E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse njerëzit e zgjuar bëjnë budallallëqe?

"Çfarë dreqin po mendonte të bënte ai burrë?" - është ndoshta pyetja më e thjeshtë në botë, por një ndër më të përsëritura që nga mbrëmja e të hënës kur lajmi se guvernatori Eliot Spitzer, një nga njerëzit me imazh të lartë politik që i kishte shpallur luftë korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend, ishte prej kohësh klient i një rrjeti prostitucioni mori dhenë.

Nëse do të provohet se guvernatori i Nju Jorkut ishte vërtet i përshirë në aferë të tillë, kjo do të jetë hera e parë kur një njeri i pushtetshëm, me një imazh të lartë në jetën publike ka bërë diçka kaq të pamenduar që mund t‘i kushtojë shtrenjtë në karrierën e tij. Atëherë lind pyetja se përse njerëzit e zgjuar të suksesshëm, ndërmarrin veprime të tilla, të rrezikshme? Për psikologët dhe analistët politikë të cilëve gjenden përpara analizimit të së ashtuquajturës "Spitzer Story", kjo është një çështje e vezës me pulën. Në situata të tilla, a mundet që sjelljet e rrezikshme t‘u paraprijnë punëve të rëndësishme apo ndoshta të qenit në pushtet shkakton këtë lloj sjelljeje?

"Jemi të gjithë qenie njerëzore"
Shumë mendojnë se është një ndërthurje mes të dyjave. "Jemi të gjithë qenie njerëzore", thotë Leon Hoffman, një psikoanalist nga Nju Jorku. "Këto impulse janë më se të zakonshme. E nëse është një prostitutë apo një dashnore, që dikush zgjedh kjo është një pyetje tjetër". Më tej, Hoffman shpjegon se mund të jetë hija e pushtetit rreth një politikani të rëndësishëm ajo që e bën atë të ndihet i sigurt nga pasojat. "Kjo është ajo që quhet psikologjia e përjashtimit", thotë Hoffman, ish-kryetar i shoqatës së psikologëve amerikanë. "Njerëzit në pushtet ndonjëherë mendojnë se mund të bëjnë gjëra që ne të tjerëve nuk na lejohet t‘i bëjmë. Është një ndjenjë e njëjtë me atë të adoleshentëve që askush nuk mund t‘i arrijë". Analisti politik, Steven Cohen, tregohet i kujdesshëm për të nxjerrë përfundime rreth ndikimit korruptues që mund të sjellë të qenit në pushtet. "Problemi është se ne nuk e dimë se kur ka nisur kjo lloj sjelljeje te ky person", thotë Cohen, profesor i administrimit publik në "Columbia University". "Politikanët janë si të gjithë ne dhe fakti se nuk janë të përsosur dhe bëjnë edhe budallallëqe nuk duhet të na habisë".

Të ruash standarde të larta?

Çështje e vërtetë, thotë Cohen, është se nëse Spitzer duhet të ruajë një standard të ndryshëm etik. Dhe përgjigjja e tij është po. "Nuk po flasim për Britney Spears. Po flasim për një guvernator", thotë ai. "Rezultati është se ai kontrollon policinë dhe kujdeset për sigurinë e shtetit. Ai mund të urdhërojë njerëz që nesër mund të arrestojnë të tjerët, ty, mua, këdo. Kështu që sjelljet e tij private bëhen çështje publike". Një psikolog që ka studiuar dhe punuar me politikanë dhe familjet e tyre mendon se është me të vërtetë diçka ndryshe për njerëzit që kanë pozicione të tilla kaq të rëndësishme. "Për të ruajtur një profil të lartë të pozicionit në të cilin je duhet të besoni se ajo çka ti po bën është tërësisht e drejtë", thotë Renana Brooks nga Uashington DC. "Çdo gjë që nuk është e drejtë, duhet ta lësh pas pa u torturuar nga ndjenja e fajit apo indiferenca. Virtualisht është e pamundur të funksionosh sipas këtyre niveleve pa kufizuar analizën ndaj vetvetes". Guvernatori, që nuk dihet akoma nëse do të japë apo jo dorëheqjen i identifikuar me kodin "Klienti numër 9" në dokumentacionin e paraqitur në gjykatë, është regjistruar teksa lë takim në një hotel me një nga vajzat e rrjetit, sipas burimeve policore të agjencisë "Associated Press". Po sipas këtyre burimeve, Spitzer ishte takuar me një vajzë një ditë para Shën Valentinit dhe kishte paguar 4300 dollarë duke u thënë: "Të njëjtën shumë si herën e kaluar", gjë që ka shtyrë autoritetet të mendonin se nuk ishte hera e parë që Spitzer e bënte diçka të tillë".

Skandalet e mëparshme

Analistët e vjetër të politikës në Nju Jork e shohin të vështirë të shohin "brenda" situatës së Spitzerit pa menduar më parë për politikanë të tillë si Presidentin Klinton të përfshirë në skandalin me Monica Levinsky dhe guvernatorin e Nju Xhersit,

James E. McGreevey, që dha dorëheqjen pasi bëri të ditur se kishte një lidhje me një burrë, pjesëtar të stafit të tij. "Këta janë njerëz vërtet të zgjuar që bëjnë gjëra budallallëqe, madje i bëjnë ato vazhdimisht, thotë Doug Muzzio, profesor për çështjet publike në "Baruch College". Por, deklarata rreth Spitzerit, thotë ai, ishin më tronditëset, sepse guvernatori nuk e fshehu aspak mënyrën e tij të sjelljes, një njeri që kishte luftuar gjithmonë për të drejtën morale. "Asnjë nga ata me të cilët kisha folur...nuk kishte dyshime për këtë", vazhdon më tej Muzzio. Ai tregon se po mendon nëse situata e Spitzerit mund të jetë një rast i ndikuar fort nga shqetësimet me shkaqe mendore apo bëhet fjalë thjesht për një arrogancë e kryelartësi. "Ndoshta mund të jenë edhe të dyja së bashku, një "kokteil" vërtet fatal".

Rreziqet e sjelljes

A mundet që Spitzer, që e njeh më mirë se kushdo tjetër forcën e ligjit, të ketë marrë në konsideratë pasojat e gjithë kësaj. Analistët thonë se zakonisht njerëzit nuk mendojnë për rreziqe të tilla, madje as njerëzit më inteligjentë. Një psikoanalist nga Çikago beson se mund të heqësh paralele të dobishme në rastin e disa pacientëve, nga të gjitha rrugët e jetës që shfaqin një sjellje të rrezikshme jo etike apo ilegale të njohur ndryshe si "krisje" e personalitetit. "Ata mund të jenë njerëz që respektojnë ligjet, të ndjeshëm, të besueshëm, por zakonisht sjellja në fjalë shkaktohet nga ndonjë ankth i madh, stresi në punë apo shtëpi ose të ndjerit i hutuar", rrëfen ai. Shpesh, thotë më tej ai, kjo lloj sjelljeje mund të përfshijë seksin, drogën, ose diçka tjetër si për shembull vjedhjen e një dyqani. "Sjellja e tyre mund të vazhdojë aq gjatë derisa ata nuk ndiejnë asnjë ndjenjë turpi apo faji, derisa zbulohen", përfundon Smaller.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›