi paracaktuar për t‘u zhvilluar në verë. Autoritetet serbe të irrituara nga qëndrimi i këngëtares ia prenë rrugën duke e konsideruar një person të padëshirueshëm. Kënga në fjalë është pjesë e albumit të saj të fundit dalë në vitin 2007 me emrin "Volta". Kënga është shkruar fillimisht për ishujt Faroe dhe Grinlandën, të cilat aktualisht ndodhen nën sundimin danez. Këngëtarja 42-vjeçare e ka kategorizuar gjithmonë veten si një anarkiste dhe një person kundra rrymës. Ajo kurrë nuk ka votuar duke preferuar që ta japë mendimin e vet qytetar në lidhje me politikën jo përmes votës, por përmes formave të tjera. Një nga mjetet që ajo përdor është veshja. Mendoni nuk preferon të veshë kurrë xhinse, apo bluza të bardha pambuku, pasi ato janë mishërim i imperializmit amerikan. Të njëjtin refuzim ka edhe ndaj Coca-Cola-s. Aktiviteti i saj jashtë sferës së muzikës mori masivitet pas vizitës që bëri në Banda Aceh, menjëherë pas cunamit të vitit 2004, në rolin e ambasadores së UNICEF-it. Ajo përvojë e nxiti që të nxirrte në treg për qëllime bamirësie një koleksion të këngëve të saj më të mira, në formë të përpunuar dhe vetë ato çka patën një ndikim shumë të madh në punën e mëtejshme. Albumin "Volta" e hap kënga "Dhunuesit e Tokës", një këngë akuzë ndaj njerëzve që qeverisin planetin dhe një thirrje për revoltë. "Do të duhej një cunam i vërtetë me njerëz që të sulmonte Shtëpinë e Bardhë, ta shkulte nga toka dhe të vendoste drejtësi", është shprehur Bjork në një intervistë në lidhje me këtë këngë. Bjork Guomundsdotir është një njeri që rebelimin e ka në gjak. Ka lindur në Rejkiavik, kryeqyteti i Islandës dhe u rrit nga e ëma, një aktiviste feministe, si dhe njerku një kitarist bluzi. Në fëmijëri mori mësime pianoje dhe regjistroi një album të vetin që në moshën 11-vjeçare. Në adoleshencë nisi të luante nëpër bandat e ndryshme punk për t‘u bërë e njohur ndërkombëtarisht në vitin 1986 me grupin "Sugarcubes". Debutimi i parë ishte me albumin "Jeta është shumë e mirë", e cila zuri vendet e para në klasifikimet britanike dhe shënoi njëherazi për Islandën e vogël një sukses të jashtëzakonshëm në fushën artistike. Në këtë valë të parë të suksesit, Bjork solli në jetë fëmijën e saj të parë, Sindri, që tani ka një grup të vetin muzikor. Babai i fëmijës ishte bateristi i grupit, Thor Eldon. Këngëtarja la pa mend audiencën e saj kur në një koncert tregoi barkun e saj të fryrë, ndërsa performonte në skenë. Pas ardhjes në jetë të fëmijës, çifti u nda sikurse edhe vetë grupi në vitin 1992 dhe Bjork shkoi të jetonte në Londër për të vazhduar e vetme karrierën e saj në vendin që i dha famë dhe mbështetje për herë të parë. Në vendin e saj ajo ka qenë gjithmonë një fenomen jashtë serie. Me fytyrën e saj të bardhë si një elf i vogël, me sytë që i shkëlqejnë gjithmonë si fëmijë dhe me zërin gjithashtu fëminor dhe me një inteligjencë që hera-herës të habit, ajo punon në një ambient ku nuk ka fare konkurrentë dhe si pasojë është unike. Një pozicion të tillë ajo e pati që në nisje të karrierës dhe edhe pse kanë kaluar shumë vjet Bjork është një nga personazhet që e kanë bërë të famshme Islandën në botë. Ndër këngët që i dhanë më shumë famë ndërkombëtare janë "Sjellja njerëzore", "Kohë e madhe sensualiteti". Novacionet e këngëtares mbështeten te muzika elektronike, ajo pop dhe rok, si dhe te mbështetja në elementet e folklorit të vendit të saj. Spektri i guximit të saj muzikor është shumë i madh. Ai nis me këngët klasike islandeze dhe përfundon me ritmin e muzikës së Broadway. Muzika e saj nuk i merr në konsideratë konvencionet e vendosura. Lirika e saj nuk rimon dhe ritmet në vetvete u shmangen të gjitha normave. Shija e saj për radikalizëm dhe ndryshim ka bërë që të përfshijë në orkestrën e saj një numër të madh veglash të reja e të rralla muzikore me të cilat i pëlqen që të eksperimentojë pafund. Të mos harrojmë një nga elementët më të rëndësishëm të një artisteje të rrallë si Bjork: zërin. Ai shpesh shfaqet si një belbëzim fëminor për të marrë befas, brenda së njëjtës këngë tonalitetet e larta të shprehjes së inatit apo të epshit seksual. Ka një nga tonalitetet më të përsosura në botë dhe një zotërim të jashtëzakonshëm të vokalit. Gjatë viteve që jetoi në Britaninë e Madhe, Bjork u njoh edhe me anën e errët e të qenurit i famshëm e në qendër të vëmendjes. Pasojat e një jete në dritat e skenës i ndjeu në marrëdhëniet e saj private ndaj ka pasur jo pak përplasje, madje edhe personale e të dhunshme me paparacët që e ndiqnin kudo. Që nga viti 2000 është zhvendosur në Nju Jork për t‘u shpëtuar përndjekjeve të medias. Bjork është origjinale edhe në veshjen dhe paraqitjen e jashtme, madje ajo ka ngjallur gjithmonë po aq diskutime sa edhe muzika. I tillë është rasti i fustanit prej mjellme që veshi natën e ndarjes së çmimeve "Oskar" në vitin 2001, apo veshja që përdori gjatë pjesëmarrjes në hapjen e Lojërave Olimpike të Athinës në vitin 2004. Megjithatë, përveç eksperimenteve dhe vokalit të jashtëzakonshëm, apo refuzimit që u bën normave, ndjellja e vërtetë e Bjork është mistika që fshihet pas këngëve të saj. Ajo duket sikur vjen nga një tjetër realitet, një realitet me përmasa të tjera, që për të tjerët është i largët e i pakapshëm. Bjork luan me imagjinatën, me të padukshmen, por me atë që intuitohet dhe njëherazi pëlqehet në thellësitë e shpirtrave njerëzorë, me një pëlqim që është i paartikulueshëm, por shumë i ndjeshëm. Suksesi e ndoqi Bjork edhe në Shtetet e Bashkuara ku ajo është kthyer në një princeshë të vërtetë të zërit. Për sa i përket njërës prej këngëve të saj të fundit, të sipërpërmendurës: "Deklarata e Pavarësisë" sipas disa kritikëve nga ana muzikore ajo është një rrëmujë e vërtetë. Suksesi muzikor i Bjork i dha asaj hapësirë që të shtrijë kreativitetin edhe në sfera të tjera. I pëlqen që të rrethohet nga njerëz që eksperimentojnë pa fund dhe që nuk e pëlqejnë idenë e bindjes ndaj rregullave të vjetra duke synuar gjithmonë risitë. Dhe kjo në të gjitha fushat. Me persona të tillë ka arritur që të krijojë disa nga videot më moderne e të ndryshme të të gjitha kohërave. E tillë është videoja "Ushtria e vetes sime". Bjork ka eksperimentuar me sukses edhe me filmin. Krijimin e parë serioz e bëri me danezin Lars von Trier, i cili e ftoi që të bënte kolonën zanore të filmit të tij "Kërcimtari i errësirës" në vitin 1999. Më pas ajo mori pjesë edhe si aktore kryesore në këtë film. Kjo pjesëmarrje i dha çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin e Kanës. Më pas e ka përsëritur përvojën me partnerin e saj artistin konceptual amerikan Mathew Barney në filmin e tij të vitit 2005. Çifti jeton së bashku që nga viti 2000 dhe kanë sjellë në jetë edhe një vajzë që tani është 5 vjeç. Bjork është e dashuruar me dy gjëra në veçanti me kulturën e Lindjes së Largët dhe me detin, ose ujin. Ato janë pjesë e të gjitha performancave të saj. Kjo vlen edhe për albumin e saj të fundit "Volta". Në thelb ajo çka Bjork sipas përkufizimit për veten nuk pëlqen është rezistenca ndaj politikës së organizuar, por edhe ndaj çdo feje që merr përmasat e një partie politike apo çdo strukture që tenton të ushtrojë pushtet.
Jeta
Ka lindur: Në Rejkiavik të Islandës më 21 nëntor të vitit 1965
Shkollimi: Ka marrë mësime klasike pianoje në shkollën fillore. Një nga mësueset e saj dërgoi në radion lokale një pjesë muzikore të Bjork dhe që prej andej lindi albumi i saj i parë në vitin 1977
Karriera: Albumi i parë: "Jeta është shumë e mirë", në vitin 1988. "Bebutimi" në vitin 1993, "Posta" 1995, "Homogjenik" 1997, "Vespertin" 2001, "Medulla", 2004 dhe "Volta" 2007
Familja: Bashkëjeton me një artis dhe ka dy fëmijë
Ka thënë: "Nëse nuk prodhoj muzikë unë nuk funksionoj. Është një domosdoshmëri që e kam që nga lindja. Është si uria, apo etja".
Kanë thënë: "Duket si një vajzë e vogël, por është jashtëzakonisht e zgjuar. Nuk kam punuar kurrë me një person si ajo", Lars Von Trier