E Diel, 1 Nëntor 2026

VRASJA E DASHURIVE Në SHOQëRINë E LëNGUAR

"Dashuri e Harruar" e ka titulluar Dhimitër Xhuvani romanin e tij të 18-të. Titulli i zgjedhur nga autori sintetizon një grimcë të dhimbjes së shpirtit të dashurive të vrara, por dinamika e zhvillimit të ngjarjeve, goditjeve psikologjike, plagët e shpirtit, dhimbjet e zemrës, përplasja e koncepteve, jeta e zhveshur lakuriq dhe e rënduar aq shumë që nga përndjesimet e para e shoqëruar me plagë therëse deri në zhdukjen e tyre, do të mund të përndjesohen nga lexuesi me kërshëri e dhimbje në çdo faqe të këtij libri.

Autori edhe në këtë vepër paraqitet në gjuhën dhe stilin e tij të veçantë letrar, të thjeshtë e të këndshëm në të lexuar, por me një kompleks mënyrash dhe episodesh, me një stil të përsosur që e mban lexuesin në një ankth, ankth që nuk e lëshon as në psherëtimën trishtuese të faqes së fundit, sepse ajo do të vazhdojë të interpretohet dhe të ndjehet edhe më tej. Sepse në këtë ankth, sikurse autorin edhe lexuesin i mban në gjendje trishtimi vetë shoqëria që lëngon.

Romani fillon me dashuri të vrarë dhe përfundon po kështu. Personazhet kryesore u varrosën, por kujtimi i dashurisë mbeti, ngjasë që përmban në vetvete një mesazh të dhimbshëm të autorit. Edhe pse lexuesi mbetet i trishtuar nuk është faji i autorit, por i realitetit shoqëror.

Subjekti i marrë në roman është dashuria, pjesa më e bukur dhe e pandarë e jetës, pa të cilën jeta nuk ka kuptim. Pa atë, nuk ka zhvillim, nuk ka gëzim, nuk ka adhurim as bashkëpunim njerëzor, nuk ka të ardhme, nuk ka shpirt, nuk ka shpresë. Kjo është ana filozofike që përmblidhet në dinamikën episodike të këtij romani. Këtë sentencë autori e zhvillon nëpërmjet personazheve dhe episodeve me një larminitet dhimbjesh në shpirtin e personazheve që bëhet po aq i dhimbshëm dhe i trishtueshëm për lexuesin, sepse ai nuk mund të shkëputet nga përjetimi i këtyre fenomeneve, gjë që e bën autorin e veprës të jetë realist në konceptimin e shoqërisë dhe të trajtimit të saj në veprën e tij letrare. Shumëkush ndjen boshllëkun e madh që nuk ka jetuar jetën e tij, për të cilën autori, nëpërmjet personazheve, psherëtin gjithë shpirt: "E kush e ka jetuar jetën e tij?".

Gjatë episodeve të ndryshme, autori shfaq personazhe të rënduara shpirtërisht dhe psikologjikisht, të dëmtuar e të plagosur nga lufta, që kanë dhimbje dhe trishtimin e gjymtimit të trupit, të skamjes dhe mjerimit, të cilat marrin përmasa edhe më të mëdha atëherë kur është vrarë shpirti - vetë dashuria.

Në qendër të zhvillimit të kësaj vepre autori ka marrë një ish- partizan, Serjan Zgurin, që më pas bëhet oficer madhor, studion në Akademinë Ushtarake të Moskës, me gjoksin e mbushur plot dekorata, i rrethuar me lavdi, lavdi që nuk i reziston fatkeqësisë së tij - dashurisë së harruar. Dashuria e tij ka lindur në kushtet e frikës, nga ligjet e forta të luftës dhe që u zhvillua në dilemën midis "mëkatit të ligjit" dhe ndjenjave të shpirtit. Serjan Zguri përplaset me nivele të ndryshme të jetës: me vajza të reja e të brishta, me fenomene që mbartin prapësira e ngatërresa, ai përplaset me urtësinë e gruas së tij, përplaset me epshe shthurëse në orgji me vajza të bukura, tërheqëse dhe të këndshme, me vuajtje e keqardhje. Të gjitha i mëshiron, madje i përballon, por nuk mundi t‘i rezistojë dashurisë së parë, fisnike e njerëzore, përballë së cilës, edhe pse e ka humbur, përçmon lavdinë e fituar. Nëpërmjet këtij personazhi, autori bën ndërthurjen me personazhet e tjerë, ndër të cilët dallohen femrat me shqetësime e nivele të ndryshme, me plagë të shpirtit, me ëndrra të vrara - që të gjitha pjesë të shoqërisë që lëngon, në hapësira të ndryshme. Personazhi kryesor, Serjan Zguri, përplaset me kundërshtitë e së vërtetës, të "frikës së dashurisë" nga ligji i luftës, me partizanen Neri Dhamo. Atij i vritet dashuria, por vetë nuk guxon që në emër të ligjit të luftës të shtjerë mbi partizanen e dashuruar me skuadërkomandantin. Në episode të tilla të jetës ai është goditur psikologjikisht, ka harruar dashurinë e tij të vyer dhe vuan për të. Edhe pse evoluon në marrëdhënie të reja, në shoqëri të re dhe të zhvilluar, ai nuk mund të harrojë "atë që ka harruar", tek e cila mbetet më legjitimja, më virtuozja, ndjenja e pastër, dashuria e sinqertë. Për këtë dashuri ai mbetet në dilemën e ndrydhjen psikologjike, midis kujtimit dhe harresës, në marrëdhëniet me gruan e tij. Nananë me Galja Smirnovën, studente snobiste plot epsh, bukuri e ndjesi, me vajzën bukuroshe Ljusa Dobroljubovna, e dashur, e sinqertë e mjaft njerëzore, që natyra i kishte falur të gjitha hiret e bukurisë, por që fati e kishte bërë kurvë. Ai vazhdon të ndjehet i tillë, edhe në mes orgjive në lojën "Romashki", të mbushur me kënaqësi epshesh e dëfrimesh, si dhe në shumë episode të tjera të epsheve gjinore. Gjatë të gjithave, ai ndjehet i trishtuar për Nerin e tij engjëllore, me dashurinë e tij të parë, ndjehet i rënduar në shpirt dhe në mëndje - rëndesë që nuk e çliroi gjatë gjithë jetës.

Marrëdhëniet midis episodeve janë tërheqëse, të veçanta dhe funksionale në zhvillim të subjektit. Tërheqëse janë dhe mjediset ku zhvillohen episodet, gjatë të cilave autori në mënyrë të kujdesshme shkrin në funksion të qëllimit kulturën e tij të gjithanshme. Ato zhvillohen në dy vende, në Shqipëri dhe në Rusi, por që Serjan Zguri dhe personazhet e tjerë, i përjetojnë njëlloj, sepse dashuria kudo që është ka gjithnjë po atë vlerë.

Vlera krijuese e autorit në këtë vepër është sa e veçantë në temën që trajton, aq dhe e komplikuar në ngarkesën psikologjike të personazheve, gjë që i jep romanit vlera të mëdha. Në skalitjen e karaktereve të personazheve, sidomos të Serjan Zgurit, autori i mbart me psikologjinë dhe ndërgjegjen e tij me një impresionizëm të kujdesshëm, që zhvillohet në lidhje të pandashme me fenomenet shoqërore. Serjan Zguri e vuan psikologjikisht goditjen e madhe, ndrydhet në vetvete dhe nuk mund të çlirohet. Ai mbetet në vetvete si një induksion i përndjesimeve që vuan gjatë gjithë dinamikës në veprën e autorit. Goditja në shpirt, në ndërgjegjen dhe psikologjinë e tij, nuk mund të gjejë hapësira për t‘u çliruar nga brenga dhe për t‘u shfaqur në shoqëri. Ndaj ai vuan në vetvete i ngarkuar me një impresion logjik nga autori dhe që vetë lexuesit i duhet të mendojë dhe interpretojë. Serjan Zguri është njëherësh bashkëveprues dhe viktimë në lëngatën psikologjike të shoqërisë, ku siç thotë autori (me gojën e personazhit) "dreqi dhe i biri janë bërë ortakë". Në impresionizmin e matur të figurës së Serjan Zgurit, në përndjesimet e tij, ka adhurim për lexuesin dhe motivohet kërshëria në rrjedhshmërinë e këtij personazhi. Autorit i dhemb shpirti për këtë dukuri të fëlliqur të shoqërisë, prandaj demaskon, duke i zbuluar si mediokritetin e nivelit drejtues (ligjin), ashtu edhe prostitucionin, pasojë e varfërisë. Të bie në sy mendimi filozofik që autori shërimin e kësaj lëngate nuk e kërkon me anën e furtunave apo të revoltave, por nëpërmjet zhvillimit, i bazuar në teorinë evolucioniste të Zigmund Freud-it, ndonëse edhe vetë shfaqet i dëshpëruar në zgjidhje të saj. Sidoqoftë impresionizmi letrar në personazhet e tij është tërheqës, kureshtar, i adhurueshëm dhe psikologjikisht i përzgjedhur me tipare të veçanta për secilin personazh, pra një dukuri e veçantë në letërsinë shqipe, natyrë krijuese e Dhimitër Xhuvanit, e shprehur pak a shumë edhe në veprat e tjera të tij. Vlera që na sjellin ndërmend shkrimtarin irlandez James Joyce, apo shkrimtaren bashkëkohore angleze Virginia Woolf, të shquar në krijimtarinë e tyre impresioniste. Megjithatë, Dhimitër Xhuvani nuk mundet ta lërë lexuesin të lodhet në pafundësinë e mbyllur të personazhit kryesor. Nëpërmjet personazheve të tjera mjaft të ndjeshme dhe të shfaqura në shoqëri, ai i skalit ato me një eksperiencë çuditëse me cilësimin e karaktereve, me bukuritë e veçanta femërore dhe përndjesimet e tyre në përputhje me individin, në lakuriqësinë e tyre, sa të ndjeshme aq dhe therëse, i bazuar në një ekspresionizëm letrar të arrirë. Lakuriqësia e femrave shfaqet përpara lexuesit me të gjitha hiret dhe bukuritë e rralla si një eksperiencë përgjithësuese, që nga pikturat e lashta të Zeux-it e deri në krijimtarinë e bujshme të nudizmit modern, të përfaqësuara nga anglezi William Etty dhe suedezi Anders Leonhard Zorn, por që tashmë personazhet e Dhimitër Xhuvanit, përveç hireve dhe bukurisë natyrale, kanë dhe sensualitet të magjishëm, që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë. Në këtë vepër, autori është po aq ekspresionist sikurse Franz Kafka dhe James Joyce. Dhimitër Xhuvani nuk mund ta shkëpusë botën e madhe shpirtërore të femrës pa shfaqjen dukshëm të subjektit të saj, që në rastin konkret ai skalit si të veçanta dhimbjen, bukurinë femërore, psikologjinë e tyre, si një thirrje për vlerësim në shoqërinë e sotme në lëngatë. Dhimbja dhe shqetësimi i autorit për botën femërore janë aq të ndjeshme sikurse te shkrimtarja suedeze Frederika Bremer, apo tek anglezet Dorothy Wordsworth e Susan Byatt dhe të thella si te psikologjia bashkëkohore mbi sensualitetin femëror, Miriam Stoppard. Është e nevojshme të theksojmë se personazhet femërore të Dhimitër Xhuvanit në këtë roman paraqiten njëherësh si subjekt dhe objekt veprues në shoqëri. Pra, pa mëdyshje që autori i librit është në bashkëveprim me krijuesit bashkëkohorë modernë mbi autoritetin dhe vitalitetin femëror në shoqëri. Ai e shtrin këtë fenomen gjerësisht, pa harruar ligjshmërinë biologjike frojdiste, me tipizime të veçanta, gjatë të cilave lexuesi rrëmbehet në hiret e bukurinë e rrallë, në ndjenjat e larmishme gjinore e shpirtërore, të arritjeve më të përsosura bashkëkohore në letërsi dhe në art dhe që mjerisht lexuesi duhet ta vuajë trishtimin tragjik e pesimist të Thomas Hardyt-t, Virginia Woolf-it, apo dhe të Marcel Proust-it.

Dhe për të arritur tek ajo që është më kryesorja te kjo vepër e Dhimitër Xhuvanit, duhet të theksojmë që edhe pse ai ka kompozuar njëherësh dhe mjaft qartë mënyrën impresioniste dhe ekspresioniste më të arrirë në letërsinë shqipe, në psikologjinë dhe filozofinë e tij mbetet një zotërues dhe krijues cilësor i surrealizmit bashkëkohor, apo siç quhet ndryshe i "realizmit magjik". Të gjitha këto ndërthurje i japin kësaj vepre vlera të veçanta të letërsisë moderne dhe me shumë risi në letërsinë shqipe.

Është e nevojshme të ritheksojmë filozofinë e autorit të zbuluar në kundërshtinë psikologjike ndaj lirisë biologjike frojdiane, të dashurisë si dhe të epshit femëror, ndaj të cilave ai përplas episodet e një dëshire epshore të natyrshme kundër dhunës epshore apo kurvërisë publike. Në këtë luftë kundërshtish, autori kërkon të dalë nga "moralizimi" i shtirur, por nuk mund të arrijë një zgjidhje në veprën e tij, sepse e mbyt "zakoni". Kështu që ai mbetet në dilemën "ku është morali?". Me keqardhje themi se autori i librit mbetet i dëshpëruar dhe duhet të pranojë "ndëshkimin" për varrosjen e dashurisë që i sjell fatkeqësi. Prandaj lexuesi ndjen dhe psherëtin me adhurim e keqardhje për jetën e personazheve të librit. I ndjek ato me kërshëri të madhe dhe mundohet që sensualitetit, bukurisë dhe dëshpërimit të tyre t‘u japë diçka nga vetja. Sikurse edhe në veprat e tjera, edhe në këtë roman, autori përdor stilin e tij të veçantë, që ngjason me dallgët e detit, por pa shumë bubullimë e shtrëngatë. Ai kërkon që shoqëria të çlirohet psikologjikisht dhe të shërohet nga plaga që i lëngon, nga shpirti i vrarë dhe mendja e ndrydhur, ku shpirti i krimit është fshehur në egoizmin e njeriut, jo me revolucion, por nëpërmjet një evoluimi kulturor e shpirtëror, sepse kështu shërimi do të jetë më me pak dhimbje dhe i qëndrueshëm. Ai urren diktaturën e të gjitha formave si dhe shtypjen në të gjitha qelizat e shoqërisë. Vepra e Dhimitër Xhuvanit i kalon skajet kombëtare dhe shfaqet si një shqetësim i gjithë shoqërisë së sotme, në shumë vende të botës, diku si një prostitucion biologjik, diku ekonomik, diku psikologjik e moral.

Për t‘u shënuar është dhe stili ritual i kujdesshëm i autorit, i nevojshëm për lexuesin, për të mos u shkëputur nga dominantet psikologjike që i bëjnë personazhet të vuajnë në botën e tyre të brendshme, në kërkim të ëndrrës dhe dashurisë. Një ritualizëm i adhurueshëm që përngjason me stilin e Victor Hugo-it dhe po ashtu me shpirtin e tij altruist. Altruizmi i Dhimitër Xhuvanit shfaqet me një sensualitet të veçantë në dashurinë njerëzore, në pjesën më të vrarë shpirtërisht të shoqërisë, në kurvërinë profesionale të femrave, për të cilën ai nuk hesht pa cilësuar shkaqet ekonomike, sociale, psikologjike, të cilën ai e personalizon aq bukur me Ljusa Dobroljubovnën, tek e cila vetëdënimi është më i fortë nga ligji. Nga shpirti i saj çlirohet një forcë mbinjerëzore, një dashuri tepër e rrallë e altruizmit. Në këtë filozofi, autori i librit, përplas kundërshtitë e mendimeve dhe të botëkuptimeve të personazheve të tij; të psikologjisë së natyrshme të Neri Dhamos, të Nanasë së urtë e të duruar, të snobistes ekstazike e të hijshme Galja Smirnovas, të vajzës së bukur fatkeqe, mjaft njerëzore, të kurvës së dhimbshme Ljusa Dobroljubovna dhe të gjitha bashkëveprojnë me tiparet e tyre të veçanta me personazhin kryesor, Serjan Zguri, që ka harruar dashurinë. Në të gjitha këto kundërshti, autori mbetet i dëshpëruar në udhëkryq, sikurse shkrimtari suedez Hjalmar Soderberg. Natyrisht që kjo zgjidhje nuk është e dëshirueshme, por i jep veprës vlerën e vërtetë, të asaj që shqetëson autorin, që ende në shumë vende të botës, në Shqipëri, Rusi e gjetkë, ka dashuri të frikshme, dashuri të ndaluara, dashuri të harruara, dashuri të vrara... Dhe...Lexuesi psherëtin e rënkon me dhimbje sikurse dhe vetë autori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›